AKTUALITET

Kërkoi zbutje të masës së sigurisë, GJKKO merr vendimin për përgjegjësin e IKMT, Julian Preni

17:34 - 21.05.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përgjegjësi i IKMT, Julian Preni, i cili dyshohet se ndërtonte objekte pa leje në Ksamil, i kërkoi GJKKO-së zbutje të masës së sigurisë, nga arrest në burg në të cilën ndodhet, në një masë më të lehtë.




GJKKO e rrëzoi këtë kërkesë të Julian Prenit, duke e lënë këtë të fundit nën masën e arrestit në burg.

Vendimi u mor nga trupi gjykues me gjyqtarët Erjon Çela, Elteva Deda dhe Erjon Bani.

Preni është i akuzuar për ‘shpërdorim detyre’, pasi në shkurt të vitit 2020 ai mori një ryshfet prej 6000 euro nga një biznes i cili rrezikonte shembjen e disa mureve të ngritura pa leje.

 

 

Hetimi nisi pas një telefonate anonime në Komisariatin e Sarandës në 29 prill 2020, ku një person denoncoi se në 28 shkurt të atij viti, përgjegjësi i IKMT Sarandë, Julian Preni kishte marrë ryshfet 6000 euro nga një biznes në Ksamil për të mos prishur disa mure të ndërtuara pa leje. Veprimet hetimore i kreu SPAK, duke marrë në pyetje disa persona, këqyrur telefonat celularë apo duke kryer përgjime dhe deri edhe kontroll banese të Julian Prenit.

Duke mos gjetur elementë të veprës penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, SPAK ka shpallur moskompetencë duke e transferuar dosjen në Prokurorinë e Sarandës për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Sarandës ndërkohë ka vijuar hetimet ndaj Prenit duke kërkuar informacion në lidhje me dy objekte që i pandehuri ka në proces legalizimi në Njësinë Administrative Ksamil dhe që dyshohet se mund të jenë ndërtuar nga ai në kohën që ka qenë në detyrë pranë IKMT. Sipas Prokurorisë, bazuar në dosjen personale të ish punonjësit të IKMT Julian Preni, rezulton se prej Janarit 2016, është transferuar si Inspektor i Inspektimit në Terren, detyrë të cilën e ka kryer deri më 1 korrik 2019, kur rezulton se është komanduar edhe në detyrën e Përgjegjësit të IKMT, Sektori Sarandë. Këtë detyrë, ai e ka kryer deri më datë 21.5.2020. Sipas Prokurorisë, pavarësisht nga koha e kryerjes së ndërtimeve të cilat ka në proces legalizimi i pandehuri Julian Preni, ato ndërtime, si pa leje, duhet të ishin prishur nga i pandehuri, duke qenë se ka qenë në detyrë për inspektimin e territorit, e aq më tepër si Përgjegjës i komanduar i IKMT, Dega Sarandë. Për këtë arsye ndaj tij është ngritur akuza “shpërdorim detyre”.

 

Julian Preni aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi është arrestuar me urdhër të SPAK në 26 tetor 2023 për një çështje tjetër penale ku akuzohet për “korrupsioni pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Para pak ditësh SPAK ka mbyllur hetimet duke dërguar çështjen në gjyq. Sa i përket procesit në Sarandë, Preni nuk ka pranuar të paraqitet duke u përfaqësuar vetëm nga avokati.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.