Kryesore

Analiza / Emin Barçi: Bankat, media dhe përgjegjshmëria

17:23 - 30.05.24 Emin Barçi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Emin Barçi




Në ditët e fundit industria bankare dhe financiare ka përballur gjithnjë e më shumë kritika dhe dyshime nga media të ndryshme. Me to janë bashkuar edhe disa institucione. Ndërsa kritikat konstruktive janë thelbësore për transparencë dhe përmirësim, trajtimi jo profesional mund të çojë në keqkuptime dhe mosbesim të panevojshëm midis publikut. Industria bankare dhe financiare janë si ajo bërthamore, çlirojnë energji të jashtëzakonshme, por bëjnë edhe dëme të jashtëzakonshme kur nuk e trajton me kujdes, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri.

Bankat dhe institucionet financiare janë kontribuuese të pa zëvendësueshme për funksionimin e ekonomive moderne. Ato ofrojnë shërbime thelbësore si administrimi i kursimeve, kreditimi për individët dhe bizneset, dhe produktet investuese që ndihmojnë njerëzit dhe sipërmarrjet të planifikojnë dhe ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Pa këto shërbime, rritja ekonomike do të ndalonte, pasi individët dhe bizneset do të kishin shumë të vështirë për të menaxhuar në mënyrë efektive financat e tyre.

Kush janë kontributet kryesore të bankave dhe subjekteve financiare?

Ato ofrojnë kredi që mundësojnë zgjerimin e bizneseve dhe ju mundësojnë individëve blerjen e shtëpive, makinave, financimin e arsimit, shëndetit etj, duke nxitur rritjen e mirëqenies si kurrë më parë.

Sot sistemi bankar dhe financiar ka kredituar bizneset dhe individët për rreth 6 miliard euro ose rreth 34% të PBB. Vetëm kredia konsumatore aktualisht vlerësohet në rreth 700 milion euro.

Mjafton të kuptojmë se 46% e pronave në 2023 janë blerë me kredi bankare.

Institucionet financiare në mënyrë të veçantë po financojnë ato biznese dhe individë që nuk trajtohen nga bankat duke u bërë një levë shtesë me vlerë 500 milion euro për investime dhe konsum, veçanërisht në zonat rurale.

Edhe kur sistemi bankar vuajti nga mali i kredive me probleme (25% në 2012 duke shënuar rekord negativ në Evropë) dhe u përball në shumë raste me humbje financiare, asnjëherë nuk ndërpreu kredidhënien duke menaxhuar qarkullimin e parave dhe duke siguruar likuiditet për klientët në nevojë për financim dhe duke ndihmuar mbajtjen stabël të rritjes ekonomike të vendit.

Pavarësisht fakteve të mësipërme disa Media me përqasje jo profesionale herë pas here kanë trajtuar çështje brenda sektorit bankar, duke u fokusuar në incidente të izoluara në vend që të japë një pamje të balancuar. Kjo qasje mund të çojë në frikë dhe keqkuptim të përhapur për shëndetin dhe praktikat e përgjithshme të industrisë.

Ndërsa bankat dhe subjektet financiare janë sipërmarrje që synojnë fitimin, ato gjithashtu kanë një përgjegjësi ndaj klientëve të tyre dhe ekonomisë si rrallë biznes tjetër. Banka e Shqipërisë nëpërmjet rregulloreve Nr.48 dhe Nr.59 sigurojnë që bankat dhe subjektet financiare të operojnë brenda një kornize që prioritizon mbrojtjen e konsumatorëve dhe transparencën e produkteve.

P.sh. për kredinë konsumatore dhe hipotekore prej vitit 2021 askush nuk mund të ngarkohet me penalitete më shumë se 30% e vlerës së detyrimit të maturuar dhe pa paguar.

Kontratat e huasë dhe mënyra e shuarjes apo zgjidhjes së saj është tërësisht e bazuar në Kodin Civil. Kodin e Procedurës Civile dhe ligjin “Për shërbimin përmbarimor”. Nëse sot ka një marrëdhënie tërësisht të rregulluar me akte ligjore e nënligjore, ky është procesi i kredidhënies.

Është komentuar shumë një rast kur një pronat tokash me 24 ha (24 mijë metra katrore) i është vënë sekuestro për 12 mijë euro detyrim.

Së pasi sekuestro vendoset vetëm pas një vendimi gjykate që quhet “urdhër ekzekutimi”.

Së dyti sekuestro hiqet në sekondë kur debitori paguan detyrimin. Nëse detyrimi për të cilin gjykata ka lëshuar urdhër ekzekutimi nuk qëndron, korpusi ligjor mundëson ankimin dhe anulim të masës.

Rasti që po përdoret për të sulmuar sistemin bankar e financiar minimalisht tregon mungesën e kulturës dhe njohurive të të drejtave dhe detyrimeve në fushën e kredi dhënies.

Kur e pyetën presidentin amerikan Xhorxh Bush për shkaqet e krizës financiare të vitit 2008, ndër të tjerat ai theksoi: “ku e dija unë se 90% e amerikanëve nuk kishin lexuar kontratat që kishin nënshkruar me bankat”.

Duke qenë të vetdijshëm për këtë problem shumica e bankave dhe subjekteve financiare investojnë shumë në zhvillimin e komunitetit, edukimin financiar dhe mbështetjen e bizneseve të vogla, duke treguar një angazhim për mirëqenien shoqërore dhe rritjen ekonomike përtej fitimit të thjeshtë.

Incidentet e abuzimit të denoncuara së fundmi dhe sjelljes së keqe, ndonëse serioze, nuk përfaqësojnë të gjithë industrinë. Shumica dërrmuese e profesionistëve të bankave dhe subjekteve financiare ndjekin standarde të rrepta etike.

Banka e Shqipërisë imponon penalitete të ashpra për ata që shkelin këto standarde deri në pezullim apo heqje license, duke ruajtur integritetin e sistemit financiar.

Kjo situatë rëndohet edhe më shumë nga trajtimi që i bën incidenteve të sistemit bankar media me përqasje jo profesionale duke kontribuar në analfabetizmin financiar të përhapur.

Edukimi financiar është thelbësor për individët për të marrë vendime të informuara për paratë e tyre dhe për të kuptuar rolin e institucioneve financiare në jetën e tyre.

Banka e Shqipërisë ka një program të veçantë për edukimin financiar i cili padyshim që duhet intensifikuar duke nxitur bankat dhe subjektet financiare të zhvillojnë më shumë programe për edukim financiar të publikut.

Edukimi financiar duhet të përmirësohet në kurrikulat shkollore.

Bankat dhe subjektet financiare duhet të ofrojnë më tepër informacione mbi rregulloret që mbrojnë konsumatorin dhe garantojnë transparencën e produkteve bankare dhe financiare veçanërisht në faqet e tyre të internetit dhe rrjetet sociale për të ndihmuar konsumatorët të kuptojnë produktet dhe shërbimet financiare, të drejtat dhe detyrimet e tyre.

Industria bankare dhe financiare është një shtyllë e stabilitetit dhe rritjes ekonomike. Ndërsa është thelbësore të kemi banka dhe institucione financiare të përgjegjshme dhe transparente, është po aq e rëndësishme që media të raportojë për këtë sektor në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale.

Sensacionalizmi dhe akuzat e pabazuara vetëm sa nxisin mosbesimin publik dhe errësojnë kontributet e pazëvendësueshme pozitive të industrisë.

Është thelbësore trajtim i balancuar që njeh sfidat dhe arritjet e sektorit bankar. Vetëm duke promovuar raportimin e saktë dhe profesional mediatik, ne mund të nxisim një kuptim më të larmishëm dhe të drejtë të industrisë financiare dhe rolit të saj të pazëvendësueshëm në ekonominë tonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.