DOSSIER

“Kur Enver Hoxha i tha ambasadorit jugosllav se ‘e mbytëm Padër Anton Harapin dhe kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik, ai u…”- Dëshmia e rrallë e përkthyeses së diktatorit

09:45 - 30.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosat qi desin. Por fatosat qi desin, nuk kane ç’të bajnë në nji komb, qi i harron dhe i përbuzë“. Kështu do te shprehej drejtuesi i revistës “Hylli i Dritës” At Gjon Shllaku, në numrin 3-4 të kësaj reviste. “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytshin për së gjalli ,nderohen për së dekuni. Ndër ne ata mbyten dy here; edhe harrohen”.




Apostrofime në dukje të thjeshta, parandjenja dhe profeci që tingëlluan deri vonë, si tepër të trishta. Në mëngjesin e zymtë, të vrenjtur dhe me shi shkodre, të 4 marsit 1946, zemrat e shkodranëve u dridhën nga breshëritë e automatikëve dhe jehonat që vinin nga Zalli i Kirit, vendi i namun ku pushkatoheshin “mëkataret” e kohës së kuqe.

Nën plumbat e skuadrës ekzekutuese ranë njëri pas tjetrit përdhe trupat e 7 të dënuarve me vdekje ndër të cilët, 4 ishin klerikë katolikë. At Gjon Shllaku qe njëri ndër ta. Nuk ishte hera e parë që në të zbardhur të dritës në qytet të dëgjoheshin të shtime të tilla me ushtime të “xanun” si ato që bien në mish njeriu.

Në zakonin e fituar rishtazi pushkatimet e heretikeve bëheshin në orët e para kur njerëzit ishin ende në shtroja. Pas pushkatimit, zakonisht trupat e të vdekurve liheshin ashtu njëri mbi tjetrin, si të ishin thasë plehu, në dispozicion të qytetarëve, për tërë ditën.

Në muzg të natës ashtu grumbull siç ishin, hidheshin në një gropë të përbashkët, që mbulohej mirë mundësisht të mos mund të dallohej më. Ky qe fati që parandjeu në harresën e tij edhe At Gjon Shllaku. “Ne nesër së bashku edhe me nji koleg temin, shkume kinse për me shëtite, kah vendi i pushkatimit, me qëllim që të vërtetojmë se ku i kishin vorrue. Kurrkund shenjë grope dhe as dheu, të çuem rishtas.

Ma vonë morrme vesh se gropën e kishin çele natën, afër shtratit të lumit, në zall që e mbulon lumi mbas shinave. Dheun tepricë e kishin tretë dhe gropën e kishin rrafshue me kujdes, me fundrri të qytetit: teneqe, kutia zhele, në mënyre që të mos dukej shenjë dhe as gjurmë për krimin e kryer”. Kështu shprehet në kujtimet e tij, për At Gjon Shllakun, Pal DukaGjini. (Pseudonimi letrar, i At Daniel Gjeçaj).

Në Shkodër, At Gjon Shllaku njihet si një ndër më intelektualët klerik katolik. Filozof, gazetar, profesor, At Shllaku njihet edhe politikan. Në historinë e mendimit demokristian, At Gjon Shllaku, thuhet të jetë i pari kryetar i Partisë Demokristiane Shqiptare. Madje duket se kjo ka qenë edhe një ndër shkaqet kryesore, që e çuan atë drejt fundit dhe rrokamës të pashmangshme.

Regjimi nuk mund të pranonte në rrjedhën e kohës, ata që ishin në oponence ideologjike me të. Le që për njerëz të tillë, si At Gjon Shllaku, ishte i mjaftueshëm fakti se qe prift dhe që bënte pjese në një elitë të zgjedhur intelektualësh.

Eruditi që mbeti ne histori

Të vjetrit e kujtojnë shumë mirë, megjithëse ai nuk është më që nga fillim marsi i vitit 1946. Duke kujtuar takimin e parë të tij, me at Gjon Shllakun, At Zef Pëllumbi, tregon; “Ishte një burrë i ri , rreth të tridhjetave, por i plakun para kohe. I shkurtër, i thatë, i zbehte, me nji palë syze të zeza që i mbulonin gjysën e fytyrës që qeshte.

Jo i bëshëm në trup. Më shumë i mesëm se i gjatë. Me një paraqitje të përvuajtur. Fytyrë e një frati të zakonshëm, që pamjes të jashtme nuk i jep as rëndësi dhe as peshë. I këndshëm në të folur dhe plot njerëzi. Fytyrën dhe formën e kokës karakteristike të racës ilire. Ballin të shpërvjelur dhe flokët të rrallë”.

Kështu e mbajnë mënd në kujtimet e tyre ata që e njohën at Gjon Shllakun. “Dinte me u mbajt në shoqni dhe në çdo ambient a rend shoqnuer, ruante të pacenueshëm dinjitetin e meshtarit, zotnisë e filozofit prakticien dhe sociologut, pasurinë e nji kulture të hapët dhe të thellë. Kishte një mbamendë të fortë dhe refleksive. Lexonte shumë dhe çka lexonte, e thandronte në mendje me kollajsi të çuditshme”, thotë për të, Pal Dukagjini.

Njohës i shkëlqyer i filozofëve më të përmendur të kohës italiane franceze dhe gjermane, nga ku duket se ka derivatuar edhe një farë interesi i tij, që mbase për momentet kur u shfaq, mund të quhej i imponuar për politikën. I gatshëm për të diskutuar mbi çdo çështje të diturisë njerëzore dhe letrare. Dinte të sillej me të gjithë, pavarësisht se kishte parapëlqim intelektualët dhe të zgjuarit e kohës.

Megjithatë, fliste përzemërsisht njësoj me të gjithë. Në Shkodër kujtohet miqësia e tij me doktor Shirokën i cili, në bisedë me të edhe kur vinte rasti të përdorte terminologjinë e ngushtë të zhargoneve të shkencës humane të njeriut.

Po kështu mbahet mirë në mend edhe një episod tjetër. Gjatë një vizite të një grupi albanologësh italianë në Shkodër, At Gjon Shllaku është i zoti i shtëpisë. Në listën që kërkohet të bëhet për një dhuratë me libra, At Shllaku vërteton të qenit njeri erudit dhe me kulturë e shije letraro-ditunore. At Gjoni në Liceun françeskan ku jepte mësim, konsiderohej si profesori më i përgatitur. Në kohën e vet thuhej se ishte njeriu më i lartë i kulturës shqiptare.

“E kam pasë profesor në Liceun ‘Illyricum’ dhe na jepte mësime në fiziko-kimi, në frëngjisht dhe në ekonominë politike. Ishte profesori më simpatik. Në klasë na fliste për marrjen e Bastijes, që ndryshoi botën. E kuptonim na?.. Sigurisht që jo…”, thotë At Zef Pllumi, në kujtimet e tij.

Në drejtimin e “Hyllit të Dritës, aftësia e Padre Gjonit spikati shkëlqyeshëm. Shpejt revista u shndërrua në një forum kombëtar, me pjesëmarrje të personaliteteve më të shquara të kulturës, si; Eqerem Çabej, L. Mirdita, Kol Naraci, Frano Alkaj, Prek Kaçinari, etj. Ai mblodhi rreth vetes penat më të mprehta të kohës. Në vatrën që inicioi Fishta i madh, ku u shkri platforma e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar, u ulën në kuvend si dikur, pleqtë e kanunit dhe shkrimtarët e rinj të krishterë ose jo, por gjithmonë, adhurues të një Zoti.

Ai pranoi ide moderne e përparimtare, por pa ia shmangë parimeve kristiane e kulturës shqiptare. Në vitin 1945, intelektualët shkodranë organizuan konferencën për krijimin e Shtëpisë të Kulturës. “U ftua edhe Padër Gjoni, gjë që ai e përqafoi me entuziazëm.

Në atë konferencë që e zgjodhi Padër Gjonin kryetar nderi, ai mbajti fjalimin përurues, fjalim që do të mbetet i paharruar për auditorin e asaj dite”, thotë kështu Zef Zorba. Të gjithë e njihnin Padre Gjonin dhe ishin të bindur se më nismëtar të tillë, kultura ekonomia dhe arti, do të lulëzonin në Shqipërinë e pavarur.

Për fe e për atdhe

Në lajtmotivin e klerikëve është e njohur edhe jeta e martirizuar për fe dhe për atdhe. Një jetë të tillë pati edhe martiri që njihet me emrin Gjon Shllaku. I lindur në Shkodër, djep të kulturës dhe qendër të kristianizmit, ai pati emrin Kolë, në pagëzimin e tij. Ende i vogël, hyri në Kolegjin Françeskan.

Në tetor të 1922, shugurohet prift dhe filloi jetën rregullonte, duke ndërruar edhe emrin e pagëzimit, në Gjon. Diplomohet në Hollandë dhe Belgjikë, në Universitetin e Levain ndërsa në Francë, në Universitetin e Sorbonës dhe kryen edhe një kurs për gazetari, çka do të jetë një ndër synimet e tij kryesore, në drejtimin e Revistës “Hylli i Dritës”.

Si mbas traditës së Françeskanizmit në Shqipëri dhe si pasojë e edukatës të fituar nga të mëdhenjtë me zhgun; Bardhi, Gjeçovi, Harapi, Fishta dhe Rrota, që ishin mësues në shpirt dhe në zemër, Padre Gjoni ndikoi tek të rinjtë, jo veç ndjenjat fetare, por edhe kulturën e shëndoshë dhe ndjesitë kombëtare.

Edhe tij si etërve të Provincës Françeskane, i dha jete binomi; “Për fe dhe për atdhe”. Ajo që e dallon në misionin e tij meshtarak e françeskan, asht penda dhe shkrimi. Këtu dha provat e para të një zotësie të rrallë dhe të një talenti të veçantë. Shkroi pak sepse, koha e shkurtër e aktivitetit të tij dhe rrethanat e vështira me të cilat u gjet në momentet që hyri në radhët e shkrimtareve.

Mallkimi i kuq dhe politika e fesë

Në vitin 1946, për klerikët e krishtere në Shqipëri, shënohet akti i parë dramatik i asaj tragjedie e cila, dalëngadalë do ta çonte kishën e këtij vendi, në asgjësim të plotë të çdo shprehje të jashtme të besimit. “Çdo ditë e më tepër rëndoheshin retë e zymta, që lajmëronin stuhi e shtrëngatë ndër ne.

Më kujtohet si sot trishtimi që na kishte mbulue të gjithëve dhe më ka mbet në mendje gjendja shpirtërore e Padër Gjonit, tash më takon mua, por mjerisht s’jam as i pari as i mbrami. Të lutemi që Zoti të na japë forcë dhe zemër, për të përballuar martirizimin”, thotë kështu Pal Dukagjini. Akuzat qenë gati. Ai ishte me ideale demokristiane.

Sipas disa treguesve në fund të vitit 1945, qe dukur në Shkodër Sejfulla Malëshova. Thuhet dhe madje është e dokumentuar, që ai të ketë biseduar me Padër Gjon Shllakun, për krijimin e një Partie Demokristiane. Këto ishin argumentet që u sollën në gjyqin farse, ndaj priftit të nderuar. Një nga përkthyeset në shërbim të Enver Hoxhës, tregon se ka dëgjuar një bisedë të Hoxhës me ambasadorin jugosllav.

“E mbytëm Padër Anton Harapin e, me këtë kemi plagos për vdekje Klerin Katolik”. Sipas rrëfimit të gruas, diplomati serb, i është përgjigje; “Po! Po! Por keni ende gjallë, Padër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë. Duhet sipas porosisë të qeverisë seme ,të zhdukni Shllakun dhe të shkatërroni në kulm, dhe themel, çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër”.

Atë e morën në shkurt të vitit 1946. E nxorën nga klasa, ndërsa u jepte mësim nxënësve. Madje nuk kish arritur të shkruante as temën, në regjistër të klasës. Atë natë në Radio – Shkodra, u dha lajmi se; “Krimineli Gjon Shllaku, qe kapë duke kaluar kufirin, për t’u arratisë”. Që nga ai moment, ai ndërroi sallën e mësuesit, me dhomën e torturave.

“Kur ne të tjerët kryem mësimin në dhjetë minuta, në gojë të secilit kaloi fjala. E pat edhe Padër Gjoni”, tregon Pal Dukagjini, në kujtimet e tij. Tani Padër Gjoni, bashkohej me viktima të tjera, në pritje që të nxirreshin në arenën e koloseut të Rozafës. Shtonte rreshtin e Padër Daniel Dajanit dhe të Padër Faustit, “anëtar të organizatës antipopullore, ‘Bashkimi Shqiptar’”.

Mbi të binte edhe akuza e të qenit si kryetar i Partisë Demokristiane, në fillimet e saj. Në gjyq pati një avokat të guximshëm dhe tepër të përgatitur si nga ana intelektuale, ashtu dhe profesionale, Myzafer Pipën. Ky ishte ish-student i tij, e njihte personalitetin e Padër Shllakut dhe nuk e pati të zorshme edhe mbrojtjen, megjithëse pati pasoja prej tij.

Sipas kujtimeve të Pal Dukagjinit, Myzafer Pipa, ka pranuar të mbrojë Padër Gjonin dhe në një koment, tha; “Shka mund të bëjë juristi, ku s’ka ligje dhe as drejtësi?! Si mund të mbrojë një njeri, në kje se në kohë, para se te provohet apo jo faji i tij, asht i dënuem”?!

Një gjyq tragjikomik. Padër Gjoni dënohet me vdekje. Akuzat të planifikuara nga lart, paraqitën Padër Gjonin, si; “ideologun dhe krijuesin e Partisë Demokristiane, si dhe; “organizatorin dhe udhëheqësin e “Bashkimit Shqiptar”.

Fajtor për vdekje, jo vetëm si kundërshtar regjimi, por edhe si; “kriminel dhe njeri i dëmshëm për popullin dhe kombin”. Dënimi me vdekje kishte ardhë prej kohe nga Tirana zyrtare. Pas kësaj, ekzekutimi ishte një rutinë. Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.