OPINION

Vizitë historike dhe në kohën e duhur

08:43 - 30.05.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA DR. JORGJI KOTE 




Kjo mund të thuhet me plot gojën për vizitën treditore të Presidentit francez, Emmanuel Macron, në Gjermani (26 – 28 maj 2024). Ajo i kaloi kufijtë e zyrtares, si “vizitë shtetërore” (visit d’etat) duke u shoqëruar me ceremonialin më të lartë protokollar. Ndonëse gjatë këtij viti Macron ka qenë tri herë zyrtarisht në Berlin, kjo ishte e para vizitë e nivelit më të lartë protokollar e një presidenti francez në Gjermani qysh nga viti 2000. Vizitë të tilla me shumë solemnitet rezervohen për kryetarët e shteteve me të cilët ka marrëdhënie të mira në të gjitha fushat. Në përgjithësi, një kryetar shteti mikpret jo më shumë se 5–6 “vizita shtetërore” në vit. Sepse veç të tjerash, ato kërkojnë angazhimin personal të vetë kryetarëve të shtetit që i mirëpresin dhe i shoqërojnë gjatë qëndrimit “mysafirët e shtetit”, praninë e Gardës, forcat e sigurisë, bankete, takime me popullin dhe vizita në qytete të tjera. Edhe shpenzimet e majme financiare, ndryshe nga vizitat e tjera mbulohen nga shteti mikpritës.

Por vizita e Presidentit Macron në Gjermani ishte historike dhe në kohën e duhur dhe për disa arsye madhore gjeopolitike, të cilat po i përmendim më poshtë.

Së pari, sepse bëhet fjalë për Francën dhe Gjermaninë, dy bashkëthemelueset e konsideruara si “boshti dhe motori” i ekzistencës dhe funksionimit të BE-së; kjo falë madhësisë gjeografike, popullsisë, peshës politike, ekonomike dhe ushtarake, traditave historike ndërmjet tyre, vlerave dhe parimeve demokratike të shtetit të së drejtës. Janë ato që përcaktojnë dhe fizionominë dhe drejtimin e BE-së dhe KiE-së, ndërsa bashkë më SHBAtë dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, si NATO, OSBE e deri te OKB-ja.

Ka një konsensus të plotë se asnjë dyshe tjetër politike në BE nuk e ka forcën, vullnetin dhe besueshmërinë e duhur gjeopolitike për të zëvendësuar apo dhe kompensuar modelin emblematik franko-gjerman. Dhe duke iu referuar rajonit, Kosovës dhe Shqipërisë, mbas SHBA-ve, asnjë nuk na ka mbështetur aq shumë dhe qysh përpara viteve 90 si Franca dhe Gjermania në rrugën drejt demokracisë pluraliste dhe integrimit EuroAtlantik, zgjerimi i BE-së, nismat rajonale dhe deri te Procesi i Berlinit, ku dhe Franca është tejet aktive.

Franca dhe Gjermania janë dy vende me histori rrezatuese planetare, mbasi e kanë kthyer armiqësinë politike dhe ushtarake të dikurshme në një “mrekulli”, siç cilësohet miqësia dhe partneriteti i tyre historik, në një model paqeje, begatie dhe demokracie të pashembullt. Ndonëse në tri shekujt e kaluar ato kanë zhvilluar 27 lufta gjakatare kundër njëratjetrës, në 80 vitet e fundit kanë qenë nismëtare dhe mbështetëse të dhjetëra proceseve paqebërëse dhe demokratike me emra tingëllues. Me Strasburgun, një nga tri kryeqendrat e Europës së Bashkuar, si dëshminë monumentale të pajtimit të tyre emblematik.

Kjo vizitë ishte historike për momentin dhe rrethanat sfiduese gjeopolitike kur u zhvillua. Gjermania sapo kremtoi 75-vjetorin e themelimit si shtet demokratik dhe të Ligjit të saj Themeltar; Presidenti Macron u bë pjesë e ceremonive në Berlin, Dresden dhe Mûnster, çka i dha një frymë dhe atmosferë festive vizitës së tij.

Kur ka mbi 27 muaj që vazhdon me ashpërsi agresioni rus ndaj Ukrainës, duke sfiduar të drejtën ndërkombëtare e duke kërcënuar gjithë Perëndimin dhe vlerat e tij të qenësishme. Ndërkohë, në Lindjen e Mesme vazhdon konflikti dhe kriza e shkaktuar nga bandat terroriste të Hamasit me sulmin e 7 tetorit 2023.

Akoma më e rëndësishme, kjo vizitë u zhvillua 10 ditë përpara zgjedhjeve europiane, si një betejë vendimtare politike dhe zgjedhore mes forcave të moderuara të majta e të djathta dhe atyre populiste dhe të ekstremit të djathtë; rezultatet e tyre do të jenë me shumë rëndësi për funksionimin dhe fatin e gjithë BEsë në të ardhmen. Ndaj Macron me liderët gjermanë dhanë mesazhet e duhura për kujdes dhe vigjilencë nga përshkallëzimi i forcave radikale në të dy këto vende, ku ato po kërkojnë me ngut dhe me ngulm pushtetin vendor dhe atë në nivel federal. “Demokracia mund të vdesë” paralajmëroi Macron në Berlin. Këto kërcënime janë më të forta dhe kanë objektiv kryesor pikërisht këto dy vende, për vetë rëndësinë e tyre të lartpërmendur.

Si Franca dhe Gjermania janë të vetëdijshme se këto dukuri, kriza dhe konflikte kanë venë në provë demokracinë liberale, pa të cilën s’mund të ketë as BE. Mirëpo vitet e fundit, pikërisht ky bosht jetik ka shfaqur krisje, mangësi, probleme dhe konflikte të hapura dhe të fshehura, me ndikim negativ në kohezionin politik, diplomatik dhe ushtarak me pasoja për gjithë BE-në. Njihen tani dhe publikisht mosakordimet dhe hera-herës fërkimet politike midis Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz, lidhur me këndvështrimet dhe qëndrimet e tyre mbi shqetësimet më themelore gjeopolitike të kohës. E theksojmë këtë aspekt, mbasi deri tani, miqësia personale politike e liderëve të dy vendeve ka qenë udhërrëfyese në mbarëvajtjen e këtij boshti. Mirëpo sot ndihet mungesa e një Çifti politik si Adenauer – Charles de Gol, Schmidt – D’Estaing, apo si Kohl&Mitterand të kapur dorë për dore në varrezat e përbashkëta të ushtarëve francezë dhe gjermanë që prehen në Verdun në dhjetor 1984, deri te Merkel– Sarkozi që ishte pagëzuar si “SarkoMerkel”.

Opozita gjermane, por edhe zëra brenda koalicionit qeveritar dhe shumë ekspertë gjermanë po e kritikojnë Kancelarin Scholz, sepse nuk i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, madje në disa raste e “ka lënë në baltë” Macronin në demarshet dhe nismat e tij për një Europë më të fortë dhe më të pavarur.

Dallimet mes tyre nuk janë të dorës së dytë dhe të tretë dhe as kozmetike, por thelbësore dhe me pasoja strategjike. Kështu, në Berlin nuk kanë gjetur jehonë tri fjalimet europiane të Presidentit Macron në Lisbonë, Sorbonë dhe në Strasburg; madje disa propozime të tjera janë pritur me “këmbët e para”. Përmendim këtu disa qëndrime të ndryshme ndaj Ukrainës, ku Franca është e avancuar, ndërsa Gjermania e tërhequr, me hezitime dhe ngurrime; Franca ia ka dhënë Ukrainës raketat e saj “SCALP” me rreze veprimi 250 km, ndërsa Berlini ende nuk pranon të bëjë të njëjtën gjë me raketat saj të fuqishme “Taurus” me rreze veprimi 500 km; Franca është gati të dërgojë dhe trupa në Ukrainë, ndërsa Berlini është kategorikisht kundër, sepse nuk do të bëhet palë në luftë; Franca është për qëndrime më të ashpra ndaj Kinës lidhur me makinat elektrike, ndërsa Berlini sërish më i tërhequr; Berlini nuk e ka mbështetur Parisin as në idenë për një “autonomi strategjike” të Europës, me ose dhe pa SHBA-të dhe në krijimin e një ushtrie dhe akademie ushtarake të përbashkët. Dallime dhe kundërshti ka dhe lidhur me reformat e ndryshme ekonomike etj..

Në këto kushte, kjo vizitë ndihmoi në sheshimin dhe afrimin e pozicioneve frankogjermane për këto aspekte jetike. Në takimin me Kancelarin Scholz, në mbledhjen e Këshillit të Përbashkët të Sigurisë dhe në Konferencën e shtypit, të dy liderët shprehën besimin se Europën do ta çojnë përpara me mendimin dhe veprimin e përbashkët franko-gjerman në të gjitha çështjet madhore të epokës sonë, nga ndryshimet klimatike, teknologjinë dixhitale e deri tek aspektet e mbrojtjes europiane. Afrim qëndrimesh pati dhe lidhur me mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, për veprimet për mbrojtjen dhe fitoren e saj në frontin e luftës.

Ndërkohë, Presidenti gjerman Steinmeier, në banketin solemn, në Dresden dhe në ceremoninë publike të dekorimit të Presidentit Macron me “Çmimin Westfalian të Paqes” e cilësoi atë “europianist të shquar, partizan të autonomisë strategjike europiane, vizionar të madh” duke bërë kësisoj dhe një autokritikë për qëndrimet e deritanishme të rezervuara dhe të tërhequra gjermane.

Vizita i justifikoi të gjitha pritshmëritë e mëdha politike, diplomatike dhe publike. Në të gjitha rastet, në takimet me Presidentin Steinmeier, Kancelarin Scholz dhe në vizitat e tjera u dha mesazhi i qartë i mbështetjes pa rezerva të Ukrainës deri në fitoren e plotë. Të dyja palët ranë dakord për zhvillimin e përbashkët të prodhimit të raketave me rreze të gjatë veprimi, të shfrytëzimit të kapaciteteve dhe mundësive bërthamore përballë kërcënimeve ruse etj..

Po ashtu, u ra dakord për një bashkërendim më të mirë dhe forcimin e BE-së, përpjekjet për një model të ri rritjeje ekonomike etj..

Lidhur me krizën në Lindjen e Mesme, të dy Presidentët dhanë mesazhe kuptimplote gjatë vizitës në Muzeun e hapur të Holokaustit në Berlin dhe në ceremoninë publike të dekorimit nga Presidenti Macron me Urdhrin më të lartë francez të çiftit të mirënjohur franko-gjerman, Beate&Serge Klarsfeld, mbijetues të Holokaustit dhe aktivistë të shquar në gjurmimin dhe evidentimin e veprimtarisë naziste dhe forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve.

Padyshim që rinia ka qenë fakti vendimtar në miqësinë franko-gjermane, ndaj dhe liderët e tyre i janë drejtuar vazhdimisht asaj. Mbi bazën e Traktatit të famshëm dypalësh të Elizesë, më 22 janar 1963, veç të tjerash, janë binjakëzuar me qindra shkolla, në të dyja vendet mësohet një tekst i përbashkët historie, ka me mijëra bursa dhe të drejta studimi, lehtësi të shumta për të rinjtë artistë dhe sportistë të dy vendeve etj.. Mesazhin madhor se “jeni ju që i keni në dorë fatet e Europës” Macron e dha në gjuhën gjermane i brohoritur nga mijëra të rinj në Dresden më 28 maj dhe gjatë koncertit të korit franko-gjerman të gjimnazit “Romain Roland”.

I gjithë programi dhe përmbajtja e pasur dhe e larmishme e vizitës së Macron dëshmoi qartë se pavarësisht nga zigzaget, uljet dhe ngritjet, miqësia franko-gjermane është e “dënuar” të vazhdojë të qëndrojë e pathyeshme, sepse ajo i ka shtrirë rrënjët thellë në popull, sidomos te brezat e rinj në të dyja vendet.

Së fundi, gjatë kësaj vizite, liderët e të dy vendeve arritën t‘i japin një tjetër impuls të fuqishëm boshtit emblematik franko-gjerman, duke garantuar funksionimin e tij me intensitet dhe më të madh për forcimin e BE-së dhe të strukturave të tjera Euro-Atlantike, në shërbim të paqes, sigurisë, begatisë ekonomike, shtetit të së drejtës dhe demokracisë liberale.

Nga ana e vet, Macron, sipas ekspertëvedhe medias gjermane dhe franceze në të gjitha rastet zyrtare, si dhe në takimet spontane me njerëz të thjeshtë, në selfiet e shumta, shtrëngimet e duarve, buzëqeshjet dhe gjuhën e trupit e tregoi veten lider i shquar, karizmatik, mik i popullit gjerman, lider të cilit i duhet besuar.

Të gjitha këto dhe aspekte të tjera e bënë vizitën e Presidentit francez Macron në Gjermani vërtet historike dhe me jehonë në të dyja vendet dhe më gjerë. Nisur nga marrëdhëniet e ngushta të miqësisë dhe bashkëpunimit me këto dy vende të mëdha aleate, ky është lajm i mirë edhe për rajonin, Kosovën dhe vendin tonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.