OPINION

“Kuajt e Trojës, Ramizit, Sorosit…” kanë cof PS, PD, Shqipëri…!

08:14 - 03.06.24 NGA XHEVAT MUSTAFA 
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA XHEVAT MUSTAFA 




Më 5 gusht 1992 në gazetën “Rilindja Demokratike” kam botuar shkrimin konciz “Kuajt e Trojës në revansh kundër demokracisë!”. Ky shkrim është i përfshirë edhe në librin tim “Në kërkim të Europës”, f.83, botuar më 2012. Këtë alarm e kam shprehur më herët, më 15 qershor 1991 po në RD, në “Intervistë imagjinare me Enver Hoxhën: Mos kujtoni se kam vdekur, dy duart i kam jashtë!”(f.32) si dhe më 5 dhjetor 1991 në gazetën “Republika” në shkrimin “Çmim të parë për skenarin ramizian antidemokracia!”(f.68).

Sinqerisht, nuk ndiej aspak kënaqësi e mburrje që edhe pas 32 viteve, koha më jep të drejtë. As të mendoj se kam qenë e jam astrolog, për të parashikuar zhvillimet pas një periudhe kaq të gjatë kohore. Për saktësi historike dhe dëshmi sinqeriteti, po i bashkëngjis opinionit tim të sotëm një pjesë nga ai shkrim i 32 viteve më parë… “…Troja e lashtë u shkatërrua nga një kalë i drunjtë, por Ramiz Alia, për të shkatërruar PD dhe demokracinë në përgjithësi, lëshoi ‘në fushën’ e PD-së disa kope me ‘kuaj dhe pela Blloku e Troje’ jo prej druri, por prej mishi e gjaku… Sipas skenarit, ata u instruktuan mirë për të gjithë strategjinë e tyre…

Në ditët e para të dhjetorit 1990 duhej të shkonin në sheshin ‘Demokracia’ të ngjiteshin në tribunë e të mbanin fjalime ‘bombë e flamur’ kundër komunizmit, duke mos lënë gjë pa thënë kundër Enver Hoxhës së vdekur, por edhe kundër profesorit të tyre Ramiz Alisë të gjallë. Dhe ata u ngjirën, duke i sharë e mallkuar, duke lëshuar ‘shigjeta’ e ‘rrufera’. Profesori i dëgjonte dhe i përcillte me buzëqeshjen e tij të akullt dhe enigmatike, i përgëzonte me vete, apo me mesazhe sekrete ‘Ju lumtë, vazhdoni se keni nisur mirë. Jepini edhe më shumë, se nuk na mbetet qejfi!’. Pasi ia arritën objektivit të parë, ngjitjes në udhëheqjen e PD-së e në qeverinë e saj, detyra e tyre e mëtejshme apo objektivi i dytë, ishte lufta nga brenda për të marrë plotësisht në duart e tyre drejtimin e PD… Apo, për ta marrë kalanë nga brenda!”

Në këto kushte është bërë detyrë e ngutshme imperative hapja e dosjeve të politikanëve dhe qeveritarëve dhe spastrimi i PD-së prej “kuajve dhe pelave të Trojës, Bllokut, Ramiz Alisë…!”. Post Skriptum apo aktualizim: Disa nga këta “kuaj dhe pela Blloku, Troje apo Sorosi”, nën hundën e Berishës apo me mbështetjen e tij të plotë apo mëdyshëse, arritën të bëhen anëtarë kryesie në PD, presidentë, zv.kryeministra, ministra, zv.ministra, deputetë, drejtorë nëpër ministri, ambasadorë, kryebashkiakë…!

Shumica e këtyre u ofruan dhe hynë në PD jo për ideal, për demokraci, “për ta bërë Shqipërinë si Zvicra”, por për këto poste, për prona, pallate, vila, ferma e përfitime të tjera, që sot nuk i fshehin dot me “gjethe fiqsh”…! Pasi i rrëmbyen këto, i bënë naftën PD-së, plot prej tyre, duke mos ia shpërblyer asaj as me votat e tyre individuale dhe familjare dhe duke ndihmuar Edi Ramën për “fitoret” në betejat elektorale. Këto vite që PD, opozita dhe Sali Berisha individualisht po përjetojnë ditët më të vështira, është e pritshme që kryetari i copës më të madhe të PD-së dhe “i burgosuri politik” i Edi Ramës të ndjenjë keqardhje, përgjegjësi e pendesë, që “nuk i pa” qysh në fillim “kopetë me Kuaj dhe pela Troje, Blloku dhe Sorosi”, që ndihmuan Rama-qeverinë për t’i parapërgatitur, nën hundën e tij, këtë ndëshkim të rëndë e këtë fund…?

Sinqerisht, ‘non gratizimi’ dhe arresti shtëpiak për atë, dy masa ndëshkuese, juridikisht jo bindëse, më kanë shkaktuar keqardhje! Më shumë se për atë individualisht e familjarisht, për PD, opozitën, të djathtën, demokracinë, Shqipërinë, kombin…! Por, duke iu referuar shumë shkrimeve si ky, figurativisht kambana gjëmuese alarmi, nga unë e disa të tjerë, qysh më 1991 e deri më 30 maj 2024, shumë demokratë, që ndiejnë dhimbje zemre e shpirti më shumë për gjendjen e PD-së se sa të Berishës, nuk mund ta përmbajnë veten e të mos “e fshikullojnë” me disa pyetje e kujtesa: përse u tregove kaq “miop” dhe “naiv”, kur nuk ishe i tillë, o Sali Berisha? A nuk ju vrasin sytë, veshët, nervat… alergjia dhe agresiviteti i Frok Çupit, Preç Zogajt, Mero Bazes, Ilir Yzeirit, Kreshnik Spahiut… ndaj PD-së dhe ndaj jush individualisht si dhe “bashkëjetesa vëllazërore” me Edi Ramën, me shoqe e shokë, e Bamir Topit, Ridvan Bodes, Astrit Patosit, Spartak Ngjelës, Mark Markut, si dhe e Neritan Cekës me Skënder Gjinushin nëpër zyra dhe salla të Akademisë së Shkencave?

A nuk jeni bindur se nga “gabimet” e juaja të shumta e pjesa më e madhe të pajustifikueshëm, humbësit më të mëdhenj janë demokratët dhe shqiptarët dhe fituesit më të mëdhenj e fare pa meritë janë Edi Rama me shoqe e shokë, me oligarkë, inceneratoristë, investitorëstrategjistë, me mafiozë ndragetas, latino-amerikanë, shqiptarë…? Për më tepër e më keq, me një qeverisje të paaftë, të pashpirt e të paskrupullt për korrupsion dhe pasurimin e tyre të pafre…, ndërsa shumica e popullit ikin emigrantë dhe varfërohen përditë!? Duke bërë një panoramë mbarëvendore të “komës” shumëvjeçare të PD-së, sipas meje, rrjedhojë e luftës nga jashtë, nga PS-Soros e nga brenda, nga “varrmihës të mirëpaguar për varrosjen për së gjalli”, – të saj, miku im Eduard Ypi, i shfryu me të drejtë dhe bukur kritikat, zhgënjimin, përbuzjen, urrejtjen… ndaj tyre në gazetën “Panorama”, 30 maj 2024, në shkrimin e tij të këndshëm për “të majtët” dhe hidhërues për demokratët e të djathtët, me titullin shprehës “PD ka cof…!” Në të vërtetë, nëse gjykohet thellë e paanësisht, kjo cofje e PD nuk ka përse të gëzojë edhe “të majtët”.

Sepse, nënkupton apo mbart edhe cofjen e pluralizmit, të opozitarizmit, demokracisë e nga ana tjetër, plotpushtetizimin apo enverizimin, putinizimin, erdoganizimin… e Edi Ramës. Por, si njohës kohëgjatë nga brenda i PD-së dhe duke e konkretizuar këtë shkrim realist, gjykoj se ky proces cofjeje, fatmirësisht akoma jo 100% e jo përfundimtar, ka nisur qysh në ditën e lindjes së PD-së, kur nga Ramiz Alia dhe “duart e tij të shumta” u shtynë dhe u instruktuan të gjenin vende në të dyja krahët e Sali Berishës apo fare afër pas tij, këta “demokratë” dhe “gjuetarë” postesh dhe përfitimesh shumëformëshe… Cofja e PD-së u përshpejtua me ‘97-tën, më 2008, me firmën e Sali Berishës, pranë asaj të Edi Ramës për Kodin Zgjedhor, më 21 prill 2008; me skenarin “largpamës” të Gërdecit (15 mars 2008) dhe me skenarin tjetër “të suksesshëm” politikisht e të përgjakshëm, me 4 viktima të parallogaritura, të 21 janarit 2011…

Këto do t’i mundësonin dhe siguronin Edi Ramës fitoren dhe pushtetin në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 dhe në zgjedhje të tjera qendrore e lokale, allashqiptare, pas të cilave, sot mund të thuhet edhe se ai ka mundur të cofë PD, PS, pozitë, opozitë, sindikata, pavarësinë e drejtësisë e të shumicës së mediave, popull, Shqipëri…! Kjo gjendje mjerane e PD-së dhe kritike e vetë Berishës individualisht, i jep të drejtë, shtysë apo arsye Agron Shehajt, të mendojë, të ideojë dhe organizojë më 1 qershor 2024 në Pallatin e Kongreseve themelimin e një partie “të djathtë të vërtetë”…! Gjithsesi, duke i kujtuar Shehajt pozicionimin dhe qëndrimin konseguent të Tomor Alizotit, me shprehje fare të freskët e tejet emocionuese më 30 maj 2024, në fjalën e tij shoqëruar me lot zemre në Parlament, le të shprehemi fare hapur, si demokratë, me mendtë dhe zemrat tona e jo të “inteligjencës artificiale” apo të “miqve ndërkombëtarë”, të llojit apo soit Escobar… Përgjigja ime e sinqertë për ftesën e Agron Shehajt është: na duhet për sot, për nesër e për shumë vite 1 PD, unike e jo partiçka të reja, që nuk i duan dhe mbështesin as shqiptarët dhe as ndërkombëtarët.

Por, edhe që nuk do t’i lejojnë të rriten dhe fuqizohen, për të mos u cenuar elektorate, bastione, mandate as “e majta” dhe as e “djathta”, siç ka ndodhur edhe me partijëzat e hershme dalë nga PD e nga PS! Me respekt dhe dashamirësi, Agron Shehajt do t’i kujtoja se duke marrë vota vetëm nga e “djathta”, se të majtët, prej 80 vitesh “nuk bëjnë firo”, pa e dashur, ndihmon “të majtën”! Do t’i kujtoja gjithashtu se qenia biznesmen i suksesshëm nuk garanton në të gjitha rastet edhe sukseset si politikan dhe lider! Mundësia më e madhe e partisë që u poll dje, me shumë gjasa do të jetë një mandat deputeti vetëm për kryetarin! Prandaj, sipas gjykimit tim subjektiv, më e mira për atë, për PD, për të djathtën do të ishte qëndrimi në PD dhe angazhimi me demokratë dhe të djathtë të vërtetë për ta nxjerrë PD dhe opozitën nga fundi i humnerës ku e kanë gremisur Rama-Soros-qeveria dhe vetvetja!

Shqipërisë dhe shumicës së popullit e të demokratëve u duhet një Parti Demokratike, që të ketë një ekip drejtues të ri me nivel të lartë arsimor, kulturor, profesional, pjekurie politike dhe drejtuese, pa dosje gjyqësore në vend e nëpër botë, siç kanë disa deputetë dhe pushtetarë edramistë të dy sekseve. Njëherazi, edhe që të jetë e fortë, e qëndrueshme, e aftë për opozicion demokratik, rrotacion bartës e sjellës. Por, edhe për qeverisje shumë më të mirë, shumë më konstruktive, shumë më njerëzore, sociale, shumë më shqiptare e kombëtare se qeveritë e Ramarilindjes për mbi 10 vjet.

Nëse arrihen ribashkimi dhe unifikimi i PD-së, jam i mendimit subjektiv, duke befasuar e mërzitur plot mikesha e miq të mi berishianë e bashjanë, pa Sali Berishën e Lulzim Bashën dhe pa disa figura të tjera në të dy copat PD-së, “të vetëdjegur” nga gjëmat që i kanë bërë asaj, hapur apo duke “u puthur” fshehurazi me Edi Ramën, me Xhorxh e Alex Soros, me Donald Lu, Yuri Kim, McGonigal, Grenell, Palmer, Escobar…! Alternativa më e mirë do të ishte që në drejtimin e PD-së të jenë sa më shumë Arben Shehaj e Tomor Alizotë, të djathtë e demokratë të vërtetë! Pra, duke u çliruar PD nga “pengmarrja” prej atyre që hidhen karrige më karrige, ambasadë më ambasadë, “prehër më prehër”, që “e bombardojnë” Edi Ramën me kritika e akuza në Parlament e në media dhe “i puthin duart”, kur “u dhuron” leje ndërtimi, tendera, PPP…!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.