LAJMI I FUNDIT

Melorama

17:05 - 05.06.24 Arian Galdini
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Nga Arian Galdini
Erdhi Meloni dhe përqafoi Ramën dhe së bashku e tejkaluan melodramën dhe krijuan MeloRamën.
Dy Kryeministra që po u shfaqën së bashku në 5 qershor, për të na shfaqur vuajtjen e tyre, për të përballuar sulmet e kujtdo që kritikon apo kundërshton marrëveshjen e tyre për të administruar në Shëngjin dhe Gjadër vuajtjen e dhjetra mijëra emigrantëve.
Ndërsa ndiqja vuajtet dhe kujet e Edi Ramës dhe Melonit gjatë Konferencës së tyre të përbashkët për shtyp, mua zhbënë e mu fashitën të gjitha vuajtjet e emigrantëve nëpër Mesdhe a në Lampeduza.
Nuk e di pse për një hop fillova ti mendoja shumë cinikë emigrantët që pretendojnë vëmendje e duan protagonizëm me vuajtjet e tyre, teksa shihja këta dy Kryeministra që përqafonin e ngushëllonin njëri tjetrin në dhimbjet e vuajtjet e tyre të përbashkëta Kryeministrore.
Balta e Opozitës Italiane, mediave Italiane, ashtu sikurse balta e Opozitës shqiptare dhe mediave në Shqipëri mu shpërfaqën si tsunami krahasuar me dallgët e tërbuara të Mesdheut.
Akuzat e kritikat mbi Melonin dhe Edi Ramën mu dukën si luftanije bërthamore, përballë varkëzave e peshkarexhave me të cilat enden nëpër Mesdhe ata mijëra emigrantë.
Andaj, prej sot ju lutem, të mos flasim më për emigrantët, sepse Marrëveshja e Administrimit të vuajtjeve të tyre, u ka shkaktuar dhimbje e vuajtje sipërore këtyre dy viganëve politikë sikurse janë Meloni dhe Rama.
Heshtni të gjithë ju lutem.
Të heshtim të gjithë.
Mos mendoni më për emigrantët.
Mendoni për qetësinë, paqen dhe lumturinë e Edi Ramës dhe Giorgia Melonit.
Dhimbja e vuajtja e tyre ka tejkaluar sinoret politike, ka shkuar përtej të majtës dhe të djathtës.
Dhimbja e vuajtja e tyre ka krijuar një model të ri të Marrveshjeve për Administrimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve të emigrantëve, të cilën mund ta marrin e zbatojnë edhe të tjerë Kryeministra e të tjera Qeveri që duan ti kenë më të mëdha hallet e vuajtjet e tyre prej shtetarësh.
Prej sot, mbajeni shënim, melodrama është për të thjeshtit.
Prej sot për shtetarët nuk ka më melodrama por melorama.
Arian Galdini
 
 





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.