EKONOMI

Çdo vit po krijohen gjithnjë e më pak biznese të reja/ INSTAT: Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve më e ulëta që nga 2010-ta

07:43 - 07.06.24 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çdo vit po krijohen gjithnjë e më pak biznese të reja. Shkalla e lindshmërisë së ndërmarrjeve të reja (bizneset e reja si përqindje ndaj totalit të ndërmarrjeve aktive) në vitin 2023 ishte më e ulëta së paku që nga viti 2010 kur raportohet treguesi nga INSTAT.




Ndërmarrjet e reja që u hapen në vitin 2023 përbënin 10.5 % të ndërmarrjeve aktive në vend, rreth 130 mijë. Treguesi shënoi nivelin më të ulët që nga viti 2010 dhe ishte i njëjtë më vitin 2020 kur ekonomia ishte në krizë nga masat izoluese si rrjedhojë e pandemisë Covid-19.

Të dhëna më të detajuara tregojnë se, numri më i madh i ndërmarrjeve të reja vitin e kaluar ishte në sektorin e shërbimeve. Vitin e kaluar u çelën gjithsej rreth 13 mijë biznese të reja, ku 84% e tyre ishin në sektorin e shërbimeve dhe vetëm 16 për qind në sektorin e prodhimit.

Më zhvillimin e vrullshëm në sektorin e turizmit dhe nënçmimin e euros ka një transferim të ekonomisë nga prodhimi drejt shërbimeve. Kjo zhvendosje po reflektohet në uljen e eksporteve të mallrave dhe me uljen e konkurueshmërisë së prodhimit vendas me importin.

Rënia e euros, kostot më të larta të burimeve njerëzore dhe kërkesa e ulët nga jashtë i ka vënë në vështirësi prodhuesit shqiptarë.

Në përgjithësi kushtet fiskale dhe administrative mund të ndikojnë në një ritëm më të ulët të hapjes së bizneseve të reja dhe sidomos barra rregullatore që ka të bëjë me marrjen e lejeve dhe licencave.

Gjithashtu bizneset e reja janë të varur shumë burimet e njerëzore dhe aftësitë e tyre.

Ekonomia e Shqipërisë pas tre dekadash tranzicion po shkon drejt konsolidimit, në vend të njësive të vogla të shitjes me pakicë tani ka përqendrim në rrjetet e mëdha. Por në Shqipëri zhvillimet demografike po ushtrojnë presion të dyfishte në biznese.

Reduktimi i popullsisë dhe varësia ndaj moshave të vjetra po ndikon në një kërkesë më të ulët për mallra për bizneset e tregtisë. Nga ana tjetër bizneset në tërësi, por edhe ato të reja e kanë të vështirë të gjejnë punonjës për shkak të emigracionit të lartë te të rinjve.

Niveli i lartë i shkollimit dhe aftësitë e punës në popullatë mund të inkurajojnë hapjen e bizneseve të reja, të cilat mund krijojnë një mjedis më të favorshëm për sipërmarrjen dhe inovacionin.

Qarqet me emigracion të lartë dhe me popullsi më të plakur kishin uljen më të madhe të stokut të bizneseve vitin e kaluar sipas të dhënave të fundit të INSTAT./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.