OPINION

Konstitucionalizmi mjedisor dhe Kushtetuta shqiptare

09:31 - 07.06.24 NGA SOKOL BERBERI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA SOKOL BERBERI




Gjatë dekadave të fundit, vendet dhe shoqëritë në mbarë botën, po përballen me rreziqe në rritje të shkaktuara nga ndryshimet klimatike, nga kufizimi dhe varfërimi i burimeve natyrore dhe dukuritë e ndërlidhura midis tyre. Popullsitë në këto vende (popujt e këtyre vendeve) janë gjithnjë e më të vetëdijshëm për ndikimin që ka degradimi i mjedisit në cilësinë e jetës, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Për këtë arsye, krahas mekanizmave të parashikuara në të drejtën ndërkombëtare, ato po i drejtohen sistemeve kushtetuese të shtetit të tyre për të ofruar një mbrojtje më të fortë për mjedisin.

Konstitucionalizmi mjedisor presupozon pranimin e idesë se e drejta për një mjedis të shëndetshëm është një objekt i veçantë për t’u mbrojtur nga tekstet e kushtetutave dhe për t’u referuar e zbatuar nga gjykatat që kanë si funksion kontrollin kushtetues. Konstitucionalizmi mjedisor është relativisht një fenomen i ri ku ndërtakohen e drejta kushtetuese, e drejta ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe e drejta mjedisore. Ai po shfaqet në zhvillimin dhe fuqizimin e kulturave kushtetuese në të gjitha rajonet e botës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Aktualisht, kushtetutat e rreth tri të katërtave të shteteve në mbarë botën trajtojnë çështjet mjedisore në mënyra të ndryshme. Në lëvizjet e reformave kushtetuese të viteve 1980, ato u reflektuan dukshëm në kushtetutat e Amerikës Latine dhe që nga ajo kohë janë zgjeruar në ato kushtetuta. Ky zhvillim është përhapur në Europë, Lindjen e Mesme dhe në mbarë Azinë. Në vitet 1990, çështjet mjedisore u parashikuan edhe në kushtetutat e vendeve të ishBllokut Sovjetik. Që nga fillimi i këtij mijëvjeçari, rreth 22 vende kanë miratuar dispozita të reja ose të ndryshuara rishtazi për të drejtën mjedisore në kushtetutat e tyre.

Konstitucionalizmi mjedisor krijon garanci më të forta se mekanizmat e tjerë ligjorë, dhe vendos një kuadër ku duhet të harmonizohen politikat për mbrojtjen e mjedisit, të biodiversitetit, të interesave të brezave të ardhshëm me zhvillimet dhe sfidat ekonomike. Ai varion në nivel shtrirje dhe shfaqet në deklarimin dhe njohjen e të drejtave substanciale dhe procedurale, në parashikimin si objektiva, direktiva politike e sociale, ose kombinime të tyre. Disa dispozita kushtetuese parashikojnë rregullime specifike, si p.sh. për ujin e pijshëm, burimet natyrore, etj., ndërsa disa të tjera kanë karakter më të përgjithshëm duke vendosur përgjegjësinë ndaj burimeve natyrore ose ndaj brezave të ardhshëm, detyrimin për respektimin e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm apo për marrjen e masave kundrejt ndryshimit të klimës dhe ngrohjes globale.

Në këtë këndvështrim, ka dispozita kushtetuese të cilat janë hartuar për të mbuluar të drejtat specifike për një proces të rregullt në çështjet e mjedisit. Këto dispozita, si rregull, përfshijnë kërkesat për vlerësimin mjedisor, aksesin tek informacioni, të drejtën e peticionit/ankimit si dhe të drejtën për të marrë pjesë në procesin vendimmarrës. Një garanci kushtetuese në përfitim të mjedisit është më e mundur të gjejë zbatim kur përfituesit kanë të drejtën për të marrë informacion lirisht dhe në kohë të shpejtë, të marrin pjesë në shqyrtimin e çështjes, dhe të sfidojnë gjyqësisht vendimmarrjet që kanë implikime mjedisore. Parashikimi i detyrimeve për informim lidhur me çështjet mjedisore janë një risi moderne kushtetuese, kryesisht për shkak të Konventës së Aarhusit të vitit 1992 (OKB).

Shtrirja e konstitucionalizmit mjedisor është me efekt tektonik: ajo implikon shumicën çështjeve që ndikojnë në mirëqenien e njeriut. Këtu përfshihen të drejtat për jetë, dinjitet, jetë private, shëndet, ushqim, strehim, arsim, punë, status social-ekonomik, kulturë, mosdiskriminim, paqe, shëndet të fëmijëve dhe mirëqenie të përgjithshme. Shtrirja e madhe e konstitucionalizmit mjedisor ofron një vlerë kushtetuese komplekse dhe shumështresore. Ajo mund të kapërcejë disa nga ndarjet më të rrënjosura në të drejtën kushtetuese dhe atë ndërkombëtare.

Për të ilustruar në mënyrë konkrete zhvillimin e konstitucionalizmit mjedisor në Europë, po sjellim rastin e Gjermanisë, Francës, Kroacisë dhe Italisë, e cila amendoi Kushtetutën së fundmi.

Në Gjermani, në vitin 1994 është miratuar amendamenti/ neni 20/a në ligjin themeltar të shtetit (kushtetua federale), të cilit i është bërë një shtesë më pas në vitin 2002. Përmbajtja e kësaj dispozite është: “Shteti, me vetëdijen për përgjegjësinë e tij edhe ndaj brezave të ardhshëm, duhet të mbrojë themelet natyrore të jetës e kafshëve me legjislacion dhe, në përputhje me ligjin dhe drejtësinë, me veprime ekzekutive dhe gjyqësore, të gjitha këto në kuadrin e rendit kushtetues”. Kjo dispozitë deri në vitin 2021 nuk kishte shërbyer si bazë/standard kontrolli për Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë (GJKFGJ). Është vendimi i vitit 2021 (Neubauer dhe të tjerë k. Republikës Federale të Gjermanisë, 24 mars 2021), që pati një ndikim dhe një rezonancë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Gjermani, por në të gjitha vendet ku ushtrohet kontrolli dhe gjykimi kushtetues.

Në këtë çështje u kundërshtua ligji Federal për Ndryshimin e Klimës, 12 dhjetor 2019 (Bundes Klimaschutzgesetz) dhe u pretendua dështimi i shtetit për të marrë masa të mëtejshme për të reduktuar emetimet CO2 (GHG). GJKFGJ konkludoi se shteti gjerman nuk ka marrë masat e nevojshme e të mjaftueshme për të reduktuar efektin e gazrave serrë, sidomos për brezat pas vitit 2030. Ajo krijoi edhe një dimension të ri në jurisprudencën e saj: “Garancia ndërkohore e lirisë”. Sipas argumenteve të Gjykatës, nëse buxheti që lidhet me ndryshimet klimaterike do të harxhohet deri në vitin 2030, kjo do të krijojë një barrë më të madhe për brezat pas vitit 2030, gjë e cila mund të rezultojë në kufizimin e lirisë së brezave të ardhshëm. Pothuajse të gjithë ekspertët e kanë konsideruar këtë si një vendim historik me shumë ndikim edhe për gjykatat ndërkombëtare, siç është edhe rasti i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Në Francë, në vitin 2005 Parlamenti francez miratoi Kartën për të Drejtat e Mjedisit, duke i dhënë vlerë kushtetuese dhe duke e përfshirë në preambulën e Kushtetutës franceze, e cila referon te Deklarata e të Drejtave të Njeriut (1789). Karta e të Drejtave Mjedisore shërben si bazë për Këshillin Kushtetues francez në shqyrtimin e ligjeve që implikojnë çështjet e mjedisit. Qëllimi i Kartës është të vendosë mbrojtjen e së drejtës së mjedisit në kushte të barabarta me të drejtat e tjera të mbrojtura me Kushtetutë, pasi megjithëse kjo e drejtë gëzonte mbrojtje kushtetuese në një farë mase edhe më herët, Karta shpalli shprehimisht statusin kushtetues të mbrojtjes së mjedisit duke sinjalizuar rëndësinë themelore dhe të padiskutueshme të tij.

Kushtetuta kroate (1990) reflekton standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit dhe konsiderohet një kushtetutë ‘green’. Sipas nenit 3 të kësaj Kushtetute, ruajtja e natyrës dhe mjedisit, parashikohet si një nga vlerat më të larta të rendit Kushtetues: “Liria, të drejtat e barabarta, barazia kombëtare dhe gjinore, krijimi i paqes, drejtësia sociale, respektimi i të drejtave të njeriut, pacenueshmëria e pronësisë, ruajtja e natyrës dhe mjedisit, shteti i së drejtës dhe një sistem demokratik shumëpartiak janë vlerat më të larta të rendit kushtetues të Republikës së Kroacisë”. Në funksion të mbrojtjes së mjedisit, në 2001, është amenduar dhe neni 70 i Kushtetutës, i cili ka këtë përmbajtje: “Çdo njeri ka të drejtën për një jetë të shëndetshme. Shteti duhet të sigurojë kushtet për një mjedis të shëndetshëm. Kushdo, brenda fushëveprimit të kompetencave dhe aktiviteteve të tij, duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë mbrojtjes së shëndetit të njeriut, natyrës dhe mjedisit njerëzor”.

Në Itali, në 8 shkurt 2022, për herë të parë që nga viti 1948, është miratuar reforma për pjesën e parë të Kushtetutës italiane, e cila synon një mbrojtje më të fortë dhe më të qartë për mjedisin, si për brezat e sotëm ashtu edhe në interes të brezave të ardhshëm. Kjo reformë kushtetuese është miratuar nga Dhoma e Deputetëve me një shumicë prej 2/3 të të gjithë anëtarëve të saj. Dy ndërhyrjet janë në nenet 9 dhe 41 të Kushtetutës italiane. Përmbajtja e ndryshimeve është: “Republika mbron mjedisin, biodiversitetin dhe ekosistemet; në interes të brezave të ardhshëm, gjithashtu, ligji i shtetit rregullon mënyrat dhe format e mbrojtjes së kafshëve. … Ligji përcakton programet dhe kontrollet e duhura në mënyrën e aktivitetit ekonomik dhe privat ku mund të drejtohet dhe koordinohet për qëllime sociale dhe mjedisore.”

Le të kalojmë në prezantimin e mbrojtjes së mjedisit sipas Kushtetutës shqiptare, të miratuar në nëntor të vitit 1998. E drejta për një mjedis të shëndetshëm nuk parashikohet si një e drejtë e veçantë, në kuptimin substancial. Neni 56, në formën e një të drejte dhe garancie procedurale, përcakton se: ‘Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij’. Ky parashikim reflekton idenë qendrore të Konventës së Aarhusit, siç u përmend më sipër. Në nenin 59, ku parashikohen ‘Objektivat sociale”, përmenden dy koncepte të rëndësishme siç janë mbrojtja e mjedisit edhe në interes të brezave të ardhshëm dhe parimi i zhvillimit të qëndrueshëm. Sipas shkronjave “d” dhe “dh” të kësaj dispozite: ‘shteti brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si edhe në plotësim të nismës dhe përgjegjësisë private, synon një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm; shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm”. Këto janë objektiva që duhet të reflektohen edhe në politikat e zhvillimit dhe legjislacionin përkatës, por ato nuk mbrohen në mënyrë gjyqësore sepse në paragrafin e dytë të nenit 59 thuhet: “objektivat nuk mund të kërkohen në rrugë gjyqësore”. Ndoshta ky është kufizimi që e dobëson apo nuk krijon një garanci dhe një mbrojtje të fortë në Kushtetutën tonë për të drejtën e mjedisit, sidomos nga pikëpamja substanciale.

Është korrekte të pranohet se mbrojtja kushtetuese e mjedisit, më shumë sesa nga parashikimet specifike të përmendura më lart, ofrohet nga instrumentet ndërkombëtare, të cilat imponohen nga Kushtetuta shqiptare për t’u zbatuar në sistemin tonë të brendshëm ligjor. Në këtë drejtim, në radhë të parë, duhet të evidentohet detyrimi për zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të jurisprudencës përkatëse të GJEDNJ-së, sipas neneve 17/2 dhe 122 të Kushtetutës. Këtë qëndrim e ka evidentuar edhe Gjykata Kushtetuese në një nga vendimet e fundit, ku për herë të parë është ngritur pretendimi për cenimin e të drejtës për një mjedis të shëndetshëm (vendimi nr.3/ 2024). Sipas saj – edhe pse të drejtat për një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm kanë të bëjnë me objektivat sociale të parashikuar nga neni 59 i Kushtetutës – ajo vlerëson pretendimet në lidhje me to, në këndvështrim të së drejtës ndërkombëtare të ratifikuar dhe detyrimeve që rrjedhin ndaj shtetit shqiptar, sipas nenit 122 të Kushtetutës. Për më tepër, GJK-ja thekson se edhe në trajtimin konventor KEDNJ-ja nuk i ka parashikuar ato si të drejta më vete, por janë trajtuar në jurisprudencën e GJEDNJ-së të ndërlidhura me të drejta të tjera të parashikuara në të.

Nga prezantimi më sipër shtrohet pyetja: Sipas Kushtetutës shqiptare, a garantohet në nivelin e duhur mbrojtja kushtetuese e të drejtës për një mjedis të shëndetshëm, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke pasur parasysh sfidat aktuale që imponojnë ndryshimet klimatike dhe rreziqet e shtuara për degradimin e mjedisit? Mendojmë se përgjigjja është jo. Konteksti në të cilin u hartua dhe u miratua Kushtetuta në vitit ’98 është i njohur. Si një Kushtetutë post-komuniste, natyrshëm i është dhënë përparësi garancive për pronën private, lirinë ekonomike, tregut të lirë, procesit për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve dhe zhvillimit ekonomik. Nëse do t’i referohemi nenit 11, që lidhet me lirinë ekonomike, fillimisht përmendet prona private, më pas ajo publike: “prona private, prona publike mbrohen në mënyrë të barabartë”. Te neni 3, që lidhet me bazat e shtetit, përmendet trashëgimia kombëtare, por nuk përmenden mjedisi dhe burimet natyrore si një vlerë bazë. Ndoshta sepse shqetësimet mjedisore në Shqipëri, në periudhën e viteve ’90, nuk ishin kaq eminente siç janë sot. Fokusi ishte se si do të fuqizohej individi, prona private dhe sipërmarrja. Imponimi që vjen nga e drejta ndërkombëtare në këtë drejtim nuk mjafton.

Gjatë dekadave të fundit në vendit tonë, për shkak edhe të kohës së shkuar dhe të humbur, interesat legjitime afatshkurtër të sipërmarrjes dhe të zhvillimit ekonomik, jo rrallë herë kanë lënë në hije apo kanë injoruar interesin për mbrojtjen e mjedisit dhe të burimeve natyrore. Është momenti që edhe shoqëria shqiptare të iniciojë një proces për t’u ballafaquar me tranzicionin ekologjik dhe për t’u vetëdijësuar mbi domosdoshmërinë që ka harmonizimi i zhvillimit ekonomik me mbrojtjen e së drejtës për mjedis të shëndetshëm, për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke e njohur si një dimension dhe vlerë themelore të shtetit tonë. Dhe kjo, sipas modeleve që na ofrojnë kushtetutat kroate dhe italiane, realizohet duke amenduar Kushtetutën, si garancia më e lartë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.