Kosova

Kosova, në “kurthin” e importeve të larta! Si po ulet varësia nga Serbia dhe potencialet për zhvillim nga Trepça te prodhimet bujqësore

07:37 - 08.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Volumi tregtar i Kosovës është rritur me mbi 200% nga shpallja e pavarësisë më 2008, por 87% e vlerës përfaqësohet nga importet. Në vitin 2023, importet ishin 7 herë më të larta se eksportet, kurse deficiti tregtar shënoi përkeqësim të mëtejshëm. Struktura e prodhimit është e dobët dhe eksportet përfaqësohen kryesisht nga lëndët e para. Ekspertët mendojnë se konfliktet politike me Serbinë kanë lënë në hije zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, pas pandemisë, struktura e eksporteve po ndryshon nga mineralet drejt mallrave të përpunuara. Si po ulet varësia nga Serbia dhe potencialet për zhvillim nga Trepça te prodhimet bujqësore.




Volumi tregtar i Kosovës me jashtë vendit është përmirësuar dukshëm që nga shpallja e pavarësisë në 2008, por vlera e importeve ishte afërisht 7 herë më e lartë se e eksporteve më 2023, me përkeqësim në raport me 2022, çka tregon se vendi nuk po shfrytëzon potencialet që zotëron për rritjen e prodhimit.

Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, ka pasuri nëntokësore, tokë pjellore dhe kapacitete për të rritur prodhimin e energjisë së pastër, por në krahun tjetër mungojnë politikat dhe mbështetja e duhur politike dhe financiare për t’i zhvilluar më tej këto mundësi.

Gjatë viteve të fundit, zhvillimet politike në vend kanë lënë në hije aspektin ekonomik, tha Mustafë Kadriaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Ekonomistët e pohojnë se vitet e fundit e gjithë energjia e qeverisë dhe politikës në përgjithësi është fokusuar te mosmarrëveshjet me Serbinë dhe çështjet që kanë të bëjnë me ekonominë e brendshme kanë mbetur pas.

Vetëm mineralet e Trepçës kanë tre të katërtat e elementeve të tabelës së Mendelejevit. Nëse mineralet nuk do të shiteshin si nxirren nga toka por të përpunohen, vlera eksporteve prej tyre do të ishte 30 herë më e lartë, – thotë profesori i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai vuri në dukje se Kosova është një importues neto i energjisë, teksa nuk po shfrytëzon burimet e mëdha natyrore në ujë dhe qymyr, erë dhe diell për të prodhuar energjinë që i nevojitet konsumit vendas.

Të dhënat zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në vitin 2023, eksportet e Kosovës në vlerë ishin 863 milionë euro, me rënie 6.2% në krahasim me vitin 2022, ndërsa importet shënuan rritje me 4.8% për të njëjtën periudhë, duke ndikuar në zgjerimin e deficitit tregtar me rreth 10% në një vit.

Pas pandemisë Covid-19 në vitin 2020, struktura e eksporteve ndryshoi. Grupi i mobilieve dhe dyshekëve kryesoi vlerën e eksporteve me mbi 155 milionë euro, duke lënë në vendin dytë mineralet, që historikisht ka qenë grupi i parë.

Mosmarrëveshjet me Serbinë duket se kanë ndikuar edhe në tregtinë e jashtme të Kosovës, duke bërë që importet nga ky vend të pësojnë rënie me 37% ndërmjet 2021 dhe 2023.

Por ekspertët theksojnë se më shumë ka një ndërgjegjësim të konsumatorëve në Kosovë për të mos konsumuar mallra nga Serbia se sa ndryshim i politikave.

Që nga pavarësia, volumi tregtar dyfishohet, por 87% e tregtisë është import

Volumi i tregtisë së jashtme të Kosovës arriti në 6,7 miliardë euro në vitin 2023 nga 2,1 miliardë euro në vitin 2008, kur u shpall pavarësia.

Në 15 vjet, volumi tregtar është rritur me 218%, por pjesën më të madhe e zënë importet, të cilat dominojnë 87% të volumit tregtar me vlerë 5,9 miliardë euro në vitin 2023.

Vitin e kaluar, eksportet arritën në 863 milionë euro me rritje 273% në krahasim me vitin 2008, teksa ranë me 6% në raport me vitin paraardhës. Importet arritën në 5,9 miliardë euro me rritje 204% nga viti 2008 dhe 4% në raport me 2022-n.

Në 15 vitet e fundit, eksportet janë rritur me ritme më të larta se importet, për shkak të bazës së ulët të tyre, teksa vitin e fundit u shënua përkeqësim. Gjatë dhe pas pandemisë, eksportet e Kosovës në shtetet e tjera u rritën me ritme më të larta deri më 2022. Më 2020, rritja ishte 24%, më 2021 mbi 59%, më 2022 rreth 22%, teksa vitin e kaluar, nisi rënia.

Prishja e zinxhirëve të furnizimit gjatë pandemisë rriti kërkesën për mallra të Europës nga vendet e Ballkanit, e cila u nxit më tej nga lufta në Ukrainë, që ndikoi në rritjen e çmimeve të mallrave dhe në vlerën e eksporteve të Kosovës.

Pas stabilizimit të çmimeve në tregjet ndërkombëtare vitin e kaluar për të njëjtat mallra të eksportuar, Kosova mori më pak vlera monetare.

Në vitin 2023, volumet më të larta të tregtisë Kosova i kreu me Turqinë dhe Shqipërinë, kurse në vitin 2018, Serbia ishte partneri kryesor tregtar.

Vitin e kaluar, importet ishin 6.8 herë më të larta se eksportet, ndërsa në vitin 2008, importet ishin 9.7 herë më të larta, duke treguar për një ngushtim të lehtë të diferencës që kur vendi shpalli pavarësinë.

Mustafë Kadriaj, profesor i ekonomisë, thotë se Kosova ka bërë hapa para në aspektin ligjor dhe të logjistikës. Vendi ka një kuadër ligjor favorizues, pasi ka firmosur marrëveshjet e tregtisë së lirë me BE dhe është pjesë e CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet e Europës Qendrore).

Gjithashtu, qeveritë ndër vite në Kosovë kanë investuar në zhvillimin e infrastrukturës rrugore për të nxitur qarkullimin e mallrave me kosto të ulët. Tashmë, vendi lidhet me autostradë me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

Por zoti Gërxheliu thotë se nuk është bërë shumë në drejtim të përmirësimit të mjedisit të biznesit dhe aplikimin e një modeli ekonomik që të nxisë prodhimin vendas dhe eksportet.

Ndryshon struktura e eksportit, dyshekët dhe mobiliet zhvendosin mineralet

Me gjithë luhatjet, eksportet e Kosovës drejt vendeve të tjera kanë qenë në trend rritës në dekadën e fundit. Zhvillimet pozitive lidhen me ndryshimet e strukturës së eksporteve, të cilat po zhvendosen nga lëndët e para drejt mallrave të përpunuar.

Deri në vitin 2021, në krye të listës së eksporteve për nga vlera ishte hekuri dhe çeliku dhe lëndë të tjera të nëntokës.

Por në tre vitet e fundit, në krye të listës është zhvendosur eksporti i dyshekëve, mobilieve dhe krevateve dhe janë kryesisht kontribut i kompanisë Devolli, një ndër korporatat kryesore në Kosovë.

Në vitin 2020, bllokimi i eksporteve nga Kina edhe për shkak të pandemisë ka rritur kërkesën për mallra në Kosovë dhe sidomos për pajisjet e shtëpisë, të cilat gjetën konsum të lartë gjatë pandemisë.

Eksportet e këtij grupi nga viti 2003 në vitin 2019 u rritën me 175%. Siç shihet, eksportet e Kosovës po zhvendosen nga lëndët e para të nëntokës në artikujt e përpunuar.

Kontributin kryesor në grupin e mobilieve dhe dyshekëve e ka dhënë kompania “Devolli”, e cila nëpërmjet linjës “Comodita Home” po përhapet me shpejtësi në rajon dhe më gjerë.

Pas mobilieve, krevateve dhe dyshekëve, produktet që kryesojnë eksportet për nga vlera janë giza, çeliku, plastikat, artikujt prej hekuri dhe pijet, të cilat ndiqen sërish nga mineralet dhe përbërjet e tyre.

Partneri kryesor për eksportet në vitin 2023 ishte Maqedonia e Veriut me 14% të totalit dhe më pas Shqipëria, me 13.3% të totalit.

Eksportet e Kosovës kryesisht kanë destinacion vendet e rajonit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin partneri i tretë tregtar në vitin 2023, me rreth 106 milionë euro.

Eksportet e Kosovës në SHBA përfaqësohen nga linja e furniturës për shtëpi, teksa vlera e tyre u rrit në mënyrë të ndjeshme pas pandemisë. Ndërmjet 2019 dhe 2023, vlera e eksporteve në SHBA u rrit me më shumë se 4 herë. Partnerë të rëndësishëm në eksporteve mbeten Gjermania, Zvicra, Serbia, Mali i Zi dhe Italia.

Zoti Kadriaj tha se, qeveria aktuale është në fund të mandatit dhe ende nuk i ka identifikuar sektorët që mund të rrisin volumet dhe vlerën e eksporteve dhe për rrjedhojë nuk ka siguruar mbështetje ndaj tyre.

Sipas tij, zhvillimet në sektorin e biznesit po tregojnë se ka potencial të lartë. Eksportet e mobilieve dhe dyshekëve nëpërmjet “Comodita Home” dhe “Golden Eagle” tregojnë se si dy marka vendase ia kanë dalë të prezantohen në tregje me kualitet të lartë konsumi të tilla si SHBA.

Struktura e eksporteve të Kosovës tregon për një ekspozim të lartë në pak kompani. Pothuajse 40% e eksporteve në vlerë realizohen nga vetëm dy kompani. Një paqëndrueshmëri e mundshme e tyre ndikon shumë negativisht në bilancin tregtar të vendit me jashtë.

Importet dominojnë konsumin

Ekonomia e Kosovës ka varësi të lartë në mallrat e importit të cilat dominojnë konsumin në vend. Importet në vlerë janë sa rreth 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe pas shpalljes së pavarësie në vitin 2008 kanë shënuar rritje të dukshme.

Vlera e mallrave të importuara arriti në 5,9 miliardë euro në vitin 2023, duke u trefishuar që nga shpallja e pavarësisë. Kulmi arriti në vitin 2021, ku kërkesa pas pandemisë rriti vlerën e importeve në një vit, me rreth 50%.

Bilanci tregtar u përkeqësua më tej në vitin 2023, kur eksportet në vlerë pësuan rënie me 6%, teksa importet vijuan trendin rritës me rreth 5%.

Mallrat me vlerën më të lartë të importit janë lëndët djegëse, që përfaqësohen nga hidrokarburet, të cilat zënë 9% të vlerës totale të importit, të ndjekura nga mjetet e transportit me 7.5% të importeve në vlerë, duke vijuar me makineritë, plastikat, hekuri etj.

Në vitin 2023, Turqia ishte partneri kryesor i Kosovës për importe. Mallrat nga ky vend realizuan 13,2% të vlerës totale të importeve, e ndjekur nga Gjermania, me të cilën u realizuan 11.4% të importeve në vitin 2023, Kina me 9,9% të importeve totale, Shqipëria me 5.2%, Greqia me 5%.

Mosmarrëveshjet, ulin varësinë e furnizimeve nga Serbia

Dialogu Serbi – Kosovë ka krijuar më shumë mosmarrëveshje se sa dakordësi, duke ndikuar negativisht në tregtinë ndërmjet dy vendeve. Në vitin 2023, Serbia u rendit e teta si partneri tregtar në importe, ndërsa në vitin 2018, partneri i kryesor tregtar për importet.

Në vitin 2023 u importuan nga Serbia 192 milionë euro mallra nga 372 milionë euro në 2022, me rënie vjetore 48%. Për shkak të lidhjeve të hershme tregtare që buronin nga ish-Jugosllavia, Serbia ka qenë furnitori kryesor i Kosovës në shumicën e mallrave të konsumit.

Mirëpo mosmarrëveshjet e viteve të fundit dhe sidomos më 2023 kanë bërë që Serbia të humbasë tregun e Kosovës. Ekspertët vendas mendojnë se një pjesë e kësaj rënie vjen prej konsumatorëve, të cilët kanë bojkotuar konsumin e mallrave nga Serbia.

Kontributin për uljen e importeve nga Serbia e ka dhënë vënia e një tarife të përkohshme 100% në vitin 2018 për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. Edhe pas heqjes së saj, tregtia u shkëput dhe mallrat serbë humbën një pjesë të mirë të tregut të Kosovës.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë analizon se varësia në importe vjen prej bizneseve që kryesisht janë të reja dhe të brishta, pa përvojë dhe njohuri për të rritur prodhimin. Sektori prodhues është pak i zhvilluar dhe ka një gamë të ngushtë artikujsh që nuk plotësojnë nevojat e konsumit.

Nuk ka studime dhe strategji të cilat të lidhin nevojat e konsumit me prodhimin. Përveç artikujve industrialë, Kosova ka varësi të madhe në mallrat e importuara nga vendet e CEFTA-s dhe BE-së, edhe në ato të shportës siç janë pijet, mishi, vezët etj.

Ministria e Industrisë dhe Tregtisë referon se bilanci tregtar i vendit mund të përmirësohet nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit rajonal. Tregjet rajonale janë thelbësore për shfrytëzimin e ekonomive të shkallës dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.

Tregu i eksportit në Kosovë kufizohet vetëm në disa produkte, të cilat reflektohen në kapacitet të ulët eksportues.

Studimet kanë treguar se rënia prej 10% e kostove të bizneseve të reja mund të rrisë me 3-4% diversitetin e eksportit dhe 5% vlerën e eksporteve.

Trepça, një mundësi e nënshfrytëzuar

Miniera e Trepçës ka qenë krenaria e eksporteve të ish-Jugosllavisë para viteve 1990. Miniera, e cila është nga më të rrallat në Europë për nga burimet e shumta të mineraleve, është e nënshfrytëzuar, me teknologji të vjetër dhe me rezultat financiar negativ.

Trepça është në pronësi të shtetit dhe ende nuk po zbatohet një plan për të rinovuar teknologjinë e saj, teksa qeveritë në Kosovë nuk kanë aplikuar forma koncesioni, në mënyrë që të mund të përshtatet prodhimi me kërkesat e kohës.

Në këtë situatë, mineralet që nxirren nga Trepça në pjesën dërrmuese shiten të papërpunuara, me vlerë shumë ulët.

Vitin e kaluar, eksportet e xeherorëve arritën në 26 milionë euro, por ekspertët vendas pohojnë se investimet në rivitalizimin e Trepçës mund ta çojnë vlerën e tyre në mbi 1 miliard euro në vit.

Aktualisht Trepça është në pronësi shtetërore dhe me një seri problematikash për t’u zgjidhur, që nga kuadri ligjor, mënyra e menaxhimit, teknologjia e vjetruar, problemet me mjedisin etj.

Qeveria e Kosovës e subvencionon çdo vit ndërmarrjen me shuma që arrijnë deri në 3 milionë euro.

Nga ana tjetër, ekspertët pohojnë se, qeveritë e Kosovës ndër vite nuk i dhanë mbështetjen e duhur minierës. Një studim fizibiliteti për rivitalizimin e saj u prezantua që në vitin 2014, por nuk ka gjetur zbatim.

Ferit Shala, inxhinier me përvojë në studimin e tij të posaçëm për Trepçën, sugjeron se e ardhmja e minierës duhet të bazohet në prodhimin e metaleve dhe elementeve të rralla; në prodhimin e plehrave bujqësore me kualitet të lartë; në transformimin dhe përdorimin e metaleve në elektronikë dhe në fushën e mbrojtjes; si dhe vënies në funksion të teknologjisë së riciklimit.

Nga minierat e Trepçës, para viteve 1990, produktet kryesore ishin xeherorët dhe koncentrati i plumbit dhe zinkut, plumbi i rafinuar dhe aliazhe të plumbit, argjend, ari, bismut, zink elektrolit dhe kadmium, acid sulfurik, acid fosforik, plehra superfosfate.

Në njësitë e përpunimit prodhoheshin akumulatorë, bateri nikel-kadmiumi, municion të gjuetisë, gypa dhe tel plumbi, llamarinë të zinkuar dhe produkte prej llamarinës, vagoneta, elektrolokomotiva, pajisje dhe pjesë rezervë për metalurgji dhe e produktet të tjera.

Studimi i ekspertit Shala rekomandon se fokusi i ndërmarrjes Trepça duhet të jetë në nxjerrjen dhe përpunimin e mineraleve, për të cilat tregu ndërkombëtar ofron çmime të larta.

Në dekadën e fundit, eksportet e xeherorëve i kanë siguruar vendit vetëm 20-25 milionë euro në vit, por sikur miniera të vihej vetëm më gjysmën e kapacitetit të para viteve 1990, të ardhurat nga shitja e mineraleve të saj mund të arrinin deri në 1 miliard euro, thekson ekspertiza vendase.

Ekspertët e ekonomisë bëjnë me faj qeveritë në Kosovë, të cilat nuk janë treguar profesioniste në menaxhimin ekonomik, duke lënë vendin me deficitin më të lartë tregtar në rajon.

Pengesat

Ashtu si edhe Shqipëria, eksportet e Kosovës ende mbizotërohen nga lëndët e para, të cilat shiten me vlerë të ulët në tregjet ndërkombëtare e për rrjedhojë, sigurojnë fitime të ulëta për ekonominë e vendit.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka vlerësuar se vlera e ulët eksporteve dhe deficiti i lartë tregtar janë pasojë e një sektori të dobët të prodhimit. Kompanitë e Kosovës ende nuk janë në gjendje të konkurrojnë në tregjet globale me një gamë të gjerë të produktesh.

Procesi i privatizimit nuk ka qenë në gjendje të rigjallërojnë sektorin, teksa kanë munguar investimet e huaja cilësore në prodhim. Nga ana institucionale, qeveritë nuk kanë mundur të ofrojnë një kuadër ligjor transformues dhe të përmirësojnë klimën e biznesit me fokus prodhimin dhe eksportet. Veç këtyre zhvillimeve, Kosova ka progres kufizuar në inovacionin.

Shumë kompani kanë vështirësi të gjejnë punonjës të rinj, kryesisht për shkak të përvojës ose aftësive të pamjaftueshme. Mungesa e specialistëve të kualifikuar në marketing, shitje dhe dizajn e bën më të vështirë konkurrencën në tregjet e eksportit.

Për më tepër, kostoja e lartë dhe cilësia e ulët e infrastrukturës, mjedisi rregullator, si dhe furnizimi fizik me energji elektrike, lidhja fizike dhe interneti dëmtojnë konkurrencën e firmave, veçanërisht në tregjet e eksportit.

Vështirësitë në zhvillimin e produkteve të reja kufizojnë aftësinë e bizneseve për të konkurruar në tregjet e eksportit. Bizneset e Kosovës gjithashtu kanë mungesë të njohurive për tregjet e eksportit dhe nuk kanë strategji të promovimit të eksportit.

Një pengesë e madhe ka qenë edhe regjimi i vizave me BE-në që e ka bërë shumë të vështirë lëvizjen e lirë të kompanive dhe individëve.

Kosova ka popullsinë më të re në Europë dhe mungesa e lirisë së lëvizjes, për shkak të kufizimeve nga vizat, është perceptuar si pengesë e konsiderueshme. Për të rinjtë, në veçanti kompanitë, mungesa e vizave ka krijuar vështirësi për të marrë pjesë në panaire ndërkombëtare dhe për të përfituar nga kualifikimet dhe trajnimet e të rinjve jashtë vendit.

Barrierat jotarifore janë një arsye tjetër për nivelin më të ulët të eksporteve. Kompanitë përballen rregullisht me barriera që pengojnë shitjen e mallrave në tregjet e tjera.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë analizon se vendet e CEFTA-s kanë vendosur rregullisht barriera ndaj produkteve bujqësore ashtu edhe ndaj produkteve jobujqësore të eksportuara nga Kosova.

Përveç kësaj, çështja e tranzitit nëpër territorin e disa prej vendeve të CEFTA-s është bërë çështje problematike për importet apo eksportet pas hyrjes në fuqi të CEFTA-s.

Barrierat që përdoren janë të natyrave të ndryshme, por si pengesa më të mëdha shihen, barriera teknike ndaj tregtisë dhe standarde/masa sanitare dhe fitosanitare.

Sipas studimit të Bankës Botërore, eksportuesve nga Kosova iu duhen pothuajse dy ditë (42 orë) për t’i përmbushur kërkesat kufitare dhe 1.5 ditë të tjera (38 orë) për t’i përmbushur kërkesat dokumentare në krahasim me mesataren prej 7 orë dhe 3.8 orë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Bizneset e Kosovës duhet të paguajnë 222 euro për eksport në krahasim me një mesatare prej 60 eurosh nga vendet tjera të CEFTA-s.

Mundësitë për rritjen e eksporteve

Kosova ka mundësi të rrisë eksportet në shumë sektorë, por fitimet më të mëdha do të ishin në rritjen e kapaciteteve prodhuese në energji. Dihet tashmë se energjia është një artikull me konsum të gjerë që kushton.

Zoti Gërxhaliu thotë se Kosova është një importues neto i energjisë, teksa ka burime që nuk i shfrytëzon.

Kosova ka mundësi të rrisë prodhimin e energjisë nga era, dielli, uji dhe qymyri, por qeveritë në vite nuk e kanë marrë mundimin të aplikojnë politika pro prodhimit, tha ai. Rritja e kapaciteteve në prodhimin e energjisë do të ulte ndjeshëm varësinë e Kosovës nga importet dhe do të përmirësonte deficitin tregtar.

Z.Gërxhaliu thotë se eksportet e Kosovës mund të rriten duke shfrytëzuar më mirë burimet natyrore të vendit. Kjo do të ndodhë duke mbështetur zinxhirin përpunues të prodhimeve vendase në Kosovë, tha ai.

Zhvillimi i zinxhirëve të përpunimit do të ndikojë pozitivisht në rritjen e punësimit në vend, përfitimet buxhetore do të jenë më të larta nga taksat dhe vlera e eksportit të mallrave që shiten jashtë Kosovës do të jetë më e lartë.

Eksperti Kadriaj mendon se zhvillimet në sektorin e biznesit po tregojnë se ka potencial të lartë për eksportet e mobilieve dhe dyshekëve. “Comodita Home” dhe “Golden Eagle”, dy marka vendase, ia kanë dalë të prezantohen në tregje me kualitet të lartë konsumi të tilla si SHBA.

Zoti Kadriaj konsideron me potencial eksportues sektorin e industrisë ushqimore, i cili është gjithnjë e në rritje. Zhvillimet e fundit po tregojnë se investimet në zinxhirin e industrisë përpunuese po ndryshojnë për mirë strukturën dhe vlerën e eksporteve.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë analizon se eksportet e vendit mund të përmirësohen, duke investuar në përpunimin e produkteve në të gjithë sektorët dhe sidomos në industrinë ushqimore, ku Kosova thuajse importon të gjitha mallrat e përpunuara.

Ulja e barrierave tarifore dhe jotarifore dhe rritja e bashkëpunimit rajonal mund të ndikojë pozitivisht.

Mbështetja e sektorit prodhues dhe investimet në inovacion mund të sjellin përmirësim. Gjithashtu, një lidhje më e mirë e tregut të punës me arsimin mund të rrisë larmishmërinë e bazës së prodhimit dhe mund të ulë varësinë nga importi./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.