BOTA

Grupet e armatosura palestineze e autoritetet izraelite kanë kryer krime lufte! Ja çfarë zbulon hetimi i OKB-së

19:23 - 12.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekspertë të të drejtave të njeriut, të angazhuar nga Kombet e Bashkuara, theksojnë në një raport të publikuar të mërkurën, se forcat izraelite dhe militantët palestinezë kanë kryer dhunë seksuale dhe me bazë gjinore në tre muajt e parë të konfliktit, që filloi më 7 tetor të vitit të kaluar.




Ekspertët e pavarur ofrojnë një pasqyrë të detajuar të ngjarjeve që kryesisht janë botuar në media. Ata po ashtu theksojnë se Izraeli dhe militantët palestinezë kanë kryer krime lufte, ndërkohë që Izraeli ka kryer edhe krime kundër njerëzimit. Raporti përqëndrohet në periudhën mes sulmit të 7 tetorit dhe fundit të vitit të kaluar.

Izraeli, i cili ka refuzuar të bashkëpunojë me këtë zyrë të Kombeve e Bashkuara, të cilën e akuzon për njëanshmëri kundër tij, i hodhi poshtë akuzat.

Raporti rendit një mori pretendimesh për shkelje të të drejtave dhe krimeve të kryera nga dyja palët. Në të thuhet se forcat izraelite kryen akte të tilla si uria e detyruar, vrasje të qëllimshme, dënime kolektive dhe sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe se krahu ushtarak i Hamasit dhe grupe të tjera militante kanë kryer vrasje të qëllimshme dhe keqtrajtim të civilëve dhe janë angazhuar në rrëmbime e marrje pengjesh.

Këto gjetje u publikuan ndërkohë që konflikti hyri në muajin e nëntë, me pak shenja se përfundimi i tij është i afërt.

Raporti thotë se frekuenca, shkalla e përhapjes dhe ashpërsia e krimeve seksuale dhe atyre me bazë gjinore kundër palestinezëve nga forcat izraelite gjatë kësaj periudhe në fund të vitit të kaluar lenë të kuptohet se format e një dhune të tillë “janë pjesë e procedurave operacionale të forcave izraelite.”

Ndonëse përmend mohimin e akuzave të krahut ushtarak të Hamasit ndaj akuzave për dhunë seksuale ndaj grave izraelite, raporti thekson se ekspertët dokumentuan “raste që tregojnë për dhunë seksuale” ndaj grave dhe burrave në afërsi të vendit ku u mbaj festivali muzikor, tek një postbllok ushtarak dhe në disa vendbanime izraelite të cilat u sulmuan nga militantët.

Ky grup ekspertësh është mbledhur në vitin 2021 nga Këshilli i OKB-së për të Drejta të Njeriut për të hulumtuar abuzimet dhe shkeljet e të drejtave në Izrael dhe në zonat palestineze të kontrolluara nga ai. Grupi i ekspertëve udhëheqet nga Navi Pillay, ish drejtuese e OKB-së për të drejtat e njeriut. Ata janë ekspertë të pavarur dhe nuk flasin në emër të OKB-së. Izraeli refuzon të bashkëpunojë me ta.

Misioni diplomatik i Izraelit në Gjenevë u përgjigj ndaj raportit duke e quajtur atë “përpjekje fyese dhe e neveritshme për të krijuar një krahasim të rremë ndërmjet ushtarëve të Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe terroristëve të Hamasit sa i përket dhunës seksuale” dhe thekson pretendimet e shpeshta se ekspertët janë kundër Izraelit.

Raporti dhe përgjigja e Izraelit janë treguesi i fundit i përçarjes gjithnjë më të madhe ndërmjet OKB-së, institucioneve të saj dhe qeverisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu rreth përgjigjes së Izraelit ndaj sulmit të përgjakshëm të militantëve palestinezë më 7 tetor dhe ndaj rrëmbimit të izraelitëve.

Të martën, zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, një institucion i veçantë nga grupi i ekspertëve të pavarur, tha se forcat izraelite dhe grupet e armatosura izraelite mund të kenë kryer krime lufte gjatë operacionit të përgjakshëm të forcave izraelite gjatë fundjavës për të shpëtuar katër pengje. Qindra palestinezë u vranë gjatë këtij operacioni./ VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.