Kryesore

“Dëmi i shkaktuar prej 360 mijë lekë!” -U dënua nga GJKKO me 1 vit burg, reagon ish-kryebashkiakja e Libohovës: Ndihem krenare për punët që kam bërë! Kush ma njollos emrin…

15:54 - 14.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-kryetarja e Bashkisë së Libohovës, Luiza Mandi është dënuar nga GJKKO-ja me një vit heqje lirie nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i është ulur në 8 muaj.




Luiza Mandi për këtë vendim të gjykatës ka reaguar përmes një postimi në Facebook, e cila ka sqaruar arsyen e akuzave të hedhur ndaj saj, duke i cilësur si të padrejtë.

fillimisht ajo sqaron se është njohur me vendimin e GJKKO-së përmes mediave, e se po i njolloset emri.

Sipas ish-kryebashkiakes socialiste, në vitin 2016 lindi nevoja për zgjerimin e rrugës së dytë kryesore të bajpasit të qytetit, nga ku prekej dhe 15.8 metra katror tokë private.

Me një bashkëpronësi prej 10 pronarësh, e me një sipërfaqe kaq të vogël, të zotët vendosen të mos kërkonin dëmshpërblim, por disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, gjë e cila është plotësuar, siç shprehet Luiza Mandi.

Ajo shpjegon se punimet për sistemin e rrugës zgjatën për disa muaj e se nuk pati asnjë ankesë për zaptim pronësie.

Ish kryetarja e Bashkisë së Libohovës shkruan se është dënuar për 360 mijë lekë të vjetra, të cilat i takojnë paditësit të kësaj toke të prekur nga punimet përgjatë kohës që ajo ishte në detyrë.

Mandi e përmbyll postimin se ndihet krenare për punët e mira të bëra prej saj, e se çdokush që kërkon t’ja njollosë emrin do ndërmarrë rrugë ligjore.

Reagimi

Të dashur miq e bashkëqytetarë te mi!

Jam njohur nga media për vendimin e marrë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku akuzohem për shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për një padi të ngritur kundër meje nga një pronar toke në qytetin e Libohovës. Nëpërmjet këtij postimi nuk dua të kundërshtoj apo të komentoj vendimin e kësaj gjykate, por si e votuara juaj për dy mandate, kam detyrimin që të ndaj me ju, si para Zotit, të vërtetën e këtij sulmi nga njerëz që duan të njollosin emrin tim. Para jush unë do të jap llogari, njësoj sikur të isha në detyrë.

Gjatë zbatimit të projektit për restaurimin e qendrës së qytetit Libohovë, në vitin 2016, lindi nevoja për zgjerimin e rrugës dytësore, bypass-it të qytetit. Zgjerimi do të “cënonte” edhe pronën në bashkëpronesi nga 10 pronarë, ku vetëm 15.8 metra katror i takonin paditësit. Duke qenë një sipërfaqe kaq e vogël, asnjëri nga bashkëpronarët, perfshi edhe paditësin, nuk kërkuan asnjë dëmshpërblim për këtë, por vetëm disa punime sistemimi në bahçen e shtëpisë së tyre, të cilat ju plotësuan. Punimet për sistemimin e rrugës zgjatën disa muaj, por në asnjë rast, bashkëpronarët apo paditësi, nuk kanë patur asnjë ankesë për zaptim prone, në Bashkinë Libohovë apo në ndonjë instutucion tjetër lokal. Vlera totale e pronës, sipas vlerësimit, qenkërka 3 milionë e 600 mijë lekë (të vjetra) dhe vlera që paditësit “i takon” është 360 mijë lekë (të vjetra).

Të dashur bashkëqytetarë, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për këtë “dëm” që i kam shkaktuar këtij qytetari, e ka klasifikuar “shpërdorim detyre” dhe kërkon të më dënojë me 8 muaj heqje lirie! Ndihem krenare për punët e mira që kam bërë gjatë ushtrimit të detyrës sime si kryetare e bashkisë, por këtë krenari dhe emrin tim që dikush është i intresuar për ta goditur dhe njollosur, do ta ruaj me të gjitha mjetet ligjore, në çdo shkallë të gjyqësorit!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.