Kryesore

EURO 2016/ Fitoi Portugalia, kampionët i mundi vetëm Shqipëria

19:46 - 14.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Europiani i vitit 2016 në Francë hyri jo vetëm në historinë e futbollit, siç është normale që të jetë, por mbi të gjitha në historinë e futbollit shqiptar, duke qenë se Shqipëria mori pjesë për herë të parë në fazën finale të një kompeticioni kaq të rëndësishëm.




“Banda” e Xhani de Biazit ishte “hirushja” e turneut të pesë viteve më parë, ndonëse “përralla” nuk arriti që të kishte një fund shumë të lumtur, duke qenë se nga kualifikimi për në fazën e 1/8-ave e ndau vetëm 1 pikë ose qoftë një golavarazh shumë më i mirë, për t’u kualifikuar mes katër skuadrave të vendit të tretë më të mirë. Gjithsesi, edhe pjesëmarrja ishte diçka madhështore për kombin tonë, aq më tepër për Armando Sadikun, i cili është i pari dhe i vetmi deri tani që ka lënë vulën për “Shqiponjat kuqezi” në historinë e këtij kompeticioni, me golin e fitores kundër Rumanisë, ndërsa me Zvicrën dhe Francën erdhën dy humbje që është pak t’i quash të pamerituara, për të mos thënë dramatike. Faza e grupeve, në të cilën kualifikoheshin dy të parat e secilit prej 6 grupeve dhe 4 vendet e treta më të mira kaluan pa surpriza, duke qenë se të gjitha të mëdhatë kaluan pa probleme në fazën me eliminim direkt.

1/8-AT E FINALEVE – Në këtë fazë të turneut, kryendeshja ishte ajo mes Italisë së Antonio Kontes dhe Spanjës. Por, ndërsa të gjithë mendonin se “Furitë e Kuqe” do të kualifikoheshin ndoshta edhe lehtësisht ndaj “Axurrëve”, ishin këta të fundit që bëjnë një ndeshje taktikisht perfekte dhe me golin e Xhakerinit në pjesën e parë e të Pelesë në shtesë shtrinë në tapet një ndër pretendentet absolute për suksesin final. Ndërkohë, në duelet e tjera, Polonia u kualifikua përballë Zvicrës pas lotarisë së penalltive; Portugalia iu fal një goli të Kuarezmës në minutën e 117-të ndaj Kroacisë; Uellsi dënoi minimalisht “kushërinjtë” e Irlandës së Veriut; Belgjika dhe Gjermania shkatërruan respektivisht 4-0 Hungarinë dhe 3-0 Sllovakinë, ndërsa Franca e Irlanda kaluan më tej pasi fituan 2-1 ndaj Irlandës dhe Anglisë. Pikërisht “Tre Luanët” ishin surpriza e parë negative e Europianit francez.

ÇEREKFINALE – Sfida e parë ishte një maratonë mes Portugalisë dhe Polonisë, e cila pasi pa 120 minutat mes kohës së rregullt dhe shtesës që të përfundonin në barazim 1-1 (Levandovski shënoi golin më të shpejtë të turneut, ende pa u mbushur 2 minuta lojë, ndërsa Sançes barazoi për luzitanët në të 33-ën), nga pika e penalltive ishin më të saktë Ronaldo me shokë. Iberikasit triumfuan me rezultatin 5-3 (Ronaldo, Sançes, Mutinjo, Nani e Kuarezma ishin perfektë), për Poloninë ishte fatal gabimi i Blazçikovskit në goditjen e katërt, i cili i dha fund udhëtimit të bardhekuqve në “Euro 2016”. Çerekfinalja e dytë ishte një surprizë e madhe, teksa Uellsi eliminon një Belgjikë të frikshme në letër me rezultatin 3-1. “Djajtë” i bënë llogaritë gabim duke markuar vetëm Bejlin e Ramsejn, teksa Uilliams, Voks e Robson-Kanu i dënuan. Ajo që e shndërroi në një shëtitje këtë raund ishte Franca vendosa e cila likuidoi 5-2 Islandën e vogël, por me një tifozëri magjepsëse. Ndërsa dueli i fundit ishte edhe supersfida e parë e madhe e Europianit: ItaliGjermani! Edhe pse “Axurrët” ishin një ekip gati eksperimental, ata ditën të bëjnë një ndeshje të madhe. Edhe pse Ozil i dënoi me gol në të 65-ën, një penallti e Bonuçit në të 78-ën dërgoi në shtesë takimin, ndonëse as ato 30 minuta nuk ofruan më asnjë gol. Ndaj, kualifikimi duhej vendosur nga pika e bardhë, ku pas 18 penalltive të goditura (tri gabime nga gjermanët Myler, Ozil e Shvainshtaiger dhe katër nga italianët Zaza, Pele, Bonuçi e Darmian), ishte Italia që përshëndeti, pas pengjeve dhe mendjemadhësisë së treguar nga dy sulmuesit, Zaza e Pele, që gabuan duke tallur Nojerin, përpara ekzekutimeve nga 11 metrat.

GJYSMËFINALET – Shorti kishte vënë përballë Portugalinë dhe Uellsin në ndeshjen e parë, me Ronaldon dhe Nanin që shtrinë në tapet me dy goditje surprizën e madhe të turneut. Ndërkohë, në duelin tjetër, Franca vendëse kaloi Gjermaninë me të njëjtën rezultat, 2-0, falë një dopiete të të pamëshirshmit Antuan Grizman, i cili në këtë takim futi në kasafortë edhe “Këpucën e Artë” të turneut me 6 gola, në po kaq takime.

FINALJA – Franca dhe Portugalia në Paris ishin dy ekipet që kërkonin trofeun, 10 vite nga përballja e tyre e fundit në Botërorin “Gjermani 2006”. Takimi që pritej spektakolar në fakt nisi me lot, me Ronaldon e goditur fort në gju nga Paje pas 9 minutash lojë, por vetëm në të 25-ën ylli luzitan do të dorëzohej duke lënë fushën. Pa CR7-ën sfida dukej e vendosur tashmë, por për Francën, ndoshta pak nga nxitimi dhe pak nga mendjemadhësia, ndeshja jo vetëm rrodhi për 90 minuta pa gola, por edhe në shtesë, Portugalia nisi të besonte papritur, madje e bëri realitet ëndrrën: në të 109-ën, Eder nxjerr nga repertori një goditje nga distanca, e cila stampohet në rrjetë dhe mjafton për trofeun. Portugalia është në çatinë e Europës për herë të parë, merr atë trofe që e humbi në shtëpi në 2004-ën. Dhe të mendosh që triumfuan ata që të vetmen humbje mes kualifikueseve dhe Europianit e kishin pikërisht vetëm me Shqipërinë, 0-1 në Aveiro me gol të Bekim Balajt (52’).

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.