Kryesore

“Nëse qeveria nuk mbështet komunitetet fetare, ajo i shndërron këto institucione në instrumenta!” -Blushi: PL angazhohet në kthimin e pronave e në 10-fishimin e financimit të tyre

16:18 - 18.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi përmes një deklarate për media ka cekur problematikat e  komuniteteve fetare në vend.




Sipas tij mos mbështetja financiare nga ana e qeverisë, sjell përçarjen fetare dhe shndërrimin e këtyre institucioneve në instrumente.

Blushi premtoi se Partia e Lirisë do kontribuojë në komunitetet fetare deri në 10-fishimin e financimit të tyre dhe se do angazhohet për kthimin e pronave, të cilat sipas sekretarit të forcës politike trajtohen si të ishin në pronësi të kryeministrit.

Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm, z.Tedi Blushi

Premtimi i “Rilindjes” në vitin 2013 për t’ju kthyer të gjitha pronat komuniteteve fetare rezulton pas 11 vitesh në pushtet një mashtrim i madh dhe i pabesë.

Është kriminale që çështjet e pronësisë të komuniteteve fetare të zvarriten qëllimisht dhe të mbeten të pazgjidhura vetëm për shkak të korrupsionit skizofrenik dhe klientelizmit të Edi Ramës, që këto prona i trajton si të vetat, duke i grabitur apo duke jua falur gjoja “investitorëve strategjikë”.

Edhe pse shteti shqiptar, ka lidhur marrëveshje me të pesë bashkësitë tradicionale fetare shqiptare, këto marrëveshje janë shkelur me të dyja këmbët nga “Rilindja” sa i takon detyrimit për trajtimin me përparësi të çështjeve të kthimit dhe kompensimin e pronave të tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ajo që i përket Zotit, që është në shërbim të njerëzve, dhe që përcaktohet si e drejtë themelore, nuk duhet neglizhuar, nëpërkëmbur dhe grabitur prej askujt.

E drejta e pronës, është e mbrojtur nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe është një nga të drejtat themelore të njeriut.

Kthimi i plotë i pronave të komuniteteve fetare dhe kompensimi fizik aty ku kthimi nuk është i mundur është prioritet kryesor për Partinë e Lirisë dhe ne do t’u japim zgjidhje urgjente, njëherë e përgjithmonë, duke ua kthyer të gjitha pronat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Partia e Lirisë angazhohet për të 10-fishuar mbështetjen për komunitetet fetare brenda vitit të parë të qeverisjes, me të paktën 10 milion euro nga rreth 1 milion euro në vit që marrin aktualisht, si dhe financimin e tyre sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Është e papranueshme dhe kriminale që të gjitha komunitetet fetare të financohen sot nga shteti më pak se “Rilindja”, që merr rreth 1.5 milion euro në vit, apo të mbështeten financiarisht njësoj si parti që nuk kanë as vulë!

Mungesa e financimit të nevojshëm është një nga arsyet pse klerikët tanë të shkolluar po largohen nga vendi për arsye ekonomike.

Nëse Qeveria nuk i mbështet komunitetet fetare nga buxheti i shtetit, që mos t’i shtrijnë dorën askujt, atëherë në këtë mënyrë “Rilindja” i shërben përçarjes fetare dhe shndërrimit të këtyre institucioneve në instrumenta.

Partia e Lirisë angazhohet gjithashtu që:

–              Bashkësitë fetare të kenë përparësi për shqyrtimin e dosjeve të depozituara në Agjencinë e Trajtimit të Pronave dhe të kenë mundësi për të rihapur dosje të reja.

–              Objektet e kultit të deklaruara për legalizim të kenë përparësi në legalizimin sipas aplikimeve të bëra në Drejtoritë Rajonale të Kadastrës dhe të jepet e drejta për të kryer aplikime të reja dhe të përjashtohen nga tarifa për legalizimin e objekteve të kultit dhe objekteve ndihmëse në referim të ligjit.

–              Bashkësitë fetare tradicionale të përjashtohen nga tarifa për regjistrimin e pasurive të paluajtshme në referim të ligjit dhe nga tarifat për të gjitha llojet e shërbimeve që kanë të bëjnë me kërkesat për Regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme.

–              Bashkësitë fetare të përjashtohen nga tarifat për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor.

–              Bashkësitë fetare të përjashtohen nga tarifat gjyqësore që kanë të bëjnë me të gjitha marrëdhëniet me gjykatat.

Partia e Lirisë shpreh falenderimin, mirënjohjen dhe respektin më të thellë për të gjitha bashkësitë fetare në vend, për udhëheqësit e tyre të ndritur, të cilët kontribuojnë aq shumë për forcimin e harmonisë tonë të mrekullueshme ndërfetare dhe punojnë pa u lodhur për të edukuar të rinjtë me vlerat më të mira hyjnore, njerëzore, shoqërore dhe kombëtare, duke u përpjekur t’i mbajnë larg veseve.

Përshëndesim përpjekjet e palodhura dhe nismat konkrete të komuniteteve fetare për të luftuar varfërinë, korrupsionin, arrogancën dhe padrejtësitë duke kontribuar për një shoqëri më të mirë, më të drejtë dhe më të dhembshur.

Partia e Lirisë vlerëson, ndan të njëjtin qëndrim dhe përshëndet mesazhet shumë të qarta të komuniteteve tona fetare, në mbrojtje të vlerave të familjes, shoqërisë dhe të kombit nga nismat kriminale të “Rilindjes” që promovojnë perversitetin dhe devijancat, si “Prindi 1” dhe “Prindi 2” apo ligji famëkeq i surrogacisë.

Gjithashtu përshëndesim qëndrimet e qarta të tyre kundër axhendës së qëllimshme antikombëtare të shpopullimit dhe ndajmë të njëjtin vlerësim se mesazhi i shenjtë, përbashkues dhe frymëzues i udhëheqësve tanë të ndritur dhe të paharruar fetarë “Pa Atdhe, nuk ka fe” është një amanet për të gjithë shqiptarët, që nuk duhet harruar kurrë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.