Presidenti i partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ndarë lajmin se është në proces divorci me bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.
Përmes një interviste, ai ka njoftuar se kana nisur procedurat ligjore për të zyrtarizuar ndarjen e çiftit.
Tensionet politike mes dyshes duket se kanë qenë “mollë sherri”, pasi Meta e Kryemadhi ndajnë mendime të ndryshme për SPAK.
Ilir Meta është shprehur gjithmonë kundër Prokurorisë së Posaçme, me akuzën se është ‘vegël’ e qeverisë Rama, ndërsa Kryemadhi ka thënë se nuk ndërhyn në punët e drejtësisë.
Deklaratat kontroverse të çiftit gjithmonë kanë ngritur pyetje, por sot Meta ka vendosur t’u japë fund atyre duke u përgjigjur.
Ai u pyet nga gazetari se “Kur nuk mund të bindni ish-kryetaren e LSI-së dhe bashkëshorten tuaj që SPAK është i kapur nga Edi Rama, si mund të bindni publikun dhe anëtarësinë tuaj?”
Ilir Meta u përgjigj se pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja e tij.
“Keni shumë të drejtë. Pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje e kam njoftuar e djalin tim Besar ilir Meta, i cii më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njërin tjetrin, mund të gjeni zgjidhje më të qetë dhe unë besoj se e kam zgjedhur një zgjidhje!”, u përgjigj Meta.
Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.