Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka reaguar për herë të parë pas skandalit së skemës korrupsionale të spitalit Onkologjik, e cila linte pa trajtuar pacientët e sëmurë dhe i drejtonte për tek privati.
Përmes një prononcimi për media nga QSUNT-ja, Albana Koçiu u shpreh se kjo është një ngjarje e paprecedentë nga personat të cilët si mision primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve.
Koçiu u shpreh se të gjithë personat e përfshirë do të ndëshkohen sipas ligjit.
Ministrja u shpreh se këta lloj personash nuk mund të ndotin bluzët e bardha, pasi nuk arrijnë t’i përfaqësojnë ato denjësisht e me profesionalizëm.
Prononcimi për mediat i Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu nga QSUNT:
Ngjarja e sotme patjetër që të krijon një neveri të madhe. Mbi të gjitha kur bëhet fjalë për jetë njerëzish. Mbi të gjitha kur flasim për punonjësit e sistemit të shëndetësisë të cilët misionin e tyre primar kanë humanizmin, shpëtimin e jetëve të njerëzve. Është një ngjarje e paprecedentë. Jam e neveritur nga kjo histori. Të gjithë personat përgjegjës do të ndëshkohen sipas ligjit, sipas procedurave administrative dhe të jetë e qartë njëherë e përgjithmonë që këta lloj personash nuk mund të ndosin bluzat e bardha, nuk mund përfaqësojnë bluzat e bardha që punojnë me profesionalizëm në të gjithë Shqipërinë dhe këta persona nuk kanë vend në sistemin shëndetësor.