AKTUALITET

Italia 10 vite pa luajtur në një Kupë Bote, ja çfarë bëjnë protagonistët e fundit

12:25 - 25.06.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Italia kampione e Europës në fuqi mund të ketë marrë mbrëmë kualifikimin për në 1/8-at e turneut në Gjermani, por ndërkohë sërish mbrëmjen e djeshme është bërë plot 1 dekadë nga ndeshja e tyre e fundit në një Kupë Bote.




Kjo njollë e errët është vështirë që të shqitet, duke qenë se po flasim për një nga kombet që kanë mësuar futboll historikisht, duke qenë se jo vetëm një trajner italian pushton pa pushim dhe është rekordmeni i Ligës së Kampioneve (Karlo Ançeloti), por edhe në këtë Europian janë trajnerët italianë kryefjala e 24 kombëtareve pjesëmarrëse (Luçiano Spaleti tek Italia, Domeniko Tedesko te Belgjika, Marko Rosi te Hungaria dhe Françesko Kalzona i Sllovakisë). Gjithsesi, fakt është që humbja 1-0 ndaj Uruguait më 24 qershor 2014 ishte dhe mbetet ndeshja e fundit e Italisë në një Botëror, madje një kartolinë gjithashtu e shëmtuar, duke qenë se në Kupën e Botës në Brazil u eliminuan edhe që në fazën e grupeve.

Pas saj, “play off”-et e 2018-ës kundër Suedisë dhe ato të 2022-shit ndaj Maqedonisë së Veriut do të ishin dy nga grushtet më të forta që Italia ka marrë në historinë e saj, edhe pse mes tyre erdhi gëzimi dhe suksesi më 11 korrik 2021, në “Uembli”, ku mundën të zotët e shtëpisë së Anglisë dhe u ngjitën në çatinë e Europës, fron të cilin do të provojnë që ta mbrojnë edhe sivjet. Nga ai formacion që zbriti në fushë ndaj Uruguait 10 vite më parë ka mbijetuar vetëm një, Mateo Darmian, i cili edhe dje ishte titullar ndaj Kroacisë, ndërkohë që pjesa tjetër tashmë bën tjetër gjë…

XHANLUIXHI BUFON – I tërhequr në vitin 2023 nga futbolli, aktualisht shefi i delegacionit i Kombëtares së Italisë në këtë Europian.

ANDREA BARZALJI – I tërhequr në vitin 2019. Tani për tani bën analistin në televizion, por po studion për trajner.

LEONARDO BONUÇI – I dha lamtumirën vetëm dy javë më parë futbollit te turqit e Fenerbahçes, por edhe ai do të nisë shpejt kursin dhe më pas karrierën si trajner.

XHORXHO KIELINI – I vetmi që ka në trup një shenj nga Botërori i fundit i Italisë, duke kujtuar kafshimin e Luis Suarezit ndaj tij në ndeshjen ndaj Uruguait. I tërhequr në verën e vitit 2023 dhe aktualisht bashkëpunëtor teknik i amerikanëve të Los Anxheles FC, skuadra e tij e fundit në karrierë.

MATEO DARMIAN – Mbrojtës, aktualisht i vetmi në aktivitet, mes Interit dhe Kombëtares së Italisë.

KLAUDIO MARKIZIO – I tërhequr në vitin 2019, por aktualisht thjesht po shijon jetën familjare. ANDREA PIRLO – Lamtumirë futbollit në vitin 2017, në SHBA, por ai e nisi shumë shpejt karrierën si trajner dhe aktualisht stërvit Sampdorian në Serinë B.

MARKO VERRATI – U lodh shpesh nga aventura në Europë dhe tashmë luan në Katar me skuadrën e Al Arabi. MATIA DE SHILJO – Ende në aktivitet, por jashtë radarëve të kombëtares. Edhe sot, pjesë e Juventusit.

ÇIRO IMOBILE – Nuk bindte më për të qenë pjesë e “Axurrëve”, por është ende në aktivitet në radhët e Lacios.

MARIO BALOTELI – Njeriu i shpresave dhe zhgënjimeve të mëdha tashmë ka përfunduar në radhët e klubeve të dorës së dytë. Për momentin, pjesë e turqve të Adana Demirspor.

TIAGO MOTA – Trajneri i Juventusit për sezonin e ardhshëm i dha lamtumirën fushës në 2018-ën, por po bën magjira si trajner.

ANTONIO KASANO – Në 2017-ën u tërhoq, tani lëviz mes brodkasteve të ndryshme në platformat e rrjeteve sociale.

MARKO PAROLO – Opinionist në rrjetin “Sky Sport”, pas tërheqjes në vitin 2021.

ÇEZARE PRANDELI – Ish-trajneri i Kombëtares së Italisë vendosi që t’i japë shumë shpejt fund karrierës së tij edhe në trajnim, pas një fatkeqësie familjare ku humbi edhe bashkëshorten.

PANORAMASPORT.AL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.