Kryesore

Vonesa për votën e diasporës? Asnjë futbollist i ekipit kombëtar Euro2024 nuk mund të votojë në zgjedhjet 2025

13:50 - 25.06.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se e drejta kushtetuese e votës së kësaj kategorie për shkak të boshllëkut ligjor ka mbetur thjesht një parashikim deklarativ, i pazbatueshëm efektivisht në praktikë, duke mbetur në thelbin e saj iluzive.




Mbi këtë bazë GjK vlerësoi se i përket Kuvendit të plotësojë boshllëkun ligjor të lartpërmendur brenda një afati që në rastin konkret konsiderohet të caktohet një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

 Vendimi hyri në fuqi në janar 2023 dhe afati kushtetues për reformën zgjedhore për të mundësuar votën e diasporës ishte janari 2024. Prej atëherë kanë kaluar gjashtë muaj, Komisioni i Reformës Zgjedhore u shkri pa pasur produkt dhe as mbledhje të rregullta dhe një këshill politik midis dy partive të mëdha është mbledhur disa herë por ende pa pasur ndonjë rezultat konkret. KQZ ka deklaruar se jetësimi i votës së diasporës kërkon ndryshime ligjore të qarta përpara fundit të korrikut 2024, pra me mbylljen e sesionit aktual parlamentar. Shanset për reformë apo ndërhyrje të pjesshme janë miminale, vota e diasporës më shumë u përdor politikisht nga partitë e mëdha, sidomos qeveria, sesa pati ose ka një vullnet real për ta jetësuar. Disa testime për takime masive me diasporën fillimisht në Greqi dhe më pas në Itali u ndërprenë duke anuluar takime të njëjta në Gjermani e Angli, nën debatin e shkarkuar nga eksportimi i zyrtarëve të qeverisë dhe mbështetësve të saj nga Shqipëria.

Për të kuptuar më mirë kontrastin e thellë midis asaj çfarë presim prej diasporës dhe refuzimit për të krijuar mundësitë që ajo të jetë pjesë e vendimmarrjes politike në Shqipëri në tabelë paraqitet përbërja e ekipit tonë kombëtar të futbollit në Euro 2024. Ekipi aktual, pavarësisht eliminimit në fazën në grupe, fitoi mbështetje dhe simpati të gjerë publike dhe u bë ndofta ekipi më përbashkues i shqiptarëve në konceptin social, sportiv, politik dhe gjeopolitik. Presidenti, Kryeministri, disa ministra dhe gjysma e deputetëve, zyrtarë dhe gazetarë të shumtë si dhe disa qindra mijëra të tjerë shoqëruan ndeshjet e kombëtares, duke shijuar personalisht dhe familjarisht atmosferën festive. Përmes ekipit dhe përfaqësimit në euro2024 Shqipëria fitoi prestigj dhe simpati, si dhe investimi në imazhin publik pritet të sjellë përfitime afatgjata edhe ekonomike dhe sociale.

Nga të dhënat e përpunuara nga stafi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) rezulton se asnjë nga futbollistët e ekipit tonë kombëtar nuk është banues i rregullt rezidencial në Shqipëri. Ata banojnë në vendet ku ushtrojnë sportin, kryesisht në Itali dhe vende të tjera, sipas listës bashkëngjitur. Edhe trajneri Sylvinjo, i fundit që përfitoi shtetësinë shqiptare, nuk është banor efektiv në Shqipëri. Duke qenë me adresa regjistrimi në Shqipëri ose disa prej tyre, të lindur këtu, ata paguajnë taksat bazë të rezidencës/familjes, si dhe janë ambasadorët kryesorë në promovimin e shtetit dhe simboleve të tij. Nga foto zyrtare e ekipit vetëm Presidenti i FSHF është votues me të drejta të plota votimi aty ku banon edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, të tjerët jo.

Bazuar në legjislacionin aktual zgjedhor anëtarët e ekipit kombëtar euro2024 mund të jenë votues në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vetëm nëse ata udhëtojnë me shpenzimet e tyre financiare ditën e votimit drejt Shqipërisë ose nëse ata aplikojnë në sistemin online të KQZ, pa garanci të plota se mund të jetësohet vota e tyre.

Ndryshe nga kolegët e tyre europianë, të cilët votojnë në vendet ku ndodhen, pavarësisht shtetësisë dhe kombësisë, kontratave dhe vendbanimit të përkohshëm, ata të Shqipërisë nuk do ta kenë këtë mundësi. Vendimi i GJK që mund ta mundësonte, nuk u jetësua dhe për pasojë, “heronjtë” e ekipit kombëtar i duam për sport, show, stadiume, ceremoni, foto në facebook apo mediat e tjera sociale, por nuk i duam të vendosin për “ne”, të votojnë në zgjedhje për të zgjedhur deputetët apo qeverinë që ata duan. Kjo mbetet privilegj vetëm i banorëve efektivë në Shqipëri, numri i të cilëve është përgjysmuar gjatë dy dekadave të fundit, por mbetet i mjaftueshëm për partitë kryesore për të frenuar mundësinë e ndryshimit politik dhe reformimit të sistemit përfaqësues.

Tabela informative dhe fakti se asnjë nga lojtarët e ekipit kombëtar nuk do të mund të votojë në zgjedhjet në Shqipëri (ata me shtetësi të dyfishtë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Gjermania, Zvicra, etj janë të lirë të votojnë për vendet e tyre të dyta pavarësisht shtetit ku ndodhen), përbën një fakt dhe tregues të trishtë të hendekut të thellë që ndan kulturën tonë shtetërore dhe politike nga standardet e mira perëndimore.

Ky është fakti, kjo është tema, ky është diskriminimi politik dhe cenimi i një të drejte kushtetuese, për të cilën çdo gazetar me integritet duhet tua adresojë zyrtarëve të lartë në ceremonitë në vijim lidhur me ekipin kombëtar, Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrave, por edhe partive kryesore politike, parlamentit, FSHF dhe institucioneve, të cilat, qytetarët e tyre i duan të suksesshëm dhe të japin maksimumin për vendin e tyre, por nuk janë të gatshëm tu japin të drejtën e votës për të vendosur për të ardhmen politike të shtetit / qeverisjes së tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.