LAJMI I FUNDIT

Dëm(i)

09:45 - 26.06.24 LEONARD DEMI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA LEONARD DEMI 




Shërbimi Informativ Kombëtar….. një dispeçeri kombëtare thashethemesh me shkrim ku duhet të lexosh 1000 faqe për të gjetur një fletë me informacion kuptimplotë për keqbërësit brenda zyrave të shtetit apo rreth institucioenve të shtetit …

Kryeministri Edi Rama

           Parafjalë

Shërbimi Informativ Shtetëror (Shërbimi) është institucion thelbësor për sigurinë kombëtare, që jep një kontribut të patjetërsueshëm në mbrojtjen dhe zhvillimin e vendit, përparimin shoqëror dhe përmirësimin e aspekteve të ndryshme të jetës. Ta ktheshë në ‘një dispeçeri kombëtare thashethemesh’ është një komedi tragjike për të, për ata burra dhe gra që, nëpërmjet punës së tyre të rrezikshme, përkushtimit, karakterit dhe guximit mbrojnë Shqipërinë dhe interesin tonë kombëtar brenda dhe jashtë vendit kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues, krimit të organizua, terrorizmit dhe spiunazhit.

           Implikimet, rreziqet e politizimit dhe perspektiva

Në kumtimin e mësipërm bien në sy tre dukuri me pasoja të rënda: dëmtimi keqdashës afatgjatë i Shërbimit, thellimi i politizimit, si dhe ushtrim trysnie ndaj kundërshtarëve.

Ky vlerësim përdhosës e zhvesh Shërbimin nga besimi institucional dhe i vështirëson efektivitetin e përpjekjeve për të përmbushur misionin e vet në bashkëveprim me institucionet ligjzbatuese brenda vendit, me agjencitë partnere, të vendeve aleate dhe të organizatave ndërkombëtare, ku jemi anëtarë.

Studimet mbi politizimin e inteligjencës dëshmojnë se kjo dukuri i ka rrënjët në natyrën e lidershipit politik dhe është kompromisi, që bën shërbimi midis objektivitetit të veprimtarisë së vet dhe shtrëmbërimit për t’iu përshtatur apo për t’i shërbyer politikës. Shërbimi është institucion i sigurisë kombëtare, që ka mandat të jetë krejtësisht jopolitik dhe objektiviteti është elementi më i natyrshëm i tij, i cili e dallon nga propaganda, fushata politike apo veprimtari të tjera që kërkojnë përkrahje, pa përmendur mashtrimin dhe keqinformimin. Objektiviteti pengohet kur drejtuesi(t) i Shërbimit është pjesë e zinxhirit komandues, vjen nga furiku kryeministror apo kërkon ta përdorë këtë detyrë si trampolinë dhe, kësisoj, nuk do të guxonte ta sfidonte publikisht të zotin e vet. Në këtë mënyrë, Shërbimi jo vetëm që keqpërdoret, por dhe dëmton veprimtarinë e tij nga pushteti ekzekutiv. Kur produkti i inteligjencës politizohet në të mirë të preferencave politike të Kryeministrit është vetëshkatërrim. Shërbimi nuk duhet të rreshtohet me asnjë mosmarrëveshje të brendshme politike apo të mbështesë ndonjë objektivë të veçantë të politikës.

Ekspertët e shërbimeve inteligjente bëjnë të ditur se një pjesë e politizimit të inteligjencës është e pashmangshme sepse inteligjenca punon për t’i shërbyer drejtuesve politikë dhe vepron brenda institucioneve të kryesuara nga politikanët, prandaj një nga sfidat më të vështira me të cilat përballet komuniteti i inteligjencës është aftësia e tij për të qëndruar jashtë politikës, d.m.th.: “krijimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me qeverinë (Kryeministrin), duke mënjanuar parapëlqimet politike” (Helgerson); ndërsa Kissinger vëren se integriteti i Drejtorit garanton efektivitetin e tij.

Lufta kundër politizimit ka rëndësi të madhe, por, meqenëse politizimi është i rrënjosur në strukturën e qeverisë, përmirësimet thelbësore ngërthejnë një rishikim të strukturës në mënyrë që lidhja inteligjencë-politikë të bëhet më pak e ngushtë: afërsia sjell ekspozimin dhe zbeh rëndësinë dhe veprimtarinë e institucionit, ndërsa distanca sjell objektivitet.

            Mbikëqyrja

Drejtuesit e sotëm të Kuvendit shkelin me ndërgjegje parimin themelor të një shteti demokratik: të drejtën e patjetërsueshme ligjore të Kuvendit të mbikëqyrë Shërbimin Informativ Shtetëror apo Komunitetin e Inteligjencës. Mbikëqyrja parlamentare është forma më e rëndësishme e mbikëqyrjes demokratike dhe drejtimit të veprimtarive të shërbimit të fshehtë në disa drejtime: së pari, në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; së dyti, në përdorimin e burimeve financiare që Kuvendi miraton për veprimtarinë e Shërbimit dhe së treti, në forcimin e këtij institucioni në luftë kundër rreziqeve, që i kanosen kombit apo në luftë kundër krimit kombëtar, në përputhje me disa parime: të ligjshmërisë, të mbrojtjes të të drejtave, të konfidencialitetit, të mbrojtjes së interesave kombëtare, të proporcionalitetit dhe parimit të ‘nevojës për të ditur’(ligji Nr. 8391, 28 tetor 1998). Autoriteti i Kuvendit për buxhetin nënkupton të drejtën që ka Kuvendi të kqyrë se si shpenzohen fondet, që vet Kuvendi ka miratuar për Shërbimin, d.m.th., a janë shpenzur me kujdes dhe për aktivitetet që janë miratuar.

Prej më shumë se një dekadë, dëgjojmë se institucionet tona u binden ligjeve, por duket se ligjet dhe parimet janë thjesht funksion i pushtetit. Refuzimi, që Drejoresha e Shërbimit i bën ftesave të Kuvendit, për shkak të çertifikimit është një fabul foshnjore. Problemi nuk qëndron tek çertifikimi, që mund të realizohet në çdo moment, por drejtuesit e Kuvendit preferojnë të luajnë strucin se sa të ‘shqetësojnë’ Kryeministrin apo qeverinë në ushtrimin e këtij pushteti.

Një shembull, që mund ta ndihmojë Drejtoreshën tonë është zonja Gina Haspel, ish-Drejtoresha e parë e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, një oficere operative me një karrierë 33 vjeçare në CIA. Personalitete të inteligjencës amerikane e kanë konsideruar: “një nga drejtorët më me ndikim në historinë e Agjencisë”, thjesht për shkak të mënyrës se si e mbrojti Agjencinë nga presioni politik. Drejtoresha Haspel, pavarësisht kundërthënieve, punoi ngushtë me Komisionin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve dhe ka lënë përshtypje për përkushtimin, sinqeritetin dhe angazhimin e vet të thellë ndaj Komisionit vëren ish-Kryetari Nunes, R-CA.

           Një botë dhe inteligjencë e transformuar

Sot përballemi me disa sfida të mëdha njëherësh: konkurrencën strategjike, ku fuqitë kundërshtare, që rrëzohen mund të jenë po aq shkatërruese sa ato që ngrihen; me krimin e organizuar, korrupsionin dhe me revolucionin teknologjik, i cili po transformon mënyrën tonë të jetesës. Në këtë mjedis, institiucionet e inteligjencës po punojnë intensivisht për të qenë në krye të zhvillimeve, duke dhënë shembuj të pazakontë, si: paralajmërimi i hershëm mbi planet e Rusisë për të pushtuar Ukrainën dhe deklasifikimi i kujdesshëm i disa dokumenteve sekrete amerikane për të ekspozuar dezinformimin rus (Burns).

Revolucioni i inteligjencës artificiale u ofron analistëve të shërbimit mundësi të reja, që tejkalojnë mendjen njerëzore, për të shfrytëzuar të dhënat e pafundme të burimeve të hapura, si dhe ato, që përftohen në mënyrë të fshehtë. Kësisoj, agjentët tanë do të kenë mundësi të përqëndrohen në atë që bëjnë më miri: të ofrojnë gjykime të arsyetuara për interesat e vendit në kohën e duhur dhe që të shërbejnë si bazë për veprim (Kent).

Fqinjët po lëvizni me shpejtësi të madhe në këtë drejtim dhe po bëjnë investime të mëdha për të siguruar pajisje të nevojshme sepse nxjerrja e konkluzioneve nga informacioni i mbledhur është problemi më i vështirë apo sfida e shërbimit të fshehtë. Sigurisht që edhe Shërbimi ynë është i përfshirë në këto zhvillime, por këto përparësi nuk mund të bëhen realitet pa buxhetin e nevojshëm. Shërbimi i fshehtë është krijuar për të mbrojtur shtetin sipas mjeteve që zotëron dhe veprimtaria e Shërbimit kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, inteligjencës së huaj, sigurisë kibernetike, krimit të organizuar, korrupsionit, që lidhen me stabilitetin e brendshëm dhe rajonal, me sigurinë ekonomike, energjetike dhe mbrojtjen e kësaj veprimtarie shoqërohen me qesen e nevojshme, zoti Kryeministër, shumë më përpara se ta kualifikoni si dispeçeri.

         Veprimtari të fshehta

Në këtë pikë po sjell disa operacione të shërbimeve kundërshtare, të lëshuara kohët e fundit, pos sulmit famëkeq të Banjskës, ngjarjeve të fundit në Maqedoninë e Veriut apo në vendin tonë. Këto aktivitete flasin për rëndësinë e jashtëzakonshme të Shërbimit, që Kryeministri ynë e quan ‘një dispeçeri kombëtare thashethemesh’, që, pa dyshim, inkurajon veprimtaritë e tyre subversive.

Inteligjenca ruse, FSB dhe GRU, npërmjet agjentëve të vet ka kthyer në baza të sofistikuara spiunazhi kështjella apo hotele pothuajse në të gjithë Evropën. Në këto ‘shtëpi pushimi’ rektutojnë dhe drejtojnë aksione të ndryshme spiunazhi, si: mbledhje informacioni, atentate, sabotazhe, destabilizim të qeverive, trafik armësh, moblizime, etj.

Fondacione, si “Pravfond”, me buxhet shtetëror, i lidhur me GRU dhe SVR, financon projekte keqinformimi dhe mbrojtjen ligjore të të dyshuarve si spiunë rusë ose individëve me interes për Kremlinin, mbështet materialisht ushtrinë ruse në Ukrainë, financon operacione ‘kulturore’ dhe konferenca “shkencore” (Beograd dhe Sarajevë) apo site propagandistike (Golos dhe Euromore), që mbështesin luftën pushtuese ruse në Ukrainë.

Nga vjeshta e vitit 2023, shtatë vende të BE-së kanë vëzhguar një operacion të frymëzuar nga Moska, që synonte destabilizimin e zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit dhe përkrahjen e deputetëve pro-rusë brenda Parlamentit Evropian. Sipas zyrës së prokurorisë federale belge, zyrtarë të Parlamentit Evropian u paguan për të përhapur propagandë ruse. Autoritete inteligjente europiane kanë denoncuan faqen “Zëri i Evropës” për përhapje të propagandës ruse dhe korruptimin e zyrtarëve të zgjedhur evropianë, po kështu, edhe faqet Visegrad Post dhe Golos.eu. Arrestimi i një ish-agjenti të shërbimeve të inteligjencës austriake, Egisto Ott, i rekrutuar prej vitesh nga Rusia, po shkakton trazira të papara. Shumë vende të tjera evropiane janë “nën sulm të përhershëm” të propagandës ruse.

           Profesioni, emërimet dhe arsimimi

Një profesion mund të përcaktohet sipas tri kritereve: ekspertizës, raportit të tij me të tjerët dhe përgjegjësisë. Në rastin e shërbimit, ekspertiza përcaktohet sipas katër funksioneve të shërbimit: mbledhjes, analizës, kundërzbulimit dhe operacioneve të fshehta, kurse pastërtia është kriteri dhe mekanizmi i kontrollit për të hyrë në shërbimin e fshehtë dhe për ta vazhduar këtë profesion me përgjegjësinë për t’i shërbyer mbrojtjes së vendit. Mirëpo, kur shteti nuk është i përgjegjshëm për të gjithë, atëherë edhe agjentët e shërbimit të fshehtë mund të mos jenë të përgjegjshëm ndaj një grupi të vogël, që kontrollon shtetin (Angleton). Kësisoj, shteti ynë, në vend që ta kthejë Shërbimin në ‘dispeçeri thashethemesh’, duhet t’i japë fonde, të bëjë përpjekje të mëdha për të nxitur ndjenjën e përgjegjësisë profesionale, duke i kushtuar kujdes të veçantë rekrutimit, trajnimit dhe mbështetjes nga profesionistët; të gjejë mënyrën për të tërhequr dhe mbajtur talentet, duke përmirësuar pagat dhe duke inkurajuar modele më fleksibël karriere. Por, fatkeqësisht, mësojmë se instituti për përgatitjen profesionale dhe formimin bazë të punonjësve të rinj të Shërbimit; si dhe për kualifikimin dhe specializimin e punonjësve të komunitetit të inteligjencës nuk funksionon më (Beqiri, Lidershipi …., Panorama, 6 maj 2024), në një kohë, kur partnerët tanë po transformojnë qasjen e tyre ndaj zhvillimeve të sotme teknologjike, që tejkalojnë pritshmëritë dhe imagjinatën tonë, duke ngritur qendra të reja dhe duke zgjeruar bashkëpunimin me institucionet akademike dhe sektorin privat. Kësisoj, Shërbimi ynë ka nevojë për investime strategjike afatgjata për të zhvilluar profesionalizmin, të modernizojë kapacitetet dhe strukturat edukative në raport me natyrën e re të kërcënimeve dhe jo t’i mbyllë ato.

Siguria dhe mbrojtja jonë nuk mund t’i përballojë kërcënimet e sotme shumëplanëshe dhe t’i përgjigjet kërkesave të Aleancës pa kontributin efektiv dhe të pazëvendësueshëm të Shërbimit, i cili, nën trysninë e sfidave të kohës, kërkon ndryshime konceptuale dhe organizative. Kur drejtuesit e sotëm të Kuvendit pengojnë ushtrimin e kompetencave të vet Kuvendit, si dhe të komisioneve gjegjëse, Këshilli i Sigurimit Kombëtar është forumi i vetëm, i cili mund të mënjanojë një dëm, që, më vonë, mund të jetë e vështirë të riparohet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.