AKTUALITET

Nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta se realiteti! Si po keqmenaxhohet spitali më i madh në vend

13:57 - 26.06.24 I K
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qendra Spitalore “Nënë Tereza” në vitin 2023 përballoi 42 për qind të fluksit të shërbimit spitalor në vend sipas të dhënave zyrtare.




Spitali më i madh publik në vend prej vitesh vuan nga menaxhimi i dobët, abuzimet me fondet dhe sidomos me medikamentet. Po përfundon mesi i vitit dhe QSUT ende nuk ka kontraktuar shërbimin e mirëmbajtjes kur të gjitha pajiset dhe furnitura prishet dhe digjet çdo ditë dhe nga ana tjetër kontratat koncesioneve me PPP i thelluan problemet financiare ndër vite.

Shërbimet mjekësore në ditën e sotme udhëhiqen nga pajisjet mjekësore , por në QSUT shumica e pajisjeve nuk punojnë për shkak të mosmirëmbajtjes dhe shërbimi shëndetësor është i varur nga burimet njerëzore.

Nevojat për ilaçe në QSUT katër herë më të larta se realiteti

Kontrolli i Lartë i Shtetit vërejti vitin e kaluar se nevojat për ilaçe në QSUT ishin 3-4 herë më të larta se sa buxheti që miratohet për këtë qëllim.

Çdo vit kur hartohet buxheti afatmesëm entet publike raportojnë për nevojat qe kanë për financime gjatë një viti. Këto kërkesa në fund i përcillen Ministrisë së Financave që më pas miraton fondin përkatës, i cili për shumë funksione nuk mund të jetë sipas nevojave.

Kjo është e kuptueshme në rastin e investimeve publike, apo shërbimeve të tjera, por në rastin e barnave mungesa e financimit sipas nevojës përkthehet në më pak jetë ose në shpenzime të larta nga xhepi i pacientëve për tu kuruar jashtë sistemit publik.

Shefat e shërbimeve në QSUT kërkojnë çdo vit medikamente që kushtojnë rreth 10-11 miliardë lekë, por në vërtetë qeveria financon nëpërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm vetëm 1 të katërtën ose një pestën e kësaj shume. Kjo anomali është vënë në dukje edhe nga Kontrolli i Lartë i shtetit gjatë një auditimi në Qendrën Spitalore.

Për kryerjen e përllogaritjeve të nevojave të QSUNT për fonde, zhvillohet një procedurë nga shefat e shërbimeve të tilla si konsum historik i llojit të barnave, nevojat për barna sipas mjekimit, numrit të të sëmurëve në periudhat e mëparshme dhe sasinë e barnave të akorduara sipas pacientëve, etj., bazuar kryesisht në kërkesat e periudhave të mëparshme, dhe jo në alokimet reale të fondeve për barna.

“Kërkesat e përcjella nga shefat e shërbimeve janë një “wish list”, dhe nuk merren në konsideratë, për vetë vlerën e lartë të këtyre shpenzimeve, dhe fondet e akorduara bazohen në buxhetin historik të vendosur në dispozicion për këtë zë. Në vijim të kërkesave sipas shefave të shërbimit për Barna dhe materiale mjekësore, QSUNT, përcjell për MSHMS në cilësinë e Organit Qendror Blerës sasinë e barnave, duke qëndruar brenda limiteve buxhetore dhe çmimeve të publikuara, ku sasitë janë të reduktuara, duke theksuar se ky planifikim do të sjellë një pamundësi të plotësimit të nevojave për të gjithë pacientët që marrin shërbimin pranë qendrës spitalore”, ka vërejtur KLSH ne auditin që ka bërë QSUT.

KLSH vërejti se buxheti për spitalin “Nënë Tereza” mbetet i pandryshuar për vite me radhë si për barnat ashtu edhe në totalin e tij, nga ana tjetër barra e sëmundjeve që kërkojnë trajtime të kushtueshme të tilla si neoplazmat dhe sëmundjet kardiovaskulare po rriten me shpejtësi nga viti në vit.

Gjatë dekadës së fundit në QSUT ka një rritje progresive të shtrimeve (nga 68,273 pacientë në 2013, në 116 mijë pacientë në vitin 2022). Ka rritje të aktivitetit në shërbimet e urgjencës, rritjen e numrit të konsultave dhe ekzaminimeve ambulatorë, rritje të procedurave invazive dhe mini invazive, rritjen e trajtimeve në onkologji, hematologji, onko-hematologji, pediatri, etj.

Ndërkohë që financimi i barnave në QSUT ka një hendek të thellë, nën anën tjetër buxheti i Qendrës Spitalore po gërryhet nga pagesat e larta për shërbime dytësore që ofrojnë privatet dhe koncesionaret.

Koncesionet e laboratorit dhe sterizilimit po kanalizojnë buxhetin e “varfër” të QSUT drejt financimit të shërbimeve dytësore me kosto shumë të lartë.

QSUT përballon gjysmën e ngarkesës, merr vetëm 23% të buxhetit spitalor

Në fillim të këtij viti Këshilli i Ministrave miratoi dhe detajoi fondin për shërbimin spitalor, sipas të cilit QSUT do të financohet me 7.8 miliardë lekë, shumë kjo sa 23 për qind e fondit prej rreth 33 miliardë lekësh që do të ndahet me 2024 për spitalet.

Por nga ana tjetër QSUT përballon gati gjysmën e volumit të punës që ofrojnë spitalet tona publike në rang vendi. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2022 rreth 278 mijë persona u shtruan në spital, ku rreth 115 mijë ose 42 % u shtruan në pavijonet e spitalit universitar “Nënë Tereza”.

Të dhëna të tjera tregojnë se QSUT është ofruesi më i madh të gjithave shërbimeve spitalore. Përqendrimi i shërbimeve në këtë qendër ka ardhur në rritje vit pas viti, për shkak të mungesave në burime njerëzore dhe pajisje në spitalet rajonale.

Spitalet e qarqeve kanë mungesa të mëdha në të gjitha specialitetet, duke bërë zhvendosur marrjen e shërbimeve në QSUT edhe për anomali të thjeshta në shëndet.

Por përveçse QSUT ka pak buxhet në raport me shërbimin që ofron, fondet e tij gërryhen nga koncesionet. Duke qenë se shtrimet dhe ndërhyrjet kirurgjikalë janë të shumta, një pjesë e mirë e buxhetit të QSUT shkon për koncesionet PPP dhe shërbimet mbështetëse. Psh këtë vit 10,8 për qind e buxhetit total të QSUT do të jetë pagesa për koncesionin e laboratorit, teksa shpenzime të mëdha shkojnë për sterilizimin e sallave kirurgjikale, pastrimin, ushqimin etj.

Nga ana tjetër QSUT aktualisht ka mungesa në burime njerëzore në të gjitha pavijonet si në infermieri dhe mjekë.

Shpenzimet buxhetore në shëndetësi janë deformuar nga kontratat koncesionare, të cilat po përthithin fondet për shërbime dytësore, në një kohë që shpenzimet publike për shëndetësinë mbeten ende shumë të ulëta në vendin tonë.

Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë për vitin 2022 ishin 63.8 miliardë lekë. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ato arritën në 2.98% dhe kanë shënuar rënie vjetore me 0,44 pikë përqindje, ndërsa shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,90 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2021.

Shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në raport me PBB-në ishin në nivelin më të ulët që nga viti 2017.

Ekonomia dhe kapacitetet buxhetore janë shtuar përgjatë dekadës së fundit, por financimet për shërbimet themelore shëndetësore, të tilla si rimbursimi i barnave dhe kujdesi parësor kanë mbetur në vendnumëro, në një kohë që nevojat për produkte farmaceutike dhe shërbime shëndetësore në një popullsi në plakje po rriten./Monitor


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.