LAJMI I FUNDIT

Onkologjiku, grupi i strukturuar grabitqar!

15:42 - 26.06.24 Arian Galdini
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Nga Arian Galdini
Në janar 2015, kur bëra denoncimin tim tek emisioni Opinion i Blendi Fevziut në TV Klan për rastin e të afërmit tim të diagnostikuar asokohe me kancer, nuk e dija se do të hapja kutinë e Pandorës.
Vetëm pasi kam dalë nga ajo studio kam kuptuar se cfarë mënxyre do të mësoja se ishte realiteti me sistemin mizor shëndetësor në Shqipëri dhe me mafian e ilaçeve.
Përtej rastit tim familjar, mua prej asaj dite nuk rreshtnin së më ardhuri mijëra mesazhe nga qytetarë nga çdo cep i Shqipërisë të cilët denonconin rastet dhe përjetimet e tyre përballë portave të ferrit të shëndetësisë shqiptare.
Për 3 muaj ajo betejë me mafian farmaceutike që unë si qytetar po zhvilloja, buçisnin lajmet, televizionet, gazetat e madje edhe në Kuvendin e Shqipërisë, “rasti Galdini” ishte bërë kryefjalë e liderëve të Opozitës.
U desh dalja e Tom Doshit në mars 2015 me denoncimin e tij për “porosinë e vrasjes së tij” nga Ilir Meta, që “rasti Galdini” dhe beteja ime me mafian farmaceutike të zhdukej nga mediat dhe debati parlamentar.
Prej asaj dite, edhe Arian Galdini edhe beteja e tij me mafian farmaceutike u kaluan në terr total, e madje unë u dënova me harresë absolutisht nga të gjitha mediat.
Çuditërisht prej asaj kohe, nga një njeri që merrja ftesa të vazhdueshme nga çdo TV e nga çdo emision, prej atyre të mëngjesit e deri tek emisionet kryesore të mbrëmjes, unë u shndërrova në një “askush absolut”, në një të harruar e groposur pa nam e nishan.
Denoncimet e mia për mafian farmaceutike, për konçensionet në shëndetësi, për sistemin shëndetësor në tërësi dhe praktikat mizore aty, e madje edhe për ato që unë i quaja që në atë kohë grupe të strukturuara grabitqare tek onkologjiku dhe tek shumica e shërbimeve shëndetësore kudo e ngado në Shqipëri, ishin pikërisht hapja e një beteje të gjatë publike, politike dhe civile të zhvilluar papushim derisot nga Opozita e shumë grupe, media e individë të tjerë përballë Grabitqarisë Shëndetësore dhe Farmaceutike në vendin tonë.
Prej ditës së djeshme, onkologjiku dhe grupet e strukturuara grabitqare aty, janë kthyer sërish në një lajm të parë dhe madhor.
Edhe pse mua ma shuan zërin e fshehën figurën prej vitit 2015 e ende sotdita, prapëseprapë, lufta vazhdon dhe e keqja vjen një ditë e do ti bëjë llogaritë me drejtësinë.
Mua më vjen keq që më heshtën e shuan nga syri publik për mbi 1 dekadë, por për asnjë sekondë nuk ia kanë dalë mbanë të më ndalin apo stepin nga lufta ime prej milingone çdo ditë i parreshtur e pa asnjë tërheqje.
Ja ku vjen kjo ditë që edhe pse publiku nuk sheh e dëgjon më Arian Galdinin, edhe pse publiku e ka harruar tërësisht Arian Galdinin, vjen drejtësia dhe e vendos kufirin tek thana për të gjithë ata liganakë të neveritshëm përballë të cilëve e kundër të cilëve ka luftuar çdo ditë Arian Galdini që prej vitit 2015.
Veprimi i drejtësisë mbi grupet e strukturuara grabitqare në shëndetësi, më gëzon edhe këtu ku jam unë në këndin tim të harresës dhe mohimit mediatik.
Unë nuk e nisa atë betejë as për tu kujtuar, as për tu bërë i njohur e as për tu harruar.
Atë betejë e nisa sepse e ndjeja të drejtë dhe si betejë të ndërgjegjes.
Ndaj sot ndihem i lumtur që atë betejë e vijon SPAK.
Për këtë arsye, gjej rastin ti bëj thirrje çdo qytetari shqiptar që të hapin sytë e veshët e të reagojnë.
A e shihni të dashur shqiptarë, se në 2013, Edi Rama fitoi zgjedhjet me një Grup të Strukturuar Kriminal deputetësh të cilët i mori nga bandat dhe i futi në Parlament?
Ja ky është rezultati.
Sot qeverisja e rilindjes është pikërisht kjo, qeverisja e grupeve të strukturuara grabitqare në çdo institucion qendror e lokal.
Grup i Strukturuar Grabitqar në Bashkinë e Tiranës me 5D, grup i strukturuar grabitqar tek Onkologjiku, grupe të strukturuara grabitqare në çdo institucion, Ministri, Bashki, Drejtori, Kadastër, Tatime, Dogana, kudo e ngado.
Sot qytetarët shqiptarë nuk janë më thjesht taksapagues, por edhe maldivexhinj…
Po po, taksa e re është e padeklaruar.
Grupet e strukturuara grabitqare kanë krijuar një sistem paralel taksimi që quhet Takstopia.
Takstopia nis tek ajo ëndrra në sirtar apo utopia që ka çdo aparatçik mediokër e batakçi partie, që sapo kap një zyrë a çelës shteti në dorë e sheh si shancin e jetës së tij për të bërë realitet çdo hardallisje mendore.
Aty aparatçiku i partisë grupohet me të tjerë të singjashëm dhe së bashku krijojnë mekanizmin e taksimit paralel për të kap pak Maldive, pak Tajlandë, apo vila, hotele apo investime strategjike.
Kjo taksë paralele është takstopia e Rilindjes.
Takstopia e grupeve të strukturuara grabitqare të cilat kudo që të jenë, në Bashki, në Ministri, tek Inceneratorët, në Shëndetësi, tek Onkologjiku, në Kadastër apo Tatime, etj, e sheh qytetarin si maldivexhi.
Çdo qytetar që i bie puna të përballet me këto grupe të strukturuara grabitqare, është tashmë viktimë e qartë dhe krejtësisht e pambrojtur që taksohet barbarisht nga këta Zuzarët e Grupeve që këta të kapin pak Maldive a ndonje Tajlandë për pushime.
Por nuk ka mbaruar.
I bëj thirrje SPAK të hetojë thellësisht edhe të vërtetën e mafias së ilaçeve.
I bëj thirrje SPAK që të hetojë imtësisht çdo zyrtar që ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKBPM – Agjensinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.
I bëj thirrje SPAK të hetojë që nga tenderi i godinës së re të AKBPM deri tek dokumentacioni i marrjes në dorëzim.
I bëj thirrje SPAK të hetojë laboratorin e AKBPM dhe a i plotëson kushtet dhe kriteret ligjore e standartet e duhura vendore dhe europiane ky laborator?
A është i kolauduar ky laborator?
A bën analiza barnash ky laborator?
Si bëhen dhe kush i bën analizat dhe çertifikimet e barnave në këtë laborator të AKBPM?
Grupet e strukturuara grabitqare shkojnë shumë më lart e janë si rrjetë merimange kudo e ngado në shëndetësi dhe farmaceutikë.
Ky është momenti që drejtësia të flasë e merimangat e grupeve të strukturuara grabitqare të shkojnë e thurrin keqbërjet e tyre prapa hekurave.
Arian Galdini





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.