LAJMI I FUNDIT

Ismail Kadareja i dha emër kombit shqiptar

08:32 - 02.07.24 BESIM NDREGJONI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA BESIM NDREGJONI 




Dje Ismail Kadareja, në orët e para të mëngjesit nuk u zgjua nga gjumi të shkruante letërsi, por kaloi në botën e amshuar, duke u ndarë nga kombi që e deshi dhe e nderoi në pediastin botërorë duke e renditur letërsinë shqipe në elitën e letërsisë botërore. Ky shqiptar i madh nuk do të jetë fizikisht pranë nesh, miqve, kundërshtarëve, elitës së fjetur shqiptare, ai shkoi tek Nënë Tereza, tek At Gjergj Fishta, tek Havzi Nela, tek At Zef Pllumi e Vilson Blloshmi. Kombin e tij e la të pasur me letërsinë e tij, që ka një emër botëror: Letërsia Kadare! Letërsia shqipe do të nderohet në botë siç është nderuar me emrin tënd të pavdekshëm, mijëra të persekutuar politikë në kohën e diktaturës merrnin frymëzim për të jetuar e përballuar vuajtjet me letërsinë tënde, ti fizikisht ike, por ti je pranë nesh çdo ditë se veprat e tua letrare janë të pavdekshme.

Të shprehesh për ju, Kadare i madh, është shumë e vështirë, por njohja me ju në vitet e pluralizmit ma bëjnë të lehtë t’i shkruaja këto fjalë zemre nga një antikomunist, që pati fatin t’ju takojë dhe të bisedojë me ju dhe t’ju kishte në krah për dënimin e krimeve të komunizmit. Je i vetmi intelektual shqiptar, që nuk ishe traumatizuar nga komunizmi, por nuk u pajtova gjatë tri dekadave me politikën antishqiptare, që nuk i dënoi krimet e komunizmit, përshëndetja e juaj në 20-vjetorin e Havzi Nelës, kur dënonit me forcën e argumentit se “Poeti është i qetë në botën e amshuar, por a është e qetë shoqëria shqiptare mbas varjes tuaj poet”. Apo kur dënonit politikanët postkomunistë në atë përshëndetje “Kështu ishte koha” dhe kërkonit me çdo kusht të jepnin llogari xhelatët që i kryen ato krime. Ti, miku im, u trondite kur u njohje me statistikën e krimeve të komunizmit me vrasjet, burgimet, internimet, zhdukjen e kufomave dhe më shkruanit “Shqipëria nuk mund të shkojë në Europë pa i dënuar krimet e komunizmit”.

Ishe i vetmi që deklarove publikisht mbështetjen tuaj për dënimin e krimeve të komunizmit dhe nuk iu bashkove korit të “ashtuquajtur intelektual e akademik” që iu bashkuan gjatë këtyre 34 vitet heshtjes dhe përçmimit antishqiptar të pushtetit dhe forcave politike që sundojnë Shqipërinë dhe nuk flasin apo të dënojnë krimet e komunizmit, sot e le Shqipërinë në një agoni trishtuese komuniste. Do t’i mungosh elitës së kombit, shqiptarëve, nuk do të kenë fizikisht mendjen tënde të ndritur, letërsia botërore do të ketë një mangësi të madhe pa ju. Atdheu humbi gjeniun e mendjendritur të letërsisë shqipe. Sot Kosova, Shkupi, Ulqini, Presheva, Çamëria janë në ditë zie për ty, o korifeu gjenial i shqiptarisë. Por siç nderohet Homeri në shekuj, ashtu do të nderohet vepra e jote, o shqiptari i pavdekshëm, Ismail Kadare. Atdheu vajton për birin e saj, por vepra e tij ndriçon për jetë në tokën Skënderbeut. Ngushëllimi im për Helenën, bashkëshorten dhe bashkëluftëtaren e denjë për ju, për vajzat dhe nipërit e mbesat është që t’i paraqes publikut dy përshëndetje të Isamil Kadaresë, drejtuar antikomunistëve dhe ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë:

NGA ISMAIL KADARE

Po ju dërgoj mesazhin tim të solidaritetit, për përkujtimin e poetit martir Havzi Nela. U mbushën njëzet vite që iu mor jeta, me një nga format më të vjetra e më barbare të dënimit që ka njohur njerëzimi: me varje. Vetë kjo formë e sidomos ky afat njëzetvjeçar, tingëllojnë të pabesueshme. Prej kohësh nuk ka pasur vrasje poetësh në kontinentin europian. E aq më pak prej kohësh nuk ka pasur varje, por Shqipëria nuk bënte pjesë as në Europë, as në kontinentin e qytetëruar të popujve.

Shqipëria në vitin 1988, në prag të rënies së komunizmit, ishte ende një njollë e zezë në hartën e kontinentit, një njollë e turpit dhe e krimit në shkallë planetare. Rendi komunist i egërsuar nga shenjat e para të lirisë, ashtu si bisha që egërsohet prej sinjaleve të dritës, donte të jepte një mesazh të kundërt me shpresën. Një mesazh frikësimi dhe tmerri. Dhe, për të qenë i besueshëm se ende nuk do të bënte asnjë lëshim, për të bindur të tjerët dhe veten e vet se ende ishte i aftë të vriste, zgjodhi formën më barbare të marrjes së jetës: varjen me litar. Një poet u lëkund në trekëmbësh, në qytetin verior të Kukësit. Kjo tregonte se programi themelor i stalinizmit shqiptar, vazhdonte të mbetej i pandryshuar.

Ashtu si në vitet 1945-1947, kur rrëzoi me plumb e me litar elitën kulturore, fetare e politike shqiptare, ashtu si më pas kur rrëzoi mijëra të tjerë, ky program vazhdoi të mbështetej mbi krimin dhe kryesisht mbi krimin. Krimi i jepte kurajë në orët e panikut, krimi i qetësonte në orët e ligështimit. Pa krim, shefat komunistë ndiheshin të dobët e të squllët. Me krimin ndiheshin trima, si gjithë frikacakët. Poeti Havzi Nela, që po të ishte gjallë do të festonte së shpejti 75-vjetorin e lindjes së tij është një kambanë që ende bije për shoqërinë shqiptare. Të mos e dëgjosh këtë kambanë do të thotë të vazhdosh të shkelësh me këmbë lirinë e Shqipërisë.

Krahas hezitimit për të dënuar krimet e komunizmit, një dukuri tepër e shqetësuar për të mos thënë monstruoze, vazhdon në Shqipëri. Pasioni i habitshëm për t’u dhënë tituj e nderime njerëzve që jo vetëm nuk bënë asgjë për lirinë, por që bënë gjithçka për ta shtypur atë. Shoqëria shqiptare ka nevojë të shkundet e të mbrojë liritë demokratike kundër çdo lloj kërcënimi që i vjen nga çdo lloj drejtimi e i fshehur pas çdo lloj maske. Vetëm kështu ajo do të jetë në gjendje të fitojë drejtpeshimin e munguar. Martirët e kanë qetësinë e tyre atje ku pushojnë. Është shoqëria shqiptare ajo, që nuk e ka. Dhe për këtë duhet të luftojnë të gjithë. Me nderime Ismail Kadare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.