Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e të shtunës (20 korrik), ku tre persona janë vrarë me armë zjarri në Memaliaj.
Viktimat janë identifikuar si Shyqyri Kalemi, Marsel Çela dhe Gledio Muka. I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20, në lagjen nr.3, Memaliaj, në lokalin e K.Kalemi.
Ende nuk dihen kush janë autorët, të cilët sulmuan drejt personave me armë zjarri.
Një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale, po vijojnë punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve.
Njoftimi i policisë
Memaliaj/Informacion paraprak
Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., 74 vjeç, M. C., 47 vjeç dhe G. M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.