Kryesore

Analiza e REL: Si ka qenë ecuria e marrëdhënieve mes Malit të Zi dhe Kroacisë që nga shpërbërja e Jugosllavisë deri sot

10:27 - 03.08.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Javën e kaluar, Kroacia shpalli persona non grata dy zyrtarë të lartë malazezë dhe një deputet, gjë që solli marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje në nivelin më të ulët diplomatik në vitet e fundit.




Që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990, këto marrëdhënie kanë kaluar nëpër faza të ndryshme, nga pjesëmarrja e Malit të Zi në agresionin kundër Dubrovnikut të Kroacisë e deri te normalizimi i tyre.

Nga ajo periudhë mbetën të hapura pyetjet për: kufirin në Prevlakë, krimet në kampin e Morinjit, pronësinë e anijes “Jadran”… të cilat morën rëndësi vitet e fundit pas ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi në vitin 2020.

Në zgjedhjet e mbajtura këtë vit, u zëvendësua qeveria tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviçit, me të cilin Zagrebi zyrtar kishte marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike.

Disa lëvizje të shumicës së re parlamentare, të udhëhequra nga partitë pro-serbe, si miratimi i rezolutës për gjenocidin në Jasenovac, çuan në ftohje të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Të dyja vendet sot janë anëtare të NATO-s. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2013 dhe Mali i Zi është vend kandidat.

Që nga viti 2000, ka pasur disa vizita shtetërore të nivelit të lartë dhe Kroacia i ka dhënë Malit të Zi përkthimet e rregulloreve të gjera evropiane të nevojshme në procesin e pranimit.

Çfarë i ka karakterizuar marrëdhëniet Kroaci-Mali i Zi që nga lufta?

• Sulmi në Dubrovnik filloi më 1 tetor 1991. Ai u krye nga forcat e atëhershme të Ushtrisë Popullore Jugosllave (JNA) me pjesëmarrjen e rezervistëve malazezë të komanduar nga gjenerali Pavle Strugar. Pësoi edhe Qyteti i Vjetër i Dubrovnikut, i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Rrethimi zgjati deri në maj të vitit 1992. U vranë 116 civilë, 194 mbrojtës kroatë dhe 165 anëtarë të JNA-së nga Mali i Zi. 33.000 civilë u zhvendosën dhe më shumë se 2.000 ndërtesa banimi u shkatërruan. Në kohën e sulmit, në pushtet në Mal të Zi ishte DPS-ja. Në atë kohë president ishte Momir Bullatoviç, kurse kryeministër Milo Gjukanoviç.

• Falje për vuajtjet dhe humbjet që i shkaktuan Kroacisë ushtarët malazezë, veçanërisht në zonën e Dubrovnikut, dërgoi Milo Gjukanoviç në vitin 2000 si kryeministër i Malit të Zi. Vlerësohet se rreth 7.000 rezervistë malazezë morën pjesë në sulmin në Dubrovnik. Deri më sot, Mali i Zi nuk ka nisur asnjë procedim penal për krime lufte në zonën e Dubrovnikut, dhe as ndonjë nga zyrtarët malazezë në atë kohë nuk është ndjekur penalisht për atë sulm.

• Gjenerali Pavle Strugar dhe zëvendësadmirali Miodrag Jokiç u dënuan për krime lufte të kryera gjatë rrethimit të Dubrovnikut para Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Strugari u dënua me tetë vjet burgim për rolin e tij në bombardimin e qytetit, i cili shkelte ligjet dhe zakonet e luftës, dhe Jokiç, komandant i Sektorit Ushtarak dhe Detar të Bokës, me shtatë vjet. Para Tribunalit u akuzua edhe admirali Milan Zec, i cili u shpall i pafajshëm për mungesë provash.

• Kampi Morinj, afër Kotorrit, u formua nga Mali i Zi gjatë rrethimit të Dubrovnikut. Aty u sollën edhe të burgosur të torturuar, kryesisht me kombësi kroate, nga rajoni i Dubrovnikut. Katër persona – një oficer rezervë, një polic ushtarak, një kuzhinier dhe një roje – u dënuan me gjithsej 12 vjet burgim për abuzim të të burgosurve me vendim të Gjykatës së Apelit të Malit të Zi nga viti 2014. Ky ishte vendimi i parë përfundimtar për krimet e luftës i shpallur nga një gjykatë në Mal të Zi. Përveç kësaj, një vendim gjykate urdhëroi Malin e Zi të paguajë 319.000 euro kompensim për 13 shtetas kroatë që ishin të burgosur në kamp.

• Pllaka përkujtimore, kushtuar të burgosurve kroatë në kampin Morinj, u zbulua në tetor të vitit 2022 nga dy ministrat malazezë, Ranko Krivokapiç dhe Rashko Konjeviç, në prani të kolegëve të tyre kroatë, ministrave Gordan Grliç Radman dhe Tom Medved. Menjëherë pas vendosjes së memorialit, kryeministri i atëhershëm malazez, Dritan Abazoviç, akuzoi ministrat, me të cilët tashmë kishte marrëdhënie të dëmtuara, se e kishin ngritur pllakën pa dijeninë e Qeverisë. Ai i akuzoi ata si përgjegjës për mbishkrimin në pllakë, e cila, siç gjykoi ai, amnistonte autoritetet e atëhershme të DPS-së malazeze për pjesëmarrjen në sulmin në Dubrovnik dhe ngritjen e kampit Morinj. Edhe pse Abazoviç premtoi të hiqte ose zëvendësonte pllakën me një mbishkrim adekuat, pllaka origjinale përkujtimore është sot në ndërtesën e ish-kampit Morinj, afër Kotorrit.

• Çështja e kompensimit për të burgosurit e kampit dhe nevoja për të ndjekur penalisht krimet e luftës për Kroacinë është ende një çështje e hapur në marrëdhëniet me Malin e Zi, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç në qershor 2023, gjatë një vizite në Podgoricë. Ai theksoi, gjithashtu, domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së 14 kroatëve të zhdukur nga ajo periudhë lufte.

• Çështja e kufirit të dy shteteve në Prevlakë mbeti e pazgjidhur. Pas konflikteve të luftës, Prevlaka, e cila ndodhet në hyrje të Gjirit të Kotorrit, u mor nga vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara deri në vitin 2002. Në atë kohë, Protokolli për Regjimin e Përkohshëm Kufitar përcaktoi se Kroacia ka pjesën tokësore të gadishullit dhe brezin detar në hyrje të Bokës, ndërsa pjesa e zonës ujore përgjatë bregut të majtë të gadishullit u deklarua “det i askujt”. Ky status është ende në fuqi edhe sot, edhe pse qeveritë e të dyja vendeve filluan të kërkojnë një zgjidhje të përhershme që në vitin 2008. Është formuar edhe Komisioni për Demarkacionin, i cili nuk është takuar që nga viti 2015. Komisioni Evropian, në raportin e fundit për Malin e Zi, tha se nuk ka progres në procesin e demarkacionit me Kroacinë. Për Kroacinë, deti është një objekt i mundshëm mosmarrëveshjeje, dhe për Malin e Zi, kufiri është si në det ashtu edhe në tokë.

• Anija shkollore “Jadran”, e ankoruar në Tivat, është çështja për të cilën Kroacia i dërgoi të paktën dy herë një notë proteste Malit të Zi. Hera e parë më 2018 dhe e fundit në gushtin e 2023-tës me rastin e 90-vjetorit të anijes. Mosmarrëveshja mes dy vendeve për pronësinë e anijes kulmoi në janar të këtij viti, kur u anulua takimi i ministrave të Mbrojtjes të të dyja vendeve, të cilët më herët kishin shkëmbyer replika të mprehta për temën se kujt i përket anija. Deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, “Jadran” ishte në pronësi të Marinës së JNA-së me një bazë në Split. Pas luftës, u ra dakord që prona e përbashkët e Jugosllavisë mund të konsiderohet pronë e republikës në territorin e së cilës ndodhej në kohën e shpërthimit të konfliktit. Dhe, anija “Jadran” ishte në Tivat në vitin 1991 për riparim. Kështu, ajo mbeti në zotërim të Malit të Zi, të cilin Kroacia e kundërshton sepse porti i tij i origjinës ishte Spliti.

• Në tetor të vitit 2023, Kroacia i dërgoi një notë proteste Malit të Zi, për shkak të shfaqjes së “figurave të famshme nga historia kroate” në billborde që promovonin identitetin serb përpara regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi. Në billborde ishin fotot e shkencëtarëve Rugjer Boshkoviç dhe Baltazar Bogishiç. Duke dënuar ashpër fushatën, Kroacia deklaroi se ajo ishte “një përpjekje për t’ia atribuar trashëgiminë historike dhe kulturore të Kroacisë dhe popullit kroat kulturës serbe”.

• Edhe për Kroacinë e kontestuar është çështja e emrit të pishinës së Kotorrit. Në vitin 2021, pas rindërtimit, pishina mori emrin e Zoran Xhimi Gopçeviç, i cili ishte një nga vaterpolistët më të mirë në Mal të Zi, por edhe roje në kampin Morinj ku kroatët u torturuan dhe u kapën gjatë rrethimit të Dubrovnikut. Kroacia e dënoi atë në atë kohë, por vetëm më 15 korrik të këtij viti u rekomandoi klubeve të saj të vaterpolos që të mos luajnë në atë pishinë derisa t’i ndryshohet emri.

• Më 25 korrik, Kroacia shpalli persona non grata kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi Andrija Mandiç, deputetin Milan Knezheviç dhe zëvendëskryeministrin Aleksa Beçiç. Mandiç dhe Knezheviç janë liderë të partive të shpërbëra të Frontit Demokratik pro-rus dhe pro-serb (DF) që iniciuan miratimin e Rezolutës për gjenocidin në Jasenovac. Rezoluta u miratua nga Parlamenti i Malit të Zi më 28 qershor, megjithëse Kroacia reagoi ndaj njoftimit të miratimit me një notë proteste për Malin e Zi një muaj më parë.

Kroacia e konsideron rezolutën një instrumentalizim të një krimi 80-vjeçar që ndodhi në territorin e saj. Kroacia deklaroi se ata janë shpallur të padëshirueshëm për shkak të shkeljes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe keqpërdorimit të vazhdueshëm të atij shteti për qëllime të brendshme politike./REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.