“Ditët e para kanë qenë disi të vësh tira. Ishte gjithçka e re dhe aspak e lehtë të ndryshosh pas 8 vitesh. Por dua të them që çdo ditë shkon gjithmonë e më mirë. Tani e njoh pak më shumë ambientin, i cili është i shëndetshëm dhe kjo e bën të lehtë ambientimin. Përpara sesa të zgjidhja Interin kisha folur me Arnautoviçin dhe i kërkova këshilla.
Ai kishte të drejtë kur tha që do të ndihesha menjëherë si në shtëpi. Janë fjalët e Piotr Zielinskit, protagonist i një interviste të gjatë në “Gazzetta Dello Sport”, i cili shpjegon arsyet që e kanë shtyrë për të zgjedhur zikaltrit dhe vendos objektivat për sezonin e ardhshëm.
Si ka qenë impakti i parë me Inzagin?
I shkëlqyer si me atë ashtu si me stafin. Flasim shumë me njëri-tjetrin. Në krahasim me të kaluarën duhet të bëj një punë ndryshe nga ajo që kam bërë deri tani, por janë mekanizma loje që i mëson hap pas hapi. Nuk kisha bërë kurrë një fazë përgatitore kaq të vështirë, por është një e mirë që do të ketë pasoja pozitive në të ardhmen.
Pse zgjodhët Interin?
Kisha mundësi të tjera si në Itali ashtu edhe jashtë vendit. Kishte shumë klube që ishin gati të paguanin që në janar për kartonin tim, por kur e shihja Interin nga jashtë, lojtarët me kualitet dhe mënyrën se si e vendoste skuadrën Inzagi mendova se ishte ekipi i duhur. Kam zgjedhur një projekt fitues pa asnjë dyshim.
Nuk ju lëkundën as milionat e Arabisë?
Kur më kërkonin u mendova një ose 2 ditë maksimumi dhe pastaj vendosa bashkë me familjen time që të qëndronim në Napoli. Edhe pse ishin shumë para në lojë, mua më interesonte jeta. Tani po pres me padurim momentin për të luajtur në San Siro që është një stadium mitik. Aty kam shënuar me fanellën e Napolit dhe tani dua ta bëj me atë zikaltër.
Besoj e di që nuk është e lehtë të gjesh hapësira në një mesfushë si ajo e Interit. E keni parë sezonin e fundit të Fratezit?
E jona është një nga mesfushat më të mira të Europës. Tani që kam ardhur edhe unë është akoma më e fortë (qesh). Përtej shakave, kur luaje kundër kësaj mesfushe e kuptoje menjëherë se sa e fortë ishte. Sapo ata humbnin topin, bënin një presion asfiksues për ta marrë sërish. Sa i përket konkurrencës, unë shpresoj që të luaj sa më shumë ndeshje të mundshme. Por ajo që ka rëndësi është të jem gati gjithmonë që trajneri të të aktivizojë sepse herët a vonë momenti vjen për të gjithë.
Çfarë mund t’i sjellësh ti këtij reparti?
Aksionet e mia me kualitet, por edhe eksperiencën sepse tani jam 30 vjeç dhe diçka në jetë dhe karrierë kam mësuar. Dua t’i sjell Interit sa më shumë gola dhe asiste.
Ka diçka që e lidh Inzagin me trajnerët e tjerë italianë që ke pasur si Sarri apo Spaleti?
Dua të përfshij edhe Ançelotin. Identiteti është i njëjtë, ai it ë luajturit me topin, të zotërojmë sa më shumë qarkullimin në ndeshje dhe të krijojmë raste. Është AND-ja e këtij Interi, ashtu siç ishte e Napolit.
Si e shpjegon rënien e Napolit në sezonin e kaluar, një vit pasi fitoi titullin kampion? Dhe çfarë këshille ke për Interin?
Sezoni i kaluar ishte shumë zhgënjyes dhe nuk di ta shpjegoj. Nuk mendoj që varet vetëm nga ne lojtarët, por realisht nuk e gjej dot motivimin e vërtetë pse gjërat shkuan kaq keq. Le të themi që këtu tek Interi janë të mësuar me fitoret dhe nuk ka rrezik që të kaplohet nga entuziazmi. Kjo gjë e ndihmon që të përsërisë rezultatet pozitive. Shoh shumë dëshirë për t’u rikonfirmuar sërish.
Cili është objektivi real i Interit në këtë sezon?
Përveç titullit kampion, ëndrra e të gjithëve është Champions-i. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për një lojtar, edhe pse Botërori i Klubeve është një kompeticion joshës. Nuk është e pamundur që t’ia dalim sepse kjo skuadër shkoi në finale dhe ka shumë kualitet.
A është Interi skuadra më e fortë me të cilën ke luajtur?
Është shumë herët për ta thënë këtë, por sigurisht që është një skuadër shumë e fortë. Mjafton të shohësh se sa superiore ishte në vitin e kaluar. Pastaj kësaj skuadre fituese iu shtuan edhe unë, Taremi dhe Martinez. Nuk e di nëse është më mirë apo më keq por edhe Napoli i Sarrit që iu afrua titullit dhe i Spaletit ishte spektakolar. Për mua janë më të rëndësishëm sukseset e së ardhmes sesa ata të së shkuarës.
Ju cituat Taremin, por çfarë tipi është iraniani?
Është një njeri pozitiv, i edukuar dhe i qetë. Ka mendimet e një kampioni dhe është i përqendruar vetëm te golat. Ajo që më ka befasuar prej tij, përveç fizikut është fakti se si e mbron topin dhe ftohtësia që ka përpara portës. Kur ai del aty, gjithmonë e çon në rrjetë.
Po për shokët e mesfushës çfarë mund të na thuash?
Çalhanoglu është saktësi e frikshme, por ajo që më ka befasuar është faza mbrojtëse e tij dhe agresiviteti. Barela bën gjithçka në perfeksion, por edhe inteligjenca e Mkitarianit. Nuk është rastësi që në moshën e tij vazhdon ende të jetë në formë dhe ka luajtur me kaq shumë skuadra të mëdha. Një lojtar të tillë duhet ta vëzhgosh për të mësuar prej tij.
Kjo konfirmon se do të jetë e vështirë t’ua marrësh vendin…
Këtë vit do të ketë shumë ndeshje dhe të gjithë do të luajnë. Unë thjesht duhet të jem gati për të dhënë më të mirën në fushë.
Çalhanoglu ka fanellën me numrin 20, që ju ka pëlqyer ju. Ju vjen keq që do të ndryshoni numër këtë herë?
Kam pasur fat me këtë numër, por nuk është një fiksim. Është normale që atë ta ketë Hakan tani. Unë pyeta nëse ishte i lirë numri 7 dhe e mora. Është një numër i bukur edhe ai. E ka përdorur im atë dhe i pëlqente vëllait. Tani duhet të blej disa fanella për t’i dhuruar.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL