Argument

Takimi i Vinçens Prennushi me Enver Hoxhës më 1945, që i parapriu dënimit me tij me 20 vite burg! Kleriku vdiq nga torturat në qeli

14:40 - 05.09.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje lindjen e Vinçenc Prennushit (1885- 1949), klerik, publicist, poet, mbledhës i folklorit dhe përkthyes.




MixCollage-05-Sep-2024-02-06-PM-9182

Lindi në Shkodër, ku ndoqi shkollën françeskane dhe seminarin e Troshanit. Më 1908 kreu studimet e larta për filozofi dhe teologji në Insbruk (Austri) dhe u shugurua meshtar. Pas kthimit në atdhe punoi si mësues e më pas drejtor i Kolegjit Françeskan (1920). Mori pjesë në Komisinë Letrare Shqipe të Shkodrës. Në vitet 1918-1929 drejtoi revistën “Zani i Shna Ndout”, ndërsa më 1921-1924 “Hyllin e Dritës”.

Vinçenc Prennushi ka qenë një ndër dinjitarët kryesorë katolikë në Shqipëri: më 1936 u emërua ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, më 1940 arkipeshkëv i Durrësit e i Tiranës; pas vitit 1944 qëndroi në fshatin Delbnisht të Laçit; gjatë vitit 1946 kryesoi Kishën Katolike Shqiptare. Vinçenc Prennushi ka qenë një nga anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve (1945). Në vitin 1946 arrestohet nga diktatura komuniste, gjykohet dhe dënohet me 20 vjet burg, burgoset dhe torturohet. Në vitin 1949 vdes në burgun e Durrësit nga torturat. Vepra më e rëndësishme e Vinçenc Prennushit është përmbledhja të përshpirtshme “Gjeth e lule” (1924, 1931), që u bë shumë popullore.

Në vitin 1908 shugurohet meshtar dhe kthehet në Shqipëri, shquhet për aktivitetin e tij shpirtëror dhe patriotik, gëzon simpatinë dhe vlerësimin e të gjithëve pa dallim feje e klase; vëllezërit myslimanë e thërrisnin “melek” d.m.th. “engjëll”. Zhvillon aktivitet të dukshëm si mësues e edukues: është profesor e më vonë drejtor i kolegjit françeskan të Shkodrës, në shkollën e motrave Stimmatine në Shkodër, në liceun “Illyricum”; është drejtor i shoqërisë “Bijat e Zonjës”: në veprimtarinë edukuese ka lidhur gjithmonë fort ndërmjet tyre ndjenjat fetare me ato patriotike. Ai u zgjodh dy herë Provincial i Françeskanëve shqiptarë. Në vitin 1936 shugurohet peshkop i Sapës (qendër e vjetër episkopale që më parë zëvendësonte Antivarin), dhe më vonë i Durrësit. Në vitin 1940 emërohet peshkop i Durrësit.

ANGAZHIMET

Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. U bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletoren e tyre “Ora e Maleve”, ku ishte ndër penat e rëndësishme. Më 1924 botoi broshurën me 16 fletë “Ndër lamijet” e demokracisë së vërtetë, ku ka shfaqur mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Më 19 mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën.

Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famullitar i Shkodrës, Imz. Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë. Në vitin 1945 Enver Hoxha i kërkoi takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi. Në atë takim, Hoxha, sipas një artikulli të Arshi Pipës me të cilin qe bashkëvuajtës në burgun e Durrësit deri në verën e 1948, u “konsultua” me klerikët për problemet e Kishës Katolike në Shqipëri. Qëllimi i vetëm i takimit ishte që të impononte këndvështrimin e tij për fenë dhe Vatikanin. Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar.

Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbërë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”. Prennushi deklaroi se lufta e tij ishte kundër komunistëve e Partisë Komuniste që të mos ekzistonin, kur të formohej pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.

Më 19 mars 1949, i sëmurë me zemër, vdiq nga tortura çnjerëzore në burgun e Durrësit. U shpall “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës. Hapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.

VEPRA

Në vitin 1911 boton me ndihmën e arkeologut dhe historianit Carl Patsch në Sarajevë Visaret e Kombit, Kangë gegnishte, folklor i mbledhur dhe i rreshtuar prej tij. Më 1918 botoi Fjala e Zotit si dhe romancën në vargje “Grueja shqyptare”, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën E tradhtuemja, përshtatje në shqip të T. A. Rolando.

Në 1921, botoi përmbledhjen e njohur poetike Gjeth’ e Lule, përmbledhje të cilën kritika e gjeti të bukur e delikate. Çabej e quajti “Poet i qytetit të Shkodrës”. Më 1931 boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”. Më 1939 poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhet në një antologji arsimore për shkollën e mesme. Më 1941 i shkruan parathënien përkthimit të veprës së Manzonit, “Të fejuemt”, nga At Mark Harapi. Qe pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret me zë të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka lënë një kontribut të madh me broshura e letra baritore për moralin e shëndoshë fetar. Botoi përkthimin Fabiola, a kisha nën dhé e mî dhé të Kardinalit Viseman. Përktheu, gjithashtu, Danten dhe sociologun Weber.

Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin “Quo Vadis” të Sienkievicz. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelicos “Burgjet e mia”. La në dorëshkrim veprat “I hueji në shpi të vet” (Sh’Aleksi), “Kujtime udhëtimesh”, kallëzime e përshkrime udhëtimesh të dy vizitave baritore që bani si provincial i françeskanëve në vise të ndryshme të Shqypnisë në vjetin 1931 e vjetin 1934, “Kujtime shpirtnore”, në dy vëllime.

 

 

/Gazeta Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.