Apeli i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lë në fuqi vendimin e shpalljes së pafajshëm të ish-kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri, duke rrëzuar kështu ankimimin e bërë nga SPAK. Ai ishte i akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe shkelje të barazisë në tendera.
Prokuroria e Posaçme kishte apeluar vendimin e GJKKO-së drejt Apelit të kësaj të fundit. GJKKO-ja shpalli të pafajshëm ish-kryebashkiakun e Pogradecit dhe 5 zyrtarë të tjerë të pafajshëm.
Por Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
SPAK kishte mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e PD-së në Pogradec dhe 5 ish-zyrtarë të kësaj bashkie dhe kishte ngritur ndaj tyre disa akuza.
Kapri dhe 5 ish-zyrtarët e tjerë u hetuan në lidhje me akuzat për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me fond limit 9 268 000 lekë (pa tvsh), e zhvilluar në datën 27.10.2017, nga autoriteti kontraktor, Bashkia Pogradec”. Ndërsa, fakti i dytë lidhet me tentativën për pengimin e procesit zgjedhor të 30 qershorit në vitin 2019.
Përveç Kaprit, në GJKKO ishin dërguar edhe dosjet për Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec, Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec, Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec dhe Nexhmi Torrën, me ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec.
Njoftimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), më datë 19.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 4/60 akti, datë 09.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit E.K. për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit E.K. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit A.Ç. për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit N.T. për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.
4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës E.K. për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.
5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit S.B. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit G.B. për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.
7. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit në themel, në bazë të neneve 393 të Kodit të Procedurës Penale, i ngarkohen palëve sikurse i kanë kryer.
8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.