Argument

Historia e trishtë e ish-të burgosurit të Spaçit: “Ndal, do të qëlloj”, gjëmoi ushtari dhe…

08:53 - 19.09.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë…mos u përzje…se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.




 

Hodhëm në kazan një vandak bujashka dhe morëm drejt daljes. Dhjetë metër më tej, u këmbyem me zjarrmëtarët që gjezdisnin frontet, të palosur nën peshën e argjilës dhe dinamitit, ato realizonin plasjet për turnin pasardhës…!

Po fekste.

“E shtymë edhe sot”! – i foli territ Jemini.

“Ndihem i lodhur për vdekje”, – u ankova.

“Byrazer, kështu jemi të gjithë, po bëj si të bësh gjersa të bjerë çanga”! – më dha zemër ai.

Pa reshtur zhaurima e gurëve mbi llamarinat e trimozhës, nga fundi i përroit, erdhën do tinguj metalikë, si të dilnin nga gryka e pusit, shpuan terrin nga ngushtica, morën terma kodrës dhe u përndanë shpateve. Ishte çanga e kampit, një predhë bronzi e kalibrit të madh, që e kishin varur në shtyllën para kuzhinës. Oshtima bronzërishte përçoi si rrymë elektrike notat e shqyera, jehonat e të cilave u ngërthyen në thepat e gjembave të rrethimit dhe qarkuan kodrën.

U drithërua terri, ajri u trand dhe yjet ngrinë në firmament. Kuisja e çangës dhe oshtima bronzërishte, trembi një hut që ndeu flatrat dhe iu sul hutueshëm galerave të braktisura. Ca shpezë burgu u ngritën fluturim dhe humbën gëmushave të burgosura. Zgjuan edhe ushtarët në karakollë, që ua kujtuan detyrën për të cilën i ushqenin me bukë gruri:

“Ndal! N-d-a-l, se do të qëlloj”! ushtoi kori i tyre.

“Hu-hu, ciu-ciu”, iu gjegj kërcënimit klithma e hutit dhe xhumba e zogjve.

“Ndal! N-d-a-l, se do të qëlloj”! së dytën ushtarët, por huti tashmë ish strehuar në burgun e vet, ndërsa shpezët u platitën në shkurret e burgut, pa kaptuar tabelat e “ndalim-kalimit”, duke ua lenë ngrehur çarkun e pushkëve ushtarëve të burgut.

Pa u shuar ende jehona e bronzit, nisën fishkëllimat: “fiu-friu”. Me to u përzien edhe ulërimat e Malos: “Turni i parë, çohu”, së bashku kaptuan rrethimin gjembaçë dhe u plasën në pllajën përbri, ku zgjuan një këndes, që ua ktheu: “ki-ki-ri-ki”.

“Fiu-friu”, “turni i parë çou”, “ki-ki-ri-ki” oshtiu gryka e Gurth-Spaçit.

“Pa-pa-pa, ç’tenor i shkëlqyer”! – simfonia mëngjesore e burgut, e magjepsi Esat Kalën.

“Cili, kaposhi”?

“Jo, tellalli”!

“Ç’na the, ai të çjerr veshët, me tonin e ngjirur”!

“S’ke vesh muzike ke ti, or mik”!

Ai do bënte të rënkonin edhe të vdekurit e varrosur në varret e burgosur, me atë zë të çjerrë, ma thotë mendja do t’u trandej gjumi edhe të ndjerëve të lirë matanë kojkës, kur dëgjojnë këto hingëllima.

Fishkëllimave të bilbilave, oshtimës së bronzit, ulërimave te Malos dhe kiki-ri-ki-ve të këndesit, iu shtuan britmat e ushtarëve dhe rrapëllimat e gurëve mbi llamarinat e trimozhës, që bënë të uturinte lugu.

“Ç’na hëngrën ymrin këto oshtima, bubullima, fishkëllima, britma, ulërima, klithma, krisma, rrufe, batare, sharje, shkarje, rrëzime, rrënime, gjëmime, rënkime, dhimbje, plasje, vrasje, shembje, vdekje, o Zot”! – u ankua Esati.

“Vërtet s’na u ndanë”! – i mbajta iso unë.

“Ç’po thua”?!

“Përsërita ç’ka the zotërote, na u qepën tërë jetën”!

“Edhe përtej”!

“Ka edhe më”?

“Në përtej jetë”?

“Po më pas”?

“E di Partia”!

“Cila Parti, o derdimen”?

“Partia e Punës, që s’le mal pa çarë e det pa tharë”! – Esati ngjeshi grushtin në ballë dhe shkërbeu komunistin e devotshëm.

“Gati-tu! – shpotita unë.

“Në emër të Partisë dhe shokut Enver, përherë gati”! – plotësoi ai.

“Edhe në emër të… popullit, që na hoqi lirinë”!

“Do ta qepësh buçen zotërote, se ma hëngre 731-shin e Kodit Penal të Republikës Popu…”!

“Të Kinës”?

“Të Shqipërisë Socialiste…”!

Ndërkaq, gara mes gjelit dhe tellallit, mori përmasa të papara.

“Ku e lamë Esat”?

“Sh-sh-sh-t, dëgjo Malon ç’thotë dhe si po ja kthen këndesi”!

“Varu torbën, m’u qepën sytë dhe po më uturin koka”.

“Pusho të thashë, se burgu ka veshë…”!

“Burgu po, por qeveria është shurdhe”!

“Do ta mbyllësh sqepin ti, apo…”?! – gjoja m’u ngrefos Esati dhe bëri tutje. Peisazh mëngjesor, pesë sahati. Do të prisnim edhe dy orë.

“Dy orë”? -“O-u-ah, s’na duhet ora”,- shprehej Arshini, dhe Esati: “E di Partia”, sepse në fakt, fushën e saj e kishin zëvendësuar me gëzhojën e topit dhe zemberekun me fyçkën e Malos, teksa Partia na ngopte me tingëllima, fishkëllima, hingëllima, kapërthyer me ëndrra burgu dhe me shpresa të shuara, spërkatur me duhmë pecesh të shtrënguara, me erë pordhash dhe fendësh burgu, që fëlliqnin si lëfyt gjirizi.

Poshtë rrëzomës nisën ecejaket.

Nga gryka e galerisë shpërthyen avuj dhe gazra të burgosur në rropullitë e nëntokës, u nderën mbi humbëtirën Spaçiane, si mbi një oxhak gjigant. Teksa era e burgosur orvatej t’i rrëmbente e t’i davariste, pa mundur t’i shtynte tej gjeratores, masa avullore tërhuzej si kalë i kllaposur pas lakut, vërtitej rreth strumbullarit imagjinar, pa u shkëputur dot, kurse gulshi i rikthente sërishmi në grykën ku kish zënë fill. Mblodha rreth trupit peliçen e lagur nga avujt, e vesha dhe u struka pas cepit të barakës, ku më kotën gërhimat monotone të policit, që depërtonin plasat e dhogave të pa-puthitura.

M’u qepën sytë.

Humba në boshllëkun pa caqe.

Ndërkaq, një gojë e shqyer me dhëmbë çakallozë dhe sy gjigant sa perimetri i galerisë, m’u fanit pjerrtas dhe hungëriu:

“Oh-oh-oh, s’më shpëton dot këtë here”!

“Kush qenkeni ju, zotëri”?

“Unë? Polifemi”!

“Ah, të kujtova prokurorin”!

“Ha-ha-ha, prokuror!? Unë jam më tepër se aq, jam Gjëmimi”!

“Përshëndetje zoti Gjëmim”! – i shtriva dorën.

“Duhet të hidhërohesh! – tërhoqi putrën leshatake. Pse po tërhiqesh”?!

“S’i zë besë, asnjë njeriu mbi tokë”!

“Unë jam nëntokë”!

“Bukuri, të kam pranë”!

“Zotëri, jam politikan unë”! – u mburra me shpresë mos e sugjestionoja.

“Mrekulli, një armik më pak”! – zgurdulloi syrin gjigant dhe skërmiti çatallët.

“Zoti Polifem, nuk erdha vetë, po më shtinë në burg”! – iu ankova duke u dridhur.

“Ç’na the, ore!? Unë kam mijëra vjet në terr, më zi se në burg”!

“S’të kam faj unë”.

“Më nxorët kokërdhokun”!

“Ohu-u, mesele e vjetër”! – desha ta çorientoja.

“S’harrohet e shkuara”!

“E drejtë, s’harrohet”!

Ai turfulloi dhe krijoi një vorbull të fuqishme. – “Më kujtuat qorr, hë”?

Unë heshta, ai shtoi: – “Okulisti më kuroi mirë e bukur”! – syri i xhamtë u zmadhua sa hyrja e galerës.

“Më bëhet qejfi”!

“Mos të të bëhet fare, sepse do të kullufis”!

“Përse e ke zënë me mua”?

“Je stërnip i Odisesë”!

“Ha-ha-ha, gabohesh zoti Polifem, stërnip i tij, është Odhiseu”! “Cohu”! – u rreka të mbrohem.

“Po ti, a je ballkanas”? – pyeti papritmas.

“Padyshim, por shqiptar”!

“Me ju epirotët e kam, keni hak për të larë”!

“Merre te komunistët, që na i kanë bërë borxh të dyve”!

“Te cilët”?

“Ajo farë e keqe, ty të prishi shpellën, neve na futën nën dhe”!

“Janë raca ime, o qorr”, – dhe shqeu gojën kaba.

U kruspullosa pas shkëmbit-greminë, kërkova ndonjë dash të fshihesha nën bark, por shkreti. Shkreti dhe… shkreti.

Vetëm ne të dy, unë dhe Polifemi.

“Çohu se erdhi turni”!

“Jo, jo, jo…”!

“Eja se do ikim”!

“Të lutem, të lutem…”- dhe shtriva duart drejt ciklopit.

“Ç’alanisesh kështu, o kokë-ë? Mblidh dhitë, se më shkule mustaqet, bre”! Qimet e përforcuara me pluhur shkëmbi, gati më fshikën veshin.

“Çohu, mo”! – britma më çau daullen.

Pashë në të çarat e dhogave, por polici kishte fuguar, teksa galeria e gjerë si shpellë Polifemi dhe shfrynte avuj të zbardhëllemë.

Qjer ne udhën kryesore eca i kalamendur.

“Si keni ndje burra”, ngjatjetoi dikush, “ditën e mirë”, ja ktheu një tjetër.

“Ditë qenka”!?

“Mëngjes, or tungjatjeta”!

“E dija natë”!

“Zoti ju ruajt e, dalshit shëndoshë”, përshëndetën të njohur e të panjohur.

“Ruhuni nga Polifemi or miq, se m’u duk i uritur”! i këshillova, po vargani vazhdoj drejt shpellave, pa ma vënë veshin, ndërsa të tjerët zbrisnin teposhtë brinjës.

U vara i hallakatur në shkallaret shtufore.

Isha i shterur gjer në asht. Çizmet më rëndonin si gjyle galerianësh, ndërsa në veshë gumëzhinin gjinkallat, qepallat m’u varën si qeska qelbi.

Somnambul kalova portën dhe mbërrita në fjetore, ku u gremisa mbi jatakun me kashtë pa larë, pa shtënë gjë në gojë, madje pa u zhveshur fare dhe u zhyta në humbëtirën pa dritë. Trushkartisur, s’ndjeva as zhaurimat dhe as trak-trakun e nallave mbi çimento, bile as ulërimat e tellallit kur thirri drekën.

Turni i parë qe kthyer, ndërsa kishin ngrënë drekë.

“Çohu se vajti akshami, s’të del koha as për në hale”! – më shkundi Nuni.

“Ç’ka bërë vaki, o Bishë”?! – e pashë sy shqyer.

“Ka ardhur një ekip nga Komiteti Qendror për eksperiencë, nga zotëria juaj”?

“Ç’po thua”? – u mbështeta në brinjë sy mbufatur.

“Të kam thënë xhani im, janë të tepërt librat në burg”!

“Librat”? – instinktivisht futa dorën nën jastëk, preka librin dhe u qetësova.

“Ik shurrohu, se qelbe jatakun”! – veshi nallanet dhe shtoi: – “Me ç’duket, ma hëngre birucën sot”!

“Pse, u dha sinjali për apel”?! – pyeta i shtangur.

“Jo ore, do të merrnin dorën ty”!

U shtrova mbi jatak. Petrit Hoxha, përgjegjësi i fjetores, po zgjonte ata që kish mundur gjumi.

“U ngrite, o çun”? – më pa me keqardhje.

“Me të keq, or xhaj”!

“Epo, i ka burgu këto”! – dhe bëri më tej.

U çova vrik, vesha opingat dhe mora teposhtë për nga nevojtoret, ku sa s’u plasa me Zaken.

“U ngrite, o çapaçuli i Zakes”? S’i ktheva përgjigje.

“Për ku kështuzë, mo”? – për së dyti.

“Në banjë, ku tjetër”?

“Si po kalamendesh zotërote, do piqesh me ushtarin”!

“Leri shakatë, kam qenë turni i tretë”!

“Ujku qorr, të del vet në shteg, futi një plumb mollaqeve dhe pesëmbëdhjetë ditë leje, qelepir”!

“Jam i lodhur, or mik”!

“Kthehu, që të ndjek tersi tynë”! – më zuri për bërryli dhe më shtyu drejt barakës. – “Këtejza, mo”! Stopova buzë rrëpirës, ku desh shkapërceva berberhanën dhe mora teposhtën.

“Ndal! Pra-pa ktheu, se do të qëlloj”! gjëmoi ushtari nga truproja.

“Ej dreq, çdo ky me mua? Apo më pandeh rrul, pse jam kokëqethur? Helbete jemi moshatarë”?!

“Plasi sytë o vërsnik, unë jam i burgosur politik”!

“Nda-a-a-l, se do të qëlloi”! për së dyti ushtari.

Zakja më kapi për mënge dhe më shtyu drejt nevojtores. “Brr, brrrr, brrrrr…Brram, brr-rr-um, bërr-rrr-dam”.

U struka në strehën-nevojtore.

Brr-rr, prr-rromb, prr-rrumb, pëf-fff…!

“Po qëllon, ëh”! – aroma e jashtëqitjeve, m’i pruri zorrët në grykë. – “Mbaje dorën, or burrë”! Brr, brr-rr, brrrrr…Brram, brr-rram, bërrr-rrr-dam.

“Erë baruti kjo”?

Brr, brr-rr, pëf-fff…Brram, brr-rram, bërrr-rrr-dam.

“Kujdes o moshatar, do vrasësh të tjerët”!

Krr brr-rr, pëf-fff…Brram, brr-rram, bërrr-rrr-dam.

“Mirë se mua më paske zët, ngaqë s’erdha rekrut me ty, po ç’ke me prrr-rr-domb, prr-rrdumb, pëf-fff…! Ç’erë ka baruti”?

Prr brr-rr, pëf-fff…! Brram, brr-rram, bërrr-rrr-dam. Baruti apo muti?

Brr, brr-rr, pëf-fff…Brram, brr-rram, bërrr-rrr-dam.

“Na vrave, or burrë”!

“S’vritet robi me pordhë, or cull”? – doli një zë nga kthina ngjitur.

“Jo”! – ia ktheva.

“Thiu do plumb, or ta marsha”! – vazhdoi i padukshmi.

“Padyshim”! – pohova.

“Unë veç pordhë kam”! – brr-rr-rr-rram, brrump, brromp, pëfff, pufff. – “Po qëllon ushtari…”!

“Jam ftohë ligsht! Më ka xanë barku, or shoq”!

“Si the”? – pyeta me ankth.

“Jam plevitos keq, jam plak njitash”! – “Ah, ah-hh”!

Një kokë e mbledhur me turban u dha në kthinën përbri, bëri ca hapa me poture ndër këmbë dhe u rikthye në tharkun nga doli.

“O Zot, vdiqa”! – brr-rr-rram, brr-rromb, pëff, puff! – “Oj nana jëme”!

“Të vrau”? – pyeta i merakosur.

“Më griu, or burrë”!

“Më fal, e kishte me mua, sepse s’prita të shkoja ushtar”!

“Gjynah eh burrë, ti je ala i ri”! Memorie.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.