Për 11 ditët e fundit, rreth 1500 punëtorë të gjigantit të teknologjisë koreano-jugore Samsung Electronics kanë dalë në grevë në shtetin jugor indian të Tamil Nadu, duke çuar në ndërprerje të mëdha në prodhim.
Fabrika në qytetin Chennai, si një nga dy fabrikat e Samsung në Indi, punëson rreth 2,000 punëtorë dhe prodhon pajisje shtëpiake, duke kontribuar rreth një të tretën në të ardhurat vjetore prej 12 miliardë dollarësh të kompanisë në Indi.
Punëtorët që kanë dalë në grevë mblidhen çdo ditë pranë fabrikës 17-vjeçare, duke kërkuar që Samsung të njohë sindikatat e tyre të sapoformuara të punës – Samsung India Labor Ëelfare Union (SILËU). Ata thonë se vetëm një sindikatë mund t’i ndihmojë ata të negociojnë paga dhe orë pune më të mira me menaxhmentin.
Protesta, një nga më të mëdhatë që Samsung ka parë në vitet e fundit, vjen edhe kur kryeministri Narendra Modi ka kërkuar investime të huaja duke e pozicionuar Indinë si një alternativë të qëndrueshme ndaj Kinës për aktivitetet prodhuese.
Samsung India ka lëshuar një deklaratë duke thënë se mirëqenia e punëtorëve të saj ishte prioriteti kryesor i saj. “Ne kemi iniciuar diskutime me punëtorët tanë në fabrikën e Chennai për të zgjidhur të gjitha çështjet sa më shpejt që të jetë e mundur,” tha ai.
Disa orë më parë, policia arrestoi rreth 104 punëtorë që kishin ndërmarrë një marsh proteste pa leje, të cilët u liruan në mbrëmje.
Punëtorët kanë tre kërkesa kryesore: Samsung duhet të njohë sindikatat e reja, të lejojë negociatat kolektive dhe të refuzojë sindikatat konkurruese pasi rreth 90% e fuqisë punëtore i përket SILËU, tha zoti Soundararajan.
Punëtorët, të cilët fitojnë mesatarisht 25,000 rupi (298 dollarë; 226 £) në muaj, po kërkojnë rritje që arrijnë prej 50% gjatë tre viteve të ardhshme.
“Ne mohojmë kategorikisht që punëtorët janë detyruar të punojnë për katër orë pa ndërprerje. Të gjithë punëtorët marrin pushime të përshtatshme në mes”, tha Samsung India në një deklaratë zyrtare.
“Gjithashtu, punonjësit punojnë në detyrën e tyre të caktuar të procesit të prodhimit pasi produktet kalohen përmes linjës së transportuesit. Atyre nuk kërkohet të ‘përfundojnë’ një produkt në një hark kohor të tillë, gjë që nuk është realiste. Ne ritheksojmë se jemi në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret”, thuhet në njoftim.