NGA DEMUSH SHASHA
Me apo pa Asociacion, kjo gjendje efektive e dialogut nuk do të ndryshojë pasi faktorët strukturorë – mungesa e vëmendjes ndërkombëtare dhe e mirëbesimit të palëve negociatore – do të ngelin të pandryshuar. Këtë mësim së paku e kemi marrë deri më sot nga Marrëveshja e Prespës
Fillimi i vitit 2021 është dukur si lindje e një shprese të re optimizmi për dialogun Kosovë–Serbi. Brenda vendit, më në fund kishim një qeveri stabile me legjitimitet të bollshëm për të bartur peshën e dialogut. Në Serbi, legjitimiteti i Vuçiçit u konfirmua në zgjedhjet presidenciale. Kësisoj, lidershipi në Prishtinë dhe në Beograd ishte gati për dialogun.
Edhe ndërkombëtarisht, yjet ishin renditur në favor të dialogut. Në Shtëpinë e Bardhë ishte ulur personi më i afërt i Kosovës në gjithë skenën politike amerikane. Në rajon u dërguan ambasadorët amerikanë që kishin përvojë dhe njohuri të jashtëzakonshme për Kosovën dhe rajonin. Me emërimin e Lajçakut, edhe BE-ja dërgoi sinjal se çështja e dialogut do të marrë një vëmendje të re. Ardhja e një lehtësuesi nga një vend mosnjohës i bindi optimistët se tani ai do të jetë në një pozitë më të favorshme për ta komunikuar pozicionin e Kosovës karshi vendeve mosnjohëse. Në këtë valë të optimizmit, vetë Borrelli dhe Lajçaku flisnin për dialogun si çështje muajsh dhe jo vjetësh.
Po ashtu, shumëkush priti se zhvillimet gjeopolitike, sikur pushtimi rus i Ukrainës, do t’i japin shtytje dialogut Kosovë–Serbi. Pushtimi rus e nënvizoi rëndësinë e stabilitetit politik dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo e ktheu vëmendjen e kancelarive perëndimore drejt Kosovës dhe Serbisë. Kësisoj, edhe ky zhvillim e çimentoi shpresën se tani patjetër se do të këtë progres në kuadër të dialogut Kosovë– Serbi.
Thënë ndryshe, pas nesh po e lëmë një kohë ku objektivisht ishin përmbushur të gjitha parakushtet për progresin në kuadër të dialogut. Por sot, kur ngadalë po i afrohemi fundit të vitit 2024, po shohim se sa shumë shpresa jonë ishte e gabuar. Dhe rrjedhimisht vetëvendoset një pyetje: nëse e gjithë kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për progres në kuadër të dialogut, atëherë çfarë mund të presim nga e ardhmja? Është tejet vështirë të shohësh një skenar pozitiv. Le të fillojmë me dinamikat në Kosovë dhe Serbi.
Në Kosovë, herët apo vonë, skena politike do të kthehet në gjendjen e saj natyrore, ku vota qytetare do të shpërndahet më barabartë te tri partitë kryesore politike. Kjo përsëri do ta ballafaqojë Kosovën me peshën e madhe të dialogut për çfarëdo koalicioni qeverisës. Në Serbi, Vuçiçi ka arritur zenitin e pushtetit të tij dhe largimi i ngadaltë i tij nga skena politike do ta privojë dialogun nga një akter legjitim serb, i aftë për ta bartur peshën e dialogut. Po ashtu, dinamikat ndërkombëtare pritet të jenë më pak të favorshme për dialogun. Kushdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë do ta shohë Ballkanin me më pak prioritet se administrata e tanishme. Për administratën Harris, Ballkani do të jetë një çështje triviale që nuk duhet ta pengojë fokusin drejt Kinës. Kjo do të përkthehet në menaxhimin e vazhdueshëm të krizave në rajonin tonë. Për administratën e Trumpit, Ballkani do të jetë një vend me “shithole countries”. Këtë hendek të injorancës së Trumpit për rajonin do ta mbushin figurat e paparashikueshme të rrethit të tij. Sikur çdo gjë në administratën Trump, paparashikueshmëria do të jetë “name of the game”. Me stabilizimin eventual të pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja përsëri do ta largojë vëmendjen nga rajoni ynë.
Kësisoj, është tejet vështirë të jesh optimist për të ardhmen e dialogut minimalisht deri në fund të vitit 2030. Këtë parashikueshmëri të zymtë mund ta përmbysë vetëm një zhvillim dramatik, sikur rënia e regjimit në Moskë dhe rirendimi i shpejtë dhe vendimtar i arkitekturës së sigurisë në Evropë. Në mungesë të një zhvillim të tillë dramatik, ajo që do të shohim deri në vitin 2030 është çfarë kemi parë që nga viti 2021 deri më sot. Pasojat e kësaj do të jenë stagnimi ndërkombëtar i Kosovës. Episodet, sikur dështimi në Këshill të Evropës dhe bllokimi i rrugës evropiane, do të metamorfozojnë në gjendje permanente. Dhe e gjithë kjo nuk duhet të ndërlidhet vetëm më çështjen e themelimit të Asociacionit. Me apo pa Asociacion, kjo gjendje efektive e dialogut nuk do të ndryshojë, pasi faktorët strukturorë – mungesa e vëmendjes ndërkombëtare dhe e mirëbesimit të palëve negociatore – do të ngelin të pandryshuar.
Këtë mësim së paku e kemi marrë deri më sot nga Marrëveshja e Prespës. Kësisoj, Kosova e gjen veten në një pozitë të ngjashme sikurse Maqedonia e Veriut. Prandaj, sikur në Shkup, mungesa e perspektivës evropiane do t’i ushqejë agjendat sovraniste. Por për dallim nga Maqedonia e Veriut, ne kufizohemi me një fqinj jomiqësor. Kjo do t’i shkaktojë krizat e vazhdueshme të sigurisë dhe politike. Dhe ky fat do ta presë çdo kryeministër, pa dallime politike. Janë thjeshtë forcat strukturore dhe impersonale që do t’i vendosin dinamikat respektive. Prandaj sot, duke iu afruar fundit të vitit 2024, është koha ta vëmë optimizmin tonë nën kontroll. Nga sot është mirë ta shohim gotën gjysmë të mbushur.
/Gazeta Panorama