Apeli i Posaçëm rrëzoi sërish kërkesën e ish kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi për ndryshim të masës së sigurisë.
Berberi kërkoi masë më të lehtë se ajo e “arrestit në burg”, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga gjyqtarja Saida Dollani.
Ish kreu i ARRSH mbahet në qelinë e paraburgimit që prej datës 16 mars të këtij viti. Bashkë me të në pranga u vendos edhe Valter Begaj edhe Ervis Lami.
Ky i fundit u la i lirë pak kohë më parë nga shkalla e parë, por Apeli i Posaçëm e riktheu sërish në qeli, pas ankimimit të vendimit të GJKKO nga Prokuroria e Posaçme.
Nga hetimet e organit të akuzës rezultoi se Berberi gjatë kohës që ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por edhe në krye të ARRSH dha gjashtë tendera për kompaninë e ortakut të tij Valter Begaj dhe më pas fitimet i kalonin kompanisë që ai zotëronte në mënyrë indirekte.
Dy biznesmenët Lami dhe Begaj dyshohet se në bashkëpunim me Berberin , kanë bërë shitje fiktive të kompanisë së ish kreut të ARRSH dhe veprime të tjera fiktive duke bërë të mundir fshehjen e veprës penale të korrupsionit.
Hetimi i SPAK tregon se përfitim ka qenë rreth 2.2 milione euro që u investuan nga kompania “DAAM” shpk, në pasuri të paluajtshme.