Banka Kombëtare e Shqipërisë u krijua më 4 tetor të vitit 1913. Pas afro pesë shekujsh robërie, populli shqiptar shpalli Pavarësinë e tij Kombëtare.
Kjo ishte një kthesë e rëndësishme në historinë e tij, e cila pati një rëndësi të madhe për zhvillimin e mëtejshëm dhe të shpejtë politik, ekonomik dhe shoqëror të vendit. Me gjithë gjendjen tepër të vështirë në të cilën ndodhej, Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit mori një sërë masash për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Politika ekonomike e qeverisë së Ismail Qemalit pati si qëllim t’i vinte në ndihmë sipërmarrjes shqiptare, e cila ishte në hapat e parë të saj.
Në kuadrin e këtyre masave një rol të veçantë do të luante bashkëpunimi i saj me shtetet e fuqishme perëndimore, për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Më 4 tetor 1913 përfundoi marrëveshja e qeverisë së Ismail Qemalit, për krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein, që vepronte në emër të grupit bankar austro-hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana, që vepronte në emër të grupit bankar italian. “E them me lavdërim se puna e Bankës për Shqipërinë është një i dyti fitim, pas lirisë, edhe nga pikëpamja ekonomike dhe politike”, ka deklaruar Ismail Qemali në një fjalim të mbajtur në Vlorë. Mirëpo banka veproi për një kohë shumë të shkurtër. Kjo, jo për faj të qeverisë shqiptare, por për shkak të zhvillimeve politike që ndodhën me shpërthimin e luftërave ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore.
IDEJA
Banka e Shqipërisë u krijua më 4 tetor të vitit 1913 kohë kur qeveria e Ismail Qemalit vë themelin e Bankës. Ideja për ngritjen e një Banke Kombëtare Shqiptare zë fill që në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Në veprën e tij “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?”, patrioti i shquar Sami Frashëri shtron domosdoshmërinë e ngritjes së një Banke Kombëtare të Shqipërisë dhe propozon si njësi monetare të Shtetit të ri Shqiptar, frangun shqiptar. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me 28 Nëntor të vitit 1912, diplomati i shquar Ismail Qemali krahas detyrave të tjera për ndërtimin e Shtetit Shqiptar mori masat për ngritjen e Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Bisedimet e para, ai i kreu me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të Wienner Bank Verein që vepronte në emër të grupit bankar austro – hungarez dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të Banca Commerciale Italiana.
Gjatë kësaj kohe, u morën masa të gjithanshme për të mbështetur fillimin sa më të shpejtë të veprimtarisë së bankës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, gazeta “Përlindja e Shqipënies “, organ i qeverisë së Ismail Qemalit, depozitoi pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë fondet që dispononte. Sipas studiuesit Haxhi Shkoza, asokohe Inspektor i Përgjithshëm i Oborrit Mbretëror në kohën kur ka botuar librin -1935, veprimtaria e bankës nisi menjëherë në fillimin e tetorit 1913 ndërsa qeveria shqiptare do t’i bënte thirrje shtresave të pasura që mjetet e lira t’i depozitonin në bankë. Marrëveshja e tetorit 1913, dinjitoze për kohën, tregoi jo vetëm orientimin politik properëndimor të Qeverisë së Ismail Qemalit, por njëkohësisht edhe vizionin shtetformues të saj. Një shtet pa bankën e tij nuk vlen asgjë. Dyqind e tre vjet më parë, pikërisht më 18 janar 1800, kur u krijua Banka Qendrore Franceze, Napoleoni do thoshte se “nëse shteti pret paratë nga bankierët, atëherë kontrollin e shtetit e kanë bankierët dhe jo shtetarët”.
Ndërsa Ismail Qemali e konsideronte aktin e krijimit të Bankës Kombëtare si fitoren e dytë pas shpalljes së pavarësisë kombëtare. Ngjarjet që rrodhën në këtë kohë, si shpërthimi i luftërave ballkanike dhe i Luftës së Parë Botërore e shndërruan Shqipërinë në një shesh lufte. Në këto rrethana, Banka Kombëtare e Shqipërisë, pa kaluar shumë kohë do të mbyllte veprimtarinë e saj. Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, gjë që u bë realitet në bazë të marrëveshjes së përfunduar nga MufidLibohova në emër të qeverisë shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipërisë do të ishte në Durrës, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën e tij në Romë. Kjo bankë u themelua me 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 hodhi në qarkullim monedhën e parë kombëtare shqiptare. Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli dhe nga viti 1938 u gjend në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit.
Në fjalimin e përurimit të ndërtesës së Bankës së Shqipërisë në Tiranë, në vitin 1938, drejtori i asokohe Antonio Moscheti do të shprehej “ndërtesa e re, vepër e ndritur e arkitektit Prof.Morpurgo dhe e bashkëpunëtorëve të tij, në vijat e saj të matura e hijerandë aq sa edhe artistikisht elegante, dëshiron me qenë pikërisht shprehja dhe sinteza e atij organizmi të fortë e të sigurtë siç është Banka Kombëtare e Shqipërisë”. Konventa ekonomiko-doganore e prillit 1939, që përkon me periudhën e luftës në Shqipëri, i dha mundësi Bankës Kombëtare të Shqipërisë të bëjë ndryshime thelbësore në politikën e saj monetare. Karakteristikë dalluese e kësaj periudhe ishte kalimi nga politika deflacioniste në atë inflacioniste në lëmin e monedhës. Ajo qe aktive në fushën e kreditit ku, në konkurrencë me Bankën e Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar. ’44-’90, Banka e Shtetit në funksion të ekonomisë së centralizuar Me çlirimin e Shqipërisë, më 29 nëntor 1944, filloi procesi i shtetëzimit.
Më 13 janar 1945, u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të Shtetit Shqiptar. Pak kohë më vonë u morën masa të tjera për përqendrimin e bankave në duar të shtetit. Kështu, në gusht të vitit 1945 u suprimua Banka Kombëtare e Punës, ndërsa në nëntor të vitit 1945 u suprimua Banka e Napolit në Shqipëri. Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar nisi të zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit. Banka e Shtetit Shqiptar trashëgoi edhe aksionet që kishte Banka Kombëtare e Shqipërisë pranë Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel. Por, disa vite më vonë, më 20 maj 1977 drejtoria e përgjithshme e Bankës së Shtetit Shqiptar i dërgon një telegram Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare ku kërkohet shitja e këtyre aksioneve dhe në këtë mënyrë vendoset largimi nga BIS Bazel-i. Që nga shkurti i vitit 1946 deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash. Karakteristikë për këtë periudhë ka qenë centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit.
Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtër dhe afatgjatë, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera dhe me bankat e huaja. Pas vitit 1990, transformimi i madh politik drejt demokracisë solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij transformimi ishin ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankave tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun banker.
NDËRTESA
Godina e Bankës së Shqipërisë ka përfunduar së ndërtuari në vitin 1936. Stili i saj arkitektonik i përket rrymës së “Racionalizmit”, rrymë e cila lulëzoi në gjysmën e parë të shekullit XX në Evropë. Projekti i godinës është realizuar nga arkitekti i njohur italian i asaj periudhe, Vitorio Marpurgo. Ky stil shquhet për volumet e mëdha dhe linjat e forta në fasada. Kryesisht ai është aplikuar në ndërtimet shtetërore me karakter zyrtar, me qëllim që të shprehte forcën e qeverive të asaj kohe dhe është përdorur në shumë vende te Evropës Perëndimore. Në këtë këndvështrim, edhe godina e Bankës së Shqipërisë bën pjesë në ndërtimet më të spikatura të asaj kohe në llojin e vet, rrymës racionaliste. Në projektidenë e saj, godina është konceptuar me planimetri shumëkëndëshe dhe ndarë nga ana funksionale në dy pjesë, në korpusin qendror, që do të kryente funksionin përfaqësues të bankës dhe në pjesën operative të saj. Kjo e fundit do të ndërtohej në të dy krahët anësore të pasme të korpusit kryesor.
Kjo pjesë do të ndërtohej në vitet ’40-të, por, për arsye të Luftës së Dytë Botërore, nuk u realizua ndërtimi i saj. Korpusi qendror i saj është i ndërtuar në formën e një harku, i detyruar nga pozicioni i saj në sheshin kryesor të qytetit. Hyrja e saj kryesore është realizuar nga një portal madhështor, që përfshin të gjithë lartësinë e fasadës dhe i mbështetur në kolona të forta, si dhe e zbukuruar me relieve murale ne argjile te pjekur ne ngjyrën karakteristike te saj qe ne kompleks i jep një paraqitje shume dinjitoze godinës. Krahas godinës se bankës me te dy pjesët e saj, kompleksi ishte parashikuar te plotësohej edhe me pallatin e banimit për punonjësit e bankës. Edhe ky objekt ishte në stil arkitektonik të njëjtë me bankën dhe ishte parashikuar te ndërtohej afër bankës, përbri godinës se Parlamentit shqiptar të viteve ’30-te, sot Teatri i Kukullave.
HISTORIA
Ky institucion nuk jetoi gjatë për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Njohur me emrin Banka Kombëtare e Shqipërisë ajo e filloi veprimtarinë e saj në vitin 1925. Historia e Bankës së Shqipërisë dhe e sistemit monetar e të kreditit në Shqipëri është historia e përpjekjeve që i paraprijnë krijimit të institucionit të bankës qendrore (1863- 1924), krijimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë (1925- 1944), kalimit në Bankën e Shtetit Shqiptar (1944-1992) e cila kishte njëkohësisht atributet e një banke tregtare dhe ato të një banke qendrore, për të përfunduar në sistemin me dy nivele me Bankën e Shqipërisë (që prej 1992), e cila përmbush nevojat e plota të një banke qendrore.
Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar më 28 Nëntor 1912, një nga kujdeset parësore të qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemal Bej Vlora ishte mëkëmbja e një banke emetimi dhe krediti në Shqipëri, e cila ta zhvillonte veprimtarinë e saj në përputhje me normat e bankave kombëtare të shteteve evropiane. Ismail Qemali e konceptonte Bankën Kombëtare si një institucion financiar, i cili duhej të synonte në radhë të parë zhvillimin ekonomik të vendit, kurse fitimin duhej ta realizonte nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe stabilizimit të shtetit të pavarur shqiptar. Jo më kot, bankën kombëtare ai e ka cilësuar si “…e dyta fitore pas lirisë”.
Në 4 tetor të vitit 1913, Qeveria e Ismail Qemalit nënshkroi me përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, Wienner Bank Verein dhe Banca Commerciale Italiana, koncesionin e parë për krijimin e Bankës Kombëtore të Shqypëniës. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftës I Botërore, Banka Kombëtare e Shqipërisë nuk mundi të zhvillojë aktivitet. Pas ripohimit me akte ndërkombëtare të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1921, u bënë diskutime të shumta për ngritjen sërish të një banke kombëtare, çka u bë realitet me marrëveshjen e përfunduar nga Mufid Libohova në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Mario Albertit në emër të një grupi financiar italian. Qendra administrative e Bankës Kombëtare të Shqipnis do të ishte qyteti i Durrësit, ndërsa Komiteti Administrativ do ta kishte qendrën në Romë.
THEMELIMI
Banka Kombëtare e Shqipërisë u themelua më 2 shtator 1925 dhe në shkurt të vitit 1926 i dha vendit monedhën e parë kombëtare shqiptare, “frangun ar”, me nënfishat e tij, “lekë”. Që prej themelimit, Banka Kombëtare e Shqipërisë adaptoi një sistem monetar të standardit të arit, i cili vepronte në mjaft vende në atë periudhë. Sipas konventës së themelimit, Banka ishte e detyruar të mbante një rezervë metalesh të çmuara baras me një të tretën e bankënotave të vëna në qarkullim.
Duke mos qenë vetëm një bankë emisioni, ajo e shtriu veprimtarinë edhe në lëmin e kreditit, ku gjatë një periudhe 10-vjeçare veproi në kushte monopoli, ndërsa nga viti 1938 e gjendur në një konkurrencë të fortë me degën në Shqipëri të Bankës së Napolit dhe me Bankën Kombëtare të Punës, rriti shumë kreditimin dhe mbajti pozita sunduese në tregun shqiptar. Pushteti që doli nga Lufta Nacional-Çlirimtare në nëntor 1944, nisi menjëherë procesin e shtetëzimit. Më 13 janar 1945 u miratua ligji mbi anulimin e konvencionit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe të aksioneve të saj. Po në këtë datë u miratua edhe ligji organik i Bankës së Shtetit Shqiptar. Kjo bankë u krijua si një institucion i rëndësishëm i sistemit financiar të Shtetit Shqiptar. Gjatë vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar nisi ta zhvillojë veprimtarinë e saj në lëmin e emetimit të monedhës dhe të kreditit.
Me Dekretligjin nr. 445, datë 07.07.1947 “Mbi heqjen nga qarkullimi të bankënotave të quajtura franga dhe emetimin e një emisioni të ri”, njësia bazë monetare, në vend të Frangut, u caktua Leku. Që nga shkurti i vitit 1946 e deri në fund të vitit 1990, Banka e Shtetit mbështeti procesin e zhvillimit të ekonomisë socialiste. Gjatë kësaj periudhe, në Shqipëri kanë vepruar një numër i kufizuar bankash. Karakteristika kryesore e kohës mbetet centralizimi i skajshëm i këtij sistemi në duart e shtetit. Banka e Shtetit Shqiptar, si bankë qendrore ishte qendër e emisionit të monedhës. Ajo grumbullonte mjetet përkohësisht të lira dhe u jepte ndërmarrjeve, kooperativave bujqësore dhe personave të veçantë kredi afatshkurtra dhe afatgjata, kryente shërbimin e arkës unike, mbante llogaritë e të ardhurave dhe të shpenzimeve, ruante fondet në valutë të shtetit, kryente veprimet ekonomike e financiare të shtetit me vendet e tjera, si dhe me bankat e huaja.
NDRYSHIMI
Me fillimin e viteve ‘90, ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri solli ndryshime thelbësore edhe për sistemin bankar. Tiparet kryesore të këtij ndryshimi ishin: ndarja e funksioneve të bankës qendrore nga funksionet e bankave të nivelit të dytë (bankat tregtare), rritja e numrit të bankave, shtrirja e veprimtarisë së tyre të kreditit në disa degë të ekonomisë shqiptare, si dhe hyrja e kapitalit të huaj në tregun bankar. Në cilësinë e autoritetit monetar e mbikëqyrës të vendit, Banka e Shqipërisë, e cila u krijua me miratimin e ligjit nr. 7559 “Për Bankën e Shqipërisë”, datë 22 prill 1992, gëzon funksione të mirëfillta të një banke qendrore klasike, me objektivin kryesor që të garantojë arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe eficiencën e sistemit financiar./Gazeta Panorama