POLITIKË

Berisha takon Donald Lu: Ja ku fshihet Balili. Shullazi, më i fortë në burg se jashtë

14:15 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu është takuar “kokë më kokë” me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha. Ky takim mësohet se ka zgjatur rreth 1 orë dhe është zhvilluar në zyrën e këtij të fundit. Nga sa mësohet, në fokus të këtij takimi ka qenë situata politike në vend dhe protesta e PD-së.

Z.Berisha i ka thënë ambasadorit Lu se, në vlerësimin e tij, situata është kritike për vendin, më kritike se në gjithë ekzistencën e pluralizmit. Ai theksoi se opozita shqiptare, për herë të parë në histori, fillon një protestë të pandërprerë në periudhë elektorale si dhe renditi arsyet e kësaj proteste.

“Opozita para zgjedhjeve që do të zhvillohen, përballet me një mal me para droge, me të cilat nuk përballet opozita e asnjë vendi tjetër në botën e lirë. Mbjellja e gjithë vendit me kanabis ishte një politikë e Edi Ramës me një qëllim nga më kryesorët: zgjedhjet. Opozita beson se Shqipëria me drogën nuk zhvillohet, por shkatërrohet”. Në këtë kontekst, Berisha u shpreh se Rama, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një lloj Noriege, ndaj të cilit SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajnë qëndrim të prerë.

Duke vijuar më tej, ai thekson: “Së dyti, arsye tjetër pse opozita po proteston janë bandat kriminale më të rrezikshme të vendit, të cilat janë liruar dhe po lirohen nga burgu me ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, si Lul Berisha, Hakmarrja për Drejtësi etj., me qëllimin kryesor: grabitjen e zgjedhjeve. Klement Balili sot shëtit i lirë nëpër Sarandë ndërsa shefi i policisë që duhet ta arrestojë është emëruar prej tij dhe informohet për çdo operacion. Nga ana tjetër, Shullazi është pothuaj më i fuqishëm në burg se sa jashtë burgu, duke u dhënë urdhra dhe ofruar favore zyrtarëve në të gjitha nivelet e administratës”, – u shpreh Berisha.

Duke renditur arsyen e tretë, Berisha theksoi se 120 mijë punonjës të administratës, si kurrë ndonjëherë në histori, janë shpallur nga qeveria si patronazhistë, të cilët detyrohen të sjellin vota, dhe jo vetëm të familjes, por dhe të të afërmve dhe të njohurve të tyre, dhe të dorëzojnë numrat e telefonit dhe të kartave të identitetit të personave që me detyrim marrin në patronazh.

Së katërti, Berisha shprehu shqetësimin edhe për situatën e mediave në Shqipëri, të cilën e vlerësoi si më të keqe se në vitin 1991. Asokohe, theksoi ai, mediat zyrtare censuruan plotësisht opozitën, por Zëri i Amerikës dhe Radio Vatikani transmetonin të gjithë aktivitetet e saj. Ndërsa sot, sipas ish-kryeministrit Berisha, opozita përjeton shkallën më të lartë të censurës në të gjithë ekzistencën e saj.

Gjatë takimit, Berisha i theksoi ambasadorit Donal Lu se, kriza që u shfaq në Maqedoni një vit para zgjedhjeve ndërmjet forcave politike maqedonase, si mosbesim për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm nuk ka asnjë krahasim me situatën tejet dramatike në Shqipëri për procesin elektoral.

Në këtë takim, Berisha vlerësoi se që nga themelimi i pluralizmit, forcat politike kanë bashkëpunuar ngushtë dhe me sukses si me Institutin Kombëtar Demokrat Amerikan ashtu dhe me atë Republikan dhe shprehu mirënjohjen ndaj tyre. Mirëpo, ai theksoi se, që nga viti ‘93 deri sot, George Soros ka shpenzuar miliona dollarë jo vetëm në mbështetje të ish-komunistëve shqiptarë, por direkt kundër PD. Ai u shpreh se Soros është një milioner dhe se në Ballkan i blenë lirë politikanët, por theksoi se do vlerësonte që qeveria amerikane të ndalojë një veprimtari të tillë të tij. Ish-kryeministri Berisha dha shembuj konkret të ndërhyrjeve të tij të dëmshme për demokracinë në mbështetje të Edi Ramës.

Sipas Berishës, për këto arsye opozita është jashtë parlamentit dhe po proteston për votën e lirë dhe jo për pushtet.

Pak ditë më parë ambasadori i SHBA-së, Donald Lu ka zhvilluar edhe një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha ku është diskutuar për situatën politike dhe reformën në drejtësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.