Kryesore

Saimir Tahiri thumbon LSI: Koalicioni ynë me ata që duan drejtësinë

17:55 - 21.03.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Gjatë një takimi me strukturat e PS në Kombinat, ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur edhe njëherë për opozitë, duke u shprehur se Shqipëria nuk është peng i atyre që dje ishin në pushtet. Por në fjalën e tij, Tahiri nuk ka kursyer edhe një mesazh për LSI-në. Gjatë fjalimit Saimir Tahiri është shprehur se koalicioni i Partisë Socialiste është vetëm me shqiptarët.

Deklarata e plotë

Po e kthejnë demokracinë kokë poshtë. Ca thonë qeveri teknike. Zgjedhjet bëhen për të drejtuar qeverinë. Këta duan qeverinë pastaj të bëjnë zgjedhjet. Ata që deri dje ishin në pushtet, sot janë në çadër. Dëgjojini ç’po thonë; Nuk dalim nga çadra përveçse po të na jepni qeverinë. Se Shqipërinë e kanë trajtuar si plaçkë dje, e kështu e kërkojnë si plaçkë sot. Po shpikin kriza, kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve. Si mund të shtyhet dita e zgjedhjeve në emër të demokracisë? Vetëm këtu dëgjon se demokraci qenka të mos marrësh pjesë në zgjedhje, e jo e kundërta. Këto janë lojëra të atyre që duan pushtetin, jo qytetarët e as Shqipërinë. Ndaj jo në 17, as në 19, por në 18 Qershor ne do jemi bashkë me shqiptarët në kutitë e votimit. Se Shqipëria nuk është peng e as do jetë peng i atyre që dje ishin në pushtet për hesapet e tyre e nesër duan prapë pushtet për hesapet e tyre. Shumë janë lodhur nga balta e politikës. Ndaj ka ca që thonë se jemi të gjithë njëlloj. Jo, nuk jemi të gjithë njëlloj, kurrsesi. Prandaj hajde bëhemi bashkë e trokasim derë më derë. Të flasim me njerëzit e ti sqarojmë. Se nqs zhurma që ju del nga kutia e televizorit të ka zënë veshët, harroje. Zgjidhja nuk është te ata që ju dalin me sharje e akuza te kutia e televizorit por tek ata që bëhen bashkë të kutia e votimit.

Nqs politika e madhe të është neveritur, të duket si luftë apo si cirk, zgjidhe në 18 qershor te kutia e votimit. Behu bashkë me të gjithë ata që iu ka ardhur në majë të hundës nga 25 vjet me politikanë e politikë që dinë vetëm të majmen, të flasin por jo të punojnë. Bëhu bashkë me ata që politika e 25 viteve i ka braktisur, i ka lënë të dobët. Të varfër, të papunë, me halle aq shumë sa nuk ia kanë terezinë dhe halleve të politikës. Miqtë e mi, ne jemi më të fortë, të gjithë bashkë jemi më të fortë. PS është më e fortë. Ata janë të fortë te korridoret e politikës, ne jemi të fortë këtu me njëri tjetrit. Ata janë të aftë në dhomat e pushtetit, ne jemi të aftë në lagje, rrugë e rrugica, qytet e fshat, kudo ka shtëpi me njerëz që kanë një hall, e hallin e tyre janë të gatshëm ta kthejnë në forcë bashkë me ne. Ata janë të fortë te kutia e televizorit, ne do jemi të fortë, të gjithë bashkë, te kutia e votave. Mos u lodhni me gjëegjëza, koalicioni ynë më i rëndësishëm është këtu, në çdo lagje, në çdo rrugë, në çdo derë, me çdo njeri, burra, gra, të rinj e të reja. Koalicioni ynë është me shqiptarët për Shqipërinë që duam. Me ata që duan shtet, drejtësi. Me ata që duan punë, duan paga, duan dinjitet. Koalicioni më i madh është ai i njerëzve që Shqipërinë e duan më të mirë, jo më të lirë. Shtetin e duan më të fortë, jo më të shpartalluar.Gjyqtarin të pakorruptuar, jo kokë e këmbë të korruptuar

Nuk janë partitë, por njerëzit. Është më i rëndësishëm qytetari që ka hallin e legalizimit të shtëpisë sesa politikani që do legalizimin e partisë. Qytetari që do tapinë e tokës dhe se ka marrë ende, sesa politikani që Shqipërinë e trajton si tokën e vet. Gjimnazisti që do një shkollë sesa politikani pa shkollë që të bën edhe dëngla morali gjithë ditën. Studenti që do një punë, sesa politikani që ka frikë mos ngelet pa punë. Është më i rëndësishëm qytetari që do shtet se politikani që do pushtet. Qytetari që do ekonomi e mirëqenie, sesa politikani që do varfërinë e njerëzve që i blen lirë. Për ne janë më të rëndësishëm ata që duan drejtësinë, sesa ata që në politikë fshihen nga drejtësia. Ndaj hajde bëhemi bashkë, shkojmë derë më derë. Hajde bëhemi bashkë, ti japim dorën njëri tjetrit. Hajde bëhemi bashkë dhe fitojmë si kurrë më parë në këto 25 vjet. Flasim për punët që kemi bërë, për ato që nuk kemi bërë ende e mbi të gjitha për punët që do bëjmë të gjithë bashkë. Politika nuk e mban dot peng Shqipërinë. Njerëzit nuk i mban dot peng e shkuara. Ne kemi bërë shumë, kemi ende për të bërë shumë, por kemi shumë për të humbur nqs kthehemi pas.

Ndaj hajde bëhemi bashkë, për Shqipërinë që duam. Në 18 qershor, ne do fitojmë. Shqiptarët do fitojnë. Shqipëria do fitojë. Në 18 Qershor PS do fitojë e pas 18 qershorit, Edi Rama do jetë kryeministër, për të çuar përpara punët që ende kemi për të bërë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.