Kryesore

Nikolla i përgjigjet Mehmetajt: Ku ishe ti Kejdi dhe deputetët e tjerë të forcës tënde, kur u prezantua reforma?

12:03 - 05.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ish-ministrja e Arsimit Lindita Nikolla i është përgjigjur akuzave të deputetes së LSI-së, Kejdi Mehmetaj. Ajo pyet retorikisht “LSI-ja ku ishte në momentet që u bë Reforma?”

Po ashtu Nikolla e fton Mehmetajn të mos përhapë panik te maturantët që sot kanë dhe provimin e parë të tyre.

REAGIMI I NIKOLLËS:

Më dërguan sot një status të Kejdit, ku akuzon për dështime në arsim këto katër vjet. Habitem që kandidatë të LSI sillen si opozitarë. S’ka përgjigje më të mirë se ky status, për kërkesën tonë që, PS duhet të drejtojë e vetme timonin e reformave në të katër vitet e ardhshme. Ky status është vërtetimi që, forcat e tjera në koalicion, njërën dorë e mbajnë në timonin e qeverisë dhe tjetrën e përdorin për të goditur forcën kryesore që nxit reformat në vend.

Disa pyetje për Kejdin si deputete e LSI:

– Ku ishe ti moj vajzë, kur u mbyllën 22 universitet private, piramida të ngritura edhe kur forca jote politike bashkëdrejtonte Ministrinë e Arsimit?

– A ke diçka për të thënë për bashkëpërgjegjësinë tuaj në hapjen e universiteteve private piramidale si kërpudha deri në 2013-ën?

– Si i ka patur marëdhëniet forca juaj me universitetet e mirënjohur për shitje diplomash?

– Ku ishe ti Kejdi dhe deputetët e tjerë të forcës tënde, kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e gjelbër të reformës? Nuk erdhi askush, megjithëse jeni ftuar rregullisht.

– Ku ishit kur ju ftuam për të prezantuar dokumentin e dytë të reformës? Prapë askush.

– Po kur ftuam të gjithë komisionin e arsimit për të diskutuar me detaje draft ligjin me komisionin e reformës ? Sërish në Jalë?

– Sa kohë qëndrove kur u debatua ligji në Komisionin Parlamentar, për tri ditë rresht, nga 16 orë në ditë? Sa sugjerimë për përmirësime bëre?

– Pse munguat edhe në debatin maratonë publik të komisionit, në lidhje me vërejtjet e ardhura nga universitetet ?

E dashur Kejdi,

Ti je një vajzë e re, dhe nuk ka dëm më të madh që i bëhet kauzës së të rinjve në politikë, sesa kur dikush, që i janë dhënë të gjitha mundësitë për të kontribuar, zgjedh politikën e baltës.

Dy fjalë për reformën dhe ligjin, që me shumë gjasa ende nuk e ke lexuar, megjithëse e ke votuar vetë. Nuk ke dëgjuar edhe se çfarë ekspertët dhe përfaqësuesit e KE thonë për atë që ti e quan “katrahurë”. Informohu paraprakisht edhe për aktet nënligjore.

Ligji forcon universitet publike, iu jep autonominë për të cilën kanë patur nevojë, iu jep mundësinë të zgjedhin vetë si dhe sa të zhvillohen. Dhe kjo ka dhënë rezultatin e saj.

Vitin që shkoi u regjistruan në universitet publike 5 % më shumë studentë dhe në universitetet private 27% më pak se përpara reformës. Ku e mbështet tërë atë batare balte moj vajzë?

Ligji i jep mundësi më të mirëve të zgjedhin degët që duan dhe kjo ka dhënë rezultat. Vitin që shkoi, u përmirësua ndjeshëm cilësia e studentëve në 56% të programeve të studimit në universitetet publike.

Ligji u mundëson universiteve publike të hartojnë buxhetet e tyre dhe të përdorin në mënyrë efiçente financat dhe kjo ka funksionuar. Buxhetet e univesiteteve këtë vit, janë më të mëdha, megjithëse nuk janë rritur me asnjë qindarkë tarifat.

Ligji vendos kontroll të rreptë mbi cilësinë e universiteteve publike dhe private, ndaj me agjensinë britanike të akreditimi po vijohet për kontrollin dhe akreditimin e universiteteve.

Është bërë shumë dhe ka ende edhe më shumë për të bërë. Por siç duket qartë, kemi shumë për humbur, nëse kthehen ata që e sollën arsimin në gjendjen që e gjetëm.

Dhe në fund një këshillë Kejdi:

Mos e bëj gabimin që bëre një vit më parë, duke shkaktuar panik tek maturantët. A ke menduar një çast se sa keq ke ndikuar tek ata me daljet e tua vend e pa vend? Të njëjtën gjë po tenton të bësh edhe këtë vit me statusin tënd.

Nuk meritohen votat kështu!

Ndaj të pres të dalësh e të bësh thirrje që të ndëshkohet kushdo që mashtron maturantët, duke iu ofruar tezën imagjinare në këmbim të kartës së identitetit dhe të eurove për kartën e prindërve.

Bashkohu dhe ti me mua për ta denoncuar këtë mashtrim! E para, nuk ka asnjë shans, për askënd, që teza e sekretuar e maturës shtetërore, me disa nivele sigurie, të dalë. E dyta, ky është trefish krim: njerëzor, shoqëror dhe elektoral.

E treta, gënjeshtra nuk mund të jetë kurrë një shans për të gjithë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.