![GSH APP](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/gshok.jpg)
![Download on Apple Store](https://balkanweb.com/wp-content/uploads/2019/01/ios.jpg)
![Get it on Google Play](https://gazetashqiptare.al/wp-content/uploads/2022/04/android-app.png)
Tre të mitur nga Tepelena: Deni 5 vjeç, Jonela 3 vjeçe dhe Rafaela 11 muajshe pasi humbën nënën po braktisen edhe nga babi i tyre.
Drama e tre të vogëlusheve nisi më 17 gusht të vitit 2017, kur prindërve të tyre, Bledar dhe Elvana Nanaj, iu refuzua azili ekonomik pas tre vitesh emigrimi në Bon të Gjermanisë.
![Bledar dhe Elvana Nanaj](http://www.gsh.al/wp-content/uploads/2018/02/12-5.jpg)
31-vjeçarja, e cila sapo kishte sjellë në jetë fëmijën e tretë, Rafaelën, u zhyt në depresion. Duke mos e duruar dot idenë e riatdhesimit dhe kthimit në kushtet e vështira ku ata jetonin më parë në Tepelenë, ajo vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëvarur.
38-vjecari, i detyruar nga rrethanat, pasi kryen të gjitha procedurat për të sjellë trupin e bashkëshortes në vendlindje, kthehet edhe vetë me tre fëmijët. Fillimisht janë të afërmit ata që e ndihmojnë për tu kujdesur për të miturit, sidomos për vajzën e sapolindur të cilën e mori nën përkujdesje nusja e kushëririt të tij, Merita Nanaj.
![Merita Nanaj dhe fëmijët](http://www.gsh.al/wp-content/uploads/2018/02/me-femijettt.jpg)
Megjithatë me kalimin e kohës kushtet e vështira ekonomike në të cilat jetonte Bledari i përkeqësuan gjërat. Ai është i detyruar që t’i braktisë të tre fëmijët duke mos qenë në gjendje që t’i rrisë vetë.
“Jetojmë në mjerim dhe mungesa e ndihmës nga ana e shtetit është zero…Punë nuk ka, nuk di çfarë të bëj”, shprehet 38-vjeçari, që fillimisht do t’i duhet të çojë në brefotrof Rafaelën e vogël vetëm 11 muajshe. Por edhe dy të miturit e tjerë shumë shpejt kanë për të patur fatin e motrës së tyre.
“Jam i detyruar t’i lë, me mua po vuajnë për bukën e gojës. Ime shoqe e dinte këtë gjë ndaj edhe i dha fund jetës. Ajo shpëtoi, ndërsa unë?!”, shton mes lotësh Bledari i dorëzuar tashmë.