Kronikë

Tentoi të vriste prindërit e ish-gruas, prokuroria kërkon ekstradimin e 36-vjeçarit nga Amerika

10:05 - 20.04.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ervis Kuçi– Prokuroria e Fierit kërkon ekstradimin nga SHBA-të të një 36-vjeçari për t’u gjykuar në Shqipëri, pasi dyshohet se një vit më parë ka tentuar të vrasë prindërit e ish-gruas. Bëhet fjalë për të pandehurin Lulëzim Sinaj nga Patosi, i cili akuzohet për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Mësohet se pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 12 marsit të vitit që shkoi në qytetin e Ballshit, ai arriti të largohej në vendin përtej Atlantikut. Nga hetimet njëvjeçare të Prokurorisë për Krime të Rënda e më pas Prokurorisë së Fierit, është arritur të konkludohet se Lulëzim Sinaj qëlloi për të vrarë prindërit e ish-bashkëshortes, Ludmidha dhe Edmond Xhaferraj. Mësohet se ai i qëlloi disa herë me pistoletë.




NGJARJA
Më datë 12 mars 2017, rreth orës 20:00, në lagjen “28 Nëntori” të qytetit të Ballshit, Lulëzim Sinaj, akuzohet se ka trokitur në derën e ish-vjehrrit të tij. Nga deklarimet e të dëmtuarve është mësuar se kur Edmond Xhaferraj ka hapur derën, është përballur me një person veshur me të zeza, me fytyrë të mbuluar, i cili mbante në dorë një armë të mbuluar me qeskë, të cilës i shihej vetëm tyta. Ai i kishte thënë të dëmtuarit të futej brenda dhe të ulej. Sipas deklaruesve, personi që mbante pistoletën në dorë kishte sytë dhe zërin e Lulëzim Sinajt, ish-bashkëshortit të vajzës së tyre.

Të plagosurit kanë deklaruar para hetuesve se personi i armatosur që kishte hyrë në banesën e tyre kishte hequr për një moment kapuçin e më pas e kishte rivënë, duke u thënë se do t’i vriste të gjithë. Më pas, Ludmidha i është afruar agresorit dhe ka tentuar ta nxjerrë nga banesa. Sinaj kishte bërë disa hapa prapa dhe kur ndodheshin në shkallët e pallatit, Edmond Xhaferaj i ka thënë Lulëzimit se çfarë kishte ndërmend të bënte, ta realizonte mbi të. Në këtë moment ai ka tërhequr këmbëzën, por nuk i ka shkrepur. Më pas ai ka shtënë dy herë të tjera ndaj Ludmidhës dhe tri herë ndaj Edmondit duke i plagosur të dy rëndë. Pas kësaj, autori ka ikur me shpejtësi duke humbur çdo gjurmë. Ka qenë një banor i qytetit të Ballshit, ai që ka dorëzuar në polici pistoletën me silenciator, një dorezë plastike, dy çorape të zeza, dy papuçe ngjyrë blu, një leckë e disa qese që janë gjetur nga një fëmijë në një degë peme poshtë pallatit. Lulëzim Sinaj ishte martuar në Boston të SHBA-ve me vajzën e tyre, Negisa Xheferajn. Por, pas mosmarrëveshjeve mes tyre, ata janë ndarë para dy vitesh. Vajza e të dëmtuarve e kishte denoncuar Lulëzimin për keqtrajtim dhe ndaj tij kishte nisur një proces në SHBA. Ndërkohë, sipas deklaruesve, i akuzuari Lulëzim Sinaj ishte lidhur me një vajzë nga Memaliaj. Nga hetimet ka rezultuar se Lulëzim Sinaj kishte mbërritur në Shqipëri më datë 7 mars, ka kryer krimin e tij pesë ditë më vonë dhe është rikthyer sërish drejt Amerikës, ku më pas është arrestuar dhe po vuan dënimin për dhunën e ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij. Për udhëtimin e Lulëzimit drejt Shqipërisë ka qenë në dijeni edhe ish-bashkëshortja, Negisa, e cila i ka porositur prindërit që të mos e prisnin në shtëpi. Por, pavarësisht kësaj, Lulëzimi ka realizuar planin e tij të hakmarrjes, që fatmirësisht nuk mori dot jetën e dy prindërve të ish-bashkëshortes së tij. Pritet që pas ekstradimit në Shqipëri, ai të gjykohet për veprën penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë, që parashikon dënimin e jo më pak se 20 viteve heqje lirie ose burgim të përjetshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.