Dorjana Bezat- Thonë se lidhja mes prindërve dhe fëmijës është e fortë, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Një rast tragjik është regjistruar në Durrës ku babai 70-vjeçar ka rrahur për vdekje djalin.
Ngjarja ka ndodhur më 2 korrik në fshatin Gjuricaj. I moshuari, Xhavit Tema ka goditur me sende të forta të birin Agron Tema, 41 vjeç si edhe nusen e tij J. Tema 24 vjeçe.
I moshuari është arrestuar në flagrancë nga policia dhe të plagosurit janë dërguar në spital.
Por, pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët vetëm 3 ditë më vonë, në 5 korrik, 41-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Ndërsa 24-vjeçarja vijon të jetë nën kujdesin e bluzave të bardha.
Njoftimet e policisë:
-Më datë 02.07.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh.T., vjeç 70, banues në fshatin Gjuricaj, pasi në Gjuricaj, ka goditur me sende të forta, djalin dhe nusen e djalit A.T., dhe J.T., vjeç 41 e 24, A.T., ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, J.T., pa probleme për jetën. Neni 130/a i Kodit Penal.
-Në vijim të komunikatës që bënë fjalë për veprën penale “Dhuna në familje”, më datë 05.07.2018, ka ndërruar jetë në spital shtetasi A.T., vjeç 41, banues në Gjuricaj, Durrës. Neni 130/a i Kodit Penal.