KULTURË

Shqiptaro-rusi Sergeji Sherko dhe shqiptarët duarartë që studiuan në Itali

13:30 - 20.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ishte një ditë tipike vjeshte piemonteze e 1996-ës, kur Artan Shabani prezantonte në Torino një ekspozitë në rrugën që mban emrin e lumit Po. I kujtohet ende lagështia e ajrit që hynte nga portikatet e larta në sallën e ekspozitës, ajër piemonti që shpesh e ndjente në pikturat e Felice Casoratit apo të Gigi Chessa-s.




Vizitorët ndaleshin përballë portreteve tipike të malësoreve ose të burrave me fustanella të jugut shqiptar, kur pranë piktorit të ri, afrohet një zotëri i moshuar, i shoqëruar nga një djalë i ri. I afrohen dhe e pyesin nga është. Shabani iu thotë se është shqiptar. Ata i flasin shqip gjatë gjithë ceremonisë dhe pas saj, ulen në Piazza ‘Cavour’.

“Ai njihej si z. Sherko dhe ishte një burrë fisnik, me shumë kulturë, që kishte studiuar në Torino gjatë viteve ‘30-’40. Më foli për vitet e një Italie të panjohur për mua, më foli veçanërisht për studentët shqiptarë që në ato vite kishin frekuentuar shkollat italiane, nga jugu në veri, nga Trieste në Torino, nga Milano në Napoli e kështu me radhë, por kënaqësinë më të madhe e kishte kur fliste për piktorët dhe skulptorët e diplomuar në akademitë italiane. Shpjegonte me zellin e një kuratori të përkryer, fort të dashuruar pas artit dhe kulturës”, thotë Shabani.

Sergej Sherko rrëfente se kishte lindur në Odessa më 1920 nga një baba shqiptar (Mihal Sherko) dhe një nënë ruse (Elena D’Arkudinski). Ajo ishte vajza e kryebashkiakut të Odessës dhe familja e saj bënte  pjesë në aristokracinë ruse me lidhje gjaku me Romanovët. Më 1924 ikin nga Rusia e vijnë në Shqipëri. “Sherko e kishte filluar shkollën fillore italiane më 1926 në Tiranë dhe më 1931, kur ishte 11 vjeç kishte shkuar në Korfuz për të vazhduar shkollën tetëvjeçare. Zotëronte në mënyrë ekselente rusishten, shqipen, italishten dhe frëngjishten, në Korfuz perfeksionoi dhe greqishten e latinishten. Më 1936 në moshën 16-vjeçare shkon në Torino ku studioi në kolegjin e San Giuseppe, që frekuentohet edhe sot nga elita e Torinos. Në kursin e një viti më poshtë ishte Buongiorno dhe Giovanni Agnelli. Mbas mbarimit të liceut më ‘41 vazhdoi fakultetin ekonomik, shkollë që mund ta bënte me korrespondencë meqë ishte kohë lufte. Donte shumë mjekësinë ndaj e frekuentonte sa herë mundej. Me fillimin e bombardimeve më 1943 në Torino u kthye në Shqipëri ku do të mbetej për 50 vite në izolim”, thotë Shabani, duke zbuluar kështu një personazh të rrallë që në Tiranën e zymtë komuniste bashkonte epoka e elita. Kur Sherko do të kthehej në Torino pas 5 dekadash, shokët 24-vjeçarë i rigjeti 70-vjeçarë. Mes miqve të tij kishte qenë dhe Nako Spiro, që e kish njohur në Korfuz dhe kishte ndarë me të shtëpinë në Corso Vinzaglio. Në Itali e thërrisnin Sergio, në Shqipëri nga Sergej i thirrën Sergj.

“Ishte brezi i fundit që kishte studiuar në akademitë italiane dhe në Europën Perëndimore. Për të gjithë të tjerët do të mbetej një ëndërr e ndaluar deri pas rënies së Murit të Berlinit”-thotë Shabani. Ende sot, kujton se në fjalët e Sherkos ndihej entuziazmi i periudhës kur  Italia spikaste me avangardën, me krijimin e grupeve artistike, me efektet e rrymës futuriste, një lëvizje intelektuale që depërtoi në poret e shoqërisë italiane falë gjenisë së artistëve si Severini, de Chirico, Martini, Sassu, Fontana, Carena, Tamburi, Levi, që thyen ekuilibrin e pikturës akademike duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë artistike të Nëntëqindës. Është periudha kur komponentët kulturorë të “Belpaese” njohin një pasurim të madh. Shumë artistë, intelektualë nga USA apo vende të ndryshme të Europës frekuentonin qytete si Roma, Venecia, Firence, Napoli, etj. duke e kthyer Italinë në një destinacion të rëndësishëm për të kryer studimet në fusha të ndryshme, dhe veçanërisht për artet e bukura. Janë pikërisht vitet në të cilat studentët shqiptarë shkojnë në Itali dhe veçanërisht në Romë për të frekuentuar shkollat dhe akademitë e arteve italiane. Artistë si Buza, Reçi, Koljaka, Blloshmi, Tuçi, Idromeno, Kolombi, Stamo, Paskali, Mio përjetuan një moment të rëndësishëm të kulturës italiane që kushtëzoi formimin dhe krijimtarinë e tyre të hershme dhe që përfaqësoi më pas bagazhin kulturor që i kaloi gjeneratave që edukuan në Akademinë e Tiranës.

Burri i mençur Sherko, me sy të përlotur, më rrëfeu rikthimin e tij në Tiranë. Ishte pra, edhe ai një nga ata shqiptarët e ikur dhe të kthyer. I pat treguar bisedat me Jusuf Vrionin dhe me shokët e kohës studentore.

KOLEKSIONI

Qenë të këtyre kohëve edhe brezi i piktorëve që Shabani ekspozon tani në rezidencën italiane në Tiranë. Ekspozita “Vizion kufijsh” me 42 tablo, të artistëve shqiptarë, që kanë studiuar në akademitë italiane në gjysmën e parë të shekullit të XX. Gjatë viteve ’30-40 artistët që ekspozohen së bashku kanë studiuar në akademitë italiane, e një pjesë e tyre krijuan shkollën e vizatimit dhe liceun e arteve. Koleksioni që prezantohet në Rezidencën italiane është pjesë e vyer e trashëgimisë artistike të atij brezi, që familjaret e artistëve kanë konservuar me dashuri të pamasë dhe me kujdes të veçantë. Çdo vepër e këtij katalogu, mbart intimitetin e një jete të tërë, që ne e trajtojmë me respektin që u takon artistëve dhe kujtesës së tyre. Drejtori i projektit dhe kurator i kësaj ekspozite, të titulluar “Vizion  Kufijsh”, Artan Shabani ka bashkuar vepra të piktorëve Fadil Pullumbi, Guri Madhi, Ibrahim Kodra, Foto Stamo, Hasan Reçi, Simon Rrota, Nexhmedin Zajmi, Vangjush Mio, Zef Kolombi, Lin Delija, Vangjush Tushe.

“Kjo ekspozitë së pari, është një nderim për talentin artistik dhe forcën morale të njerëzve të cilët, të izoluar në Shqipërinë e Enver Hoxhës, u detyruan të bënin një zgjedhje ekstreme midis heqjes së lirisë së shprehjes dhe mërgimit. Ashtu siç shkruan në katalog Ylli Drishti, vetëm një pjesë e vogël zgjodhi arratisjen për të zhvilluar karrierën artistike dhe jetën në Itali. Shumica qëndroi, luftoi me sukses për të qenë në gjendje të shprehte veten pavarësisht kufizimeve ideologjike të imponuara nga regjimi. Të dyja palët bënë një zgjedhje të guximshme”, tha ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo. Ai shtoi se ekspozita është pjesë e një projektit më të gjerë që ambasada italiane në Tiranë po kryen për rindërtimin e atyre lidhjeve midis Italisë dhe Shqipërisë që – gjatë viteve të Luftës së Ftohtë – dukeshin të ngrira, por që në realitet ishin ftohur nga një imponim i jashtëm që megjithatë nuk arriti të thyente afërsinë shumë të ngushtë kulturore midis dy vendeve tona. Ideja që secila prej pikturave të ekspozuara në Rezidencë përmbledh përvojën dhe intimitetin e artistëve të formuar  në Itali.

Ekspozita ka shfaqur vepra të panjohura të Ibrahim Kodrës, vepra të harruara të Abdulla Cangonjit, të Simon Rrotës, Zef Kolombit, Kristina Koljakës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.