Kronikë

Goditet “Grupi i Shijakut”, si ranë në rrjetë dhe dy ish-deputetët socialistë

09:15 - 22.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Grupi i Shijakut” mbahej prej disa muajsh nën hetim nga policia, dhe sipas përgjimeve ishte prezent në trafikun e heroinës nga Shqipëria drejt Gjermanisë.  Në pranga kanë përfunduar anëtarët e “Familjes Avdyli”: vëllezërit Astrit, Flamur dhe Shkëlqim Avdylin, si dhe kushëriri i parë i tyre Jasim Avdyli, i dënuar më parë në Itali për vrasjen e një marshalli të policisë italiane së bashku me H. Hoxhën, i dënuar në Turqi për trafik heroine. Bashkë me ta mësohet të jenë arrestuar dhe mbi 20 persona të tjerë. Vëllezërit Avdyli dyshohen për një sërë veprash penale, nga vrasje në prostitucion, trafik droge dhe krime të tjera. Ata zotërojnë një numër të madh aktivitetesh biznesi, mes të cilave dhe një hotel luksoz në Plazhin e Durrësit.




Goditja e “Familjes Avdyli”, ishte pjesë e një operacioni të gjerë të ndërmarrë në disa qytete ndaj grupeve të përfshira në trafikun e dogës. Një urdhër arresti ishte lëshuar dhe për Lulzim Berishën, i konsideruar si një ndër personazhet e fuqishëm të krimit në Shqipëri, i cili fitoi lirinë, pas një vendimi të dyshimtë të Gjykatës së Durrësit. Policia kontrolloi banesën e tij, por sipas disa të dhënave, Berisha, prej kohësh jeton më së shumti jashtë vendit.

Lulzim Berisha
Lulzim Berisha

 

Ndërkohë, gjatë mbrëmjes të së dielës, një tjetër operacion është zhvilluar në Sarandë, ku objektivi ka qenë Klement Balili, emri i të cilit u bë i njohur pasi grupi i tij u godit në Greqi, falë një hetimi ku ishte përfshirë dhe DEA amerikane. Balili konsiderohet si Escobari i Ballkanit. Gjykatat greke e dënuan atë me burgim të përjetshëm.

Si punonte si zyrtar i shtetit, i emëruar drejtor i Transportit në Sarandë. Disa përpjekje të njëpasnjëshme të policisë për kapjen e tij kanë përfunduar pa sukses.

Në rrjetën e përgjimeve ranë dy ish-deputetët socialistë
Arben Çuko dhe Arben Ndoka u zbuluan nga përgjimet për grupin kriminal Avdulaj. Nga përgjimi ka rezultuar se Arben Ndoka kishte mik një nga anëtarët e grupit të Avdulajve. Po kështu Çuko është dëgjuar teksa i kërkohej transferimi i të burgosurve.

Në një deklaratë të Policisë së Shtetit thuhet se arrestimi i ish-deputetit Arben Ndoka është kryer pas urdhrit të arrestit të nxjerrë nga Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar masën “Arrest në burg”. Ai dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

Arben Ndoka
Arben Ndoka

 

Hetimi disa mujor ka mbledhur prova dhe se ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj. Në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim. Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë. Megjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër, ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të ri-shpallur në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Burimet nga grupi i hetimit tregojnë se ish deputetit tjetër, Arben Çuko dyshohet se ka marrë para për dhënien e lejeve për të dënuarit gjatë kohës që ai drejtonte institucionin e burgjeve. Emri i tij doli gjatë përgjimeve të një të dënuari. Çuko u shkarkua nga detyra gati dy muaj më parë dhe u zëvendësua nga Stefan Çipa.

Arben Çuko
Arben Çuko

 

Motivacioni që e shoqëroi largimin e tij ishte “për të përmirësuar punën e drejtorisë së burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë se brendshme, rritjes se efikasitetit dhe luftës kundër korrupsionit ne sistemin e burgjeve”. Çuko është drejtori i dytë i përgjithshëm i burgjeve që akuzohet për korrupsion në një kohë të shkurtër. Edhe paraardhësi i tij, Artur Zoto u arrestua dhe qëndroi një vit e gjysmë në burg, pasi u dënua nga shkalla e parë dhe më pas u shpall i pafajshëm. Para se të emërohej drejtor i përgjithshëm i Burgjeve, Çuko ka qenë deputet i Partisë Socialiste dhe komandant i Gardës së Republikës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.