MILOSAO

Shpirtrat e gjakut tim

19:00 - 01.09.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Aleksandër BARDHI




SHPIRTRAT E GJAKUT TIM
Avullojnë shpirtrat e gjakut tim
E unë jam këtu,
Trupi i tyre prej dheu.

Se tashmë dheu s’është më dhe
Është edhe mish, edhe eshtër, edhe zemër.

Se tashmë ajri s’është më ajër
Është edhe avull vdekjeje
Edhe frymë lutjesh
Të mbetura në kryq!

Është edhe ajo aroma e rrobave të nënës
Që kur kthehej nga kisha
Më merrte prej dore
Të ndërronim së bashku dherat e luleve.

Avullojnë shpirtrat e gjakut tim
E unë jam këtu,
Ttrupi i tyre prej dheu.

MILINGONA IME
Lufta mbaroi!…
I hodhëm në erë gjithë kufijtë e shpirtrave.

Tani rri e shlodhu milingona ime

Pastaj eja
Ta rrotullojmë përsëri globin tonë.
Deri sa të gjejmë atë pikën e vogël nga dikur jemi nisur
E aty të ngulim
Kryqin tonë.
Për tu ringritur sërish.

BIE SHI NË ARDENICË
Nuri Plakut
Bije shi në Ardenicë
Sikur shkund krahët bilbili
Më mer malli për ty mik
Plot me hire manastiri.

Miku im që cdo ditë
Njëri-tjetrit i bëjmë gjyq
Kur del tymi mbi cati
Nga një kafe pim në kryq.

Në një kryq ku s’shkohet dot
E çdo kujt si hapet dera
Ku të shtronë bukë e shpirt
Bukuroshe shën e diela.

Bije shi në Ardenicë
Sikur shkund krahët bilbili
Më mer malli për ty mik
Plot me hire manastiri.

KA CA KOHE
Ka ca kohë që e ndiei të mos e dua të vërtetën
E ndan më dysh si hënë…

Unë eci me gjysmën që lind nga perëndon
Ajo me gjysmën që perëndon nga lind.
Ecim të dy…, shpinë më shpinë
Unik në zemëratën tonë të vjetër,
Sa mbushet me re njëra faqe e botës
Zë e diellëzohet gjysma tjetër.

Gjer kur? Se di. Su duroka dot kështu
Si shaka me vdekjen
Më ngjan kjo lojë.

Unë eci në gjysmën që lind nga perëndon
Ajo me gjysmën që perëndon nga lind.

ASKUSH NUK E PA
Askush nuk e pa vrasësin satana
Zjarrfikësit ishin të zënë
Me zjarrin e gjinkallave

Ishte natë legjendash…

Nga kryet e protestuesve breronte dritë
Sikur secili prej tyre të ishte Jezu Krisht

Vonë, në ekranet e mesnatës
U shfaq fytyra e vrasësit
Në formën e një ylli.

 

NE GJYQIN E FUNDIT
Në gjyqin e fundit
Dëshmitar do të çoj
Lumin e mëkatit
Dhe kishën që meshoj.

 

TREGIM I VOGEL NGA LUFTA
Me tytën e pushkës tërhoqi degën e mollës
Hëngri sa deshi
Dhe iku…

I ati e vështronte nga dritarja…

Pas ca ditësh erdhi djali tjetër.
I ati i mbushi duartë me mollë…
I dha edhe për shokët.

Një ditë lufta mbaroi…

Babai i blinte mollët tek dyqani fshatit

Djalit të madh ju than duartë nga prangat.
I dyti, i vogli… kishte mbetur pa duar.

MA TREGO SEKRETIN
Më trego sekretin o miku im i përrallave
Të jem edhe unë
I lumtur si ti.

Kur dita ka zbardhur
Ne ende kafshohemi
Nga nata lubi.

Ti rri i trëmbur nga unë
Unë rri i trëmbur nga ti.

Gotën e fatit
Ti smundesh ta derdhësh
Unë smundem ta pi.

Më trego sekretin o miku im i përrallave
Të jem edhe unë
I lumtur si ti.

NJE GRUA
Kam besuar në krijesën e brinjës së Adamit
Kam besuar edhe rrobën e bekuar të perëndisë
Kur e hodhën mes minjve
U shndërrua në mace.

Por kurrë se besoja
Se kjo do të ndodhte me atë grua
Që hyri dikur brenda meje
E doli më pas
Në formën e thonjve.

ORET E MIA
Tani shpesh rri e dëgjojë orët e mia
Në rrugën e gjatë lindje – perëndim
Akrepat se ckanë një klithmë peligorkash
Tek bjen mbi ujra e digjen si thëngjij.

 

BIE BORE
Bie borë…
Borë e zezë

Unë ngrohem
Në frymën e ujkut.

VJESHTE
Po kthehen shirat nga rruga e gjatë
Të bëjnë gjumin e rëndë të zjarreve.

 

RA NJE GERME
Ra një germë…,
Ra edhe një tjetër
Ka përqindje pabesie
Kripa e bardhë e të zezës.

Bjen gërmat…, bjen emrat…
Mbahet ende ndonjë i mbetur
Sa të bëhet kripë e bardhë
Ndryshku i lavdisë së vjetër.

Ra një germë…,
Ra edhe një tjetër
Ka përqindje pabesie
Kripa e bardhë e të zezës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.