Kryesore

Minutë pas minute me protestën/ Organizatorët synojnë të rrinë 24 orë para kryeministrisë

11:48 - 19.03.22 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka nisur në orën 11:00 protesta e dytë kombëtare kundër rritjes së çmimeve. Mijëra qytetarë janë para kryeministrisë me thirrjet për ndërhyrjen e qeverisë, ndërkohë që kryeministri në të njëjtën kohë ka nisur një takim me fermerët për të folur për Paketën e Rezistencës.




Gazeta Shqiptare sjell zhvillimet më të fundit minutë pas minute nga protesta, si më poshtë:

13:30/ Ndërpriten fjalimet në protestë/ Organizatorët të vendosur të qëndrojnë 24 orë në bulevard

Janë ndërprerë fjalimet në protestën e nisur sot që prej orës 11:00 para kryeministrisë. Organizatorët kanë njoftuar edhe më parë se nuk do të largohen , por do të qëndrojnë ne bulevard 24 orë.

Në momentet që flasim nuk po mbahen fjalime nga nga qytetarët apo shoqëria civile pjesëmarrëse në protestë.

Një pjesë e qytetarëve janë larguar, shumë të tjerë po qëndrojnë stoik. Bulevardi vijon të mbetet i bllokuar për kalimin e makinave.

12:57/ “Turp ata që rrinë në kafe e nuk protestojnë”- Invalidi me karrocë vjen nga Durrësi: Do jemi 24 orë në shesh!

Protestës 24 orëshe këtë të shtunë i ishte bashkuar edhe një qytetar nga Durrësi, invalid i cili tha se karroca nuk e ka penguar të marrë pjesë në tubim kundër rritjes së çmimeve.

“Ju përshëndes e ju që jeni aty në kafe e nuk ju vjen turp që nuk jeni këtu e ju që jeni bërë militant e nuk coheni për familjen tuaj.

Ku jeni o të paturp pse s’jeni këtu me ne pse nuk vini këtu të protestoni për familjen për të mbrojtur veten tuaj, a nuk i shikoni cmimet?

Ky sharlatani mashtrues nuk ka marrë masa ka ardhur me premtimin për 300 mijë vende pune e përzuri 500 mijë shqiptare.

Ku je o kryeminister i pafytyrë që mashtron shqiptarët ku je ti që del e gënjen e mashtron?

Hajdeni të gjithë këtu sot do jemi 24 orë unë kam ardhur nga Durrësi me karrocë, pavarësisht sëmundjes fizike që kam kjo nuk më ndalon që të jem këtu se e ndiej.

E ndiej për veten familjen, por vij këtu për cdo të varfër se e di që nuk ka zë, shoqëria është në depresion se e kanë mundur hallet.

Kanë dhe njerëz që duan të vijnë por nuk munden se ky pushtet i ka vjedhur, ta largojmë këtë zuzar nga ky post ky është vendi jonë kur të rrëzohet kjo politikë sot është koha jonë e rinisë e shqiptarëve jo e zuzarëve” ka thënë protestuesi.

12:57/ “Nuk hynë në luftë Sukthi me Manzën, por dy fuqi të mëdha”, Rama u flet fermerëve për pasojat e luftës

Kryeministri Edi Rama, ka zhvilluar këtë të shtunë një takim me fermerë për paketën e rezistencës sociale.
Gjatë fjalës së tij Rama tha se vendi deri tani është përballur me sfida të mëdha, si tërmeti, pandemi dhe tani po vuan pasojat e një lufte mes dy fuqive të mëdha.

Ai gjithashtu theksoi se kostot janë rritur për shkak të krizës.

“Ndërkohë që ne bëjmë planet askush nuk i ka në dorë ngjarjet,. Ne përpiqemi që me planet tona të ecim më shpejt, por vjen tërmeti, pandemia dhe sikur të mos mjaftonin këto kemi taksiratin e pasoja që sjell lufta. Edhe Australia vuan pasoja te luftës që nuk ka fare lidhje, por rriten çmimet për shkak se ka luftë në Ukrainë .

Nuk ka hyrë në luftë Sukthi me Maznën, por një fuqi e madhe tregtare dhe një nga prodhueset kryesore të drithërave, siç është Ukraina. Janë dy forca, por edhe dy tregje që kanë çoroditur dynjanë. Sot në Shqipëri ka ndalur pjesa më e madhe e investimeve sepse hekur është rritur dyfish, kontratat tona për tunelin e Llogarasë dhe investime të tera janë me çmimin e hekurit tre herë më pak dhe tani na thonë ne nuk mund të vazhdojmë të zbatojmë kontratën që për një forcë madhore ka ndodhur kjo. Tani ça duhet të bëjmë ne , të shtojmë financat apo të presim deri sa të mbarojë kjo,. Por shumë njerëz thonë lërini mo investimet, po kjo është e vështirë sepse duke hequr ato investime nuk ka rritje ekonomike.

Ekonominë në një familje e rrit puna, nuk e rrit qëndrimi në shtëpi. Dilni ju shkoni punoni tokën , dalin gratë punojnë shkojnë fëmijët në shkollë dhe kështu vijojnë, Nëse ne nuk fusim nga në anë si do të nxjerrim nga ana tjetër. Ajo që po bëjmë ne asnjë vend nuk e ka bërë. Franca pashë që ka bërë një kompensim por jo të plotë, ne po bëjmë kompensim të plotë me faturën e energjisë. Nga taksat e naftës goditen ata që kanë vetuara, por ata që kanë vetura kanë më shumë lekët, po ashtu goditen ato që marrin autobusin , por për ata do të ndërhyjmë ne.”, tha Rama.

Ndërkohë qytetarët këtë të shtunë po zhvillojnë protestën e paralajmëruar më herët kundër rritjes së çmimeve.

12:55/ Thirrja në protestën para kryeministrisë: Edhe Berisha është kriminel

Vijon protesta e qytetarëve pranë godinës së Kryeministrisë. Janë të shumtë qytetarët të cilët përpos kërkesës për uljen e çmimit kërkojnë edhe largimin e qeverisë Rama.

Por përpos kundërshtive ndaj Ramës, qytetarët kanë kritikuar edhe ish Kryeministrin e vendit Sali Berisha. Sipas njërit prej protestueve, “Berisha është kriminel”.

12:45/ “Ne do rrimë këtu”/ Aktivistja Edlira Çepani në protestë: Kam një ëndërr që këtë vend ta drejtojnë njerëzit e mirë

Aktivistja Edlira Çepani deklaroi gjatë fjalës së saj në protestën kundë rritjes së çmimeve se shqiptarët duhet të bashkohen për të drejtat e tyre.

Ajo u shpreh se ky vend mund të bëhet vetëm nga shqiptarët që e duan këtë vend. Çepani tha se ka një ëndërr që zyrat që na drejtojnë të kenë brenda njerëz të mirë të këtij vendi.

“Shqiptarët duhet të bashkohen për të drejtat e tyre. Unë kam një ëndërr që ato zyra që na drejtojnë sot të zihen nesër nga shqiptarët e mirë dhe jo nga ata që duan vetëm të na zhvasin. Ky vend bëhet nga shqiptarët që e duan këtë vend.
Këtë vend e bëjmë ne. Sot ne kemi kuptuar që duke mos heshtur për të drejtat tona dhe dinjitetin tonë. Duke qenë bashkë e kuptuam se mund të bëjmë ndryshimin duke dalë për vete në këtë shesh.

Duke kërkuar të drejtat tona për vete. Secili duhet të ngrejë zërin sepse këta nuk mund të na shkelin më. Ne nuk do lejojmë më që të tallen me taksat tona. Nuk do lejojmë më të heshtim atëherë kur kemi të drejtë. Ne jemi krenaria e këtij kombi. Ne jemi ata që e duan Shqipërinë. Ne do rrimë këtu”, deklaroi ajo.

12:37/ “Seksi është i mirë, por a e keni p**lluar ndonjëherë sistemin?” Pankarta e ditës në protestën kundër rritjes së çmimeve

Kjo mund të konsiderohet pankarta më pikante e protestës së sotme para kryeministrisë.

“Seksi është i mire, por a e keni palluar ndonjëherë sistemin” ka shkruar vajza protestuese, që ka tërhequr vëmendjen e fotografit.

12:26/ Rezarta Çaushaj: I përgjigjemi dy ministreshave, jetoni ju me 130 mijë lekë në muaj? (Video)

Aktivistë të shumë të shoqërisë civile të mbeldhur përpara godinës së kryeministrisë, kanë folur për rritjen e çmimit të karburanteve dhe ushqimeve. Shumica e protestuesve mbanin në dorë pankarta me ironi për ministret e kabinetit Rama.

Gjatë fjalës së aktivistes, Rezarta Çaushaj, u prek paga minimale dhe deklarata e Ministres së Financës, se një qytetar mund të jetojë me 130 euro në muaj.

12:20/ “Miellin e serbit hajeni vetë”-Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit: Fermerët zgjodhën t’i shërbejnë tokës jo të bëhen hajdutë!

Kreu i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Prodhuesit, Ervin Resuli deklaroi sot në protestën kundër rritjes së çmimeve se fermerët kanë për të qëndruar në sheshin e protestës. Ai deklaroi se nuk e duan miellin e serbit por që gruri të rritet në Shqipëri.

“Zoti kryeministër jepini mundësinë Zahos të mësojë që buka, mishi, qumështi nuk vijnë nga supermarketi por prodhohen në fshat. Fermerët kanë për të qëndruar këtu. Nuk lëvizin më. Nuk kanë më interes të merren me bagëtitë dhe tokën e tyre.

Ata zgjodhën t’i shërbejnë tokës. Nuk zgjodhën të hapin një bar apo të bëhen hajdutë. Miellin e serbit haje vetë. Ne duam grurin në Shqipëri”, tha Resuli.

12:14/ Organizatorët japin njoftimin e fundit: Do të qëndrojmë 1 orë pa folur para Kryeministrisë

Qytetarët kanë paralajmëruar se protesta e sotme do të jetë 24 orëshe, por për rreth 1 orë protestuesit do të heshtin përpara Kryeministrisë. Në sfond dëgjohen sekuenca me filma të soc-realizmit në Shqipëri.

Gjatë protestës folën edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Qëndresa qytetare: Jo më një shtet që punon për pagë, jo më një shtet që paguan pak. Institucionet kanë filluar që të lëvizin, ministrat që e ndiznin dy orë para makinën, që kur të zbrisnin ta gjenin të ngrohtë. Falë jush ai e kuptoi që të ndalësh spekulimet nuk mjafton, qytetarët kanë nevojë që të jetojnë të begatë brenda klufijve të tyre. Kjo zyrë duhet të punojë për të gjithë, kjo zyrë nuk mund të punojë për pak.

Adriatik Lapaj: Ju jeni fytyra më e bukur e Shqipërisë sot, ku nuk është sheshi i turpit, kjo është një protestë e njerëzve të lirë, për dinjitetin, kjo është një protestë përn gjyshërit tanë, kjo është një protestë që të rinjtë të mos ikin më nga ky vend.

Ky shesh ka arritur për herë të parë të bashkojë vullnetet, duke i detyruar të ulin çmimin e naftës, duke kaluar nga teoria, që nuk mundemi, te po bëjmë aq sa mundeni. Ata munden më shumë, ato nuk janë lekët e tyre, ato janë lekët tuaja, ne do ti detyrojmë që të na trajtojnë me dinjitet. Kur ata bëhen bashkë, qytetarët fitojnë, ju fitoni. Fitorja më e madhe e kësaj protese është krijimi i vetëdijes qytetare, që ata nuk mund të tallen me ne.

12:06/ “Ne kemi dalë për dinjitetin”/ Aktivisti Adriatik Lapaj në protestë rendit kërkesat për qeverinë: T’i mbajmë nën preson për t’i realizuar

Aktivisti Adriatik Lapaj duke folur në protestën kombëtare para Kryeministrisë ka renditur dhe kërkesat që kanë qytetarët për qeverinë, për të ndalur rritjen e çmimeve.

Ai i ka kërkuar bashkëprotestuesve “t’i mbajmë nën preson për të realizuar kërkesat tona dinjitoze”.

“Kjo është një protestë për dinjitetin, për nënat e baballarët e këtij vendi për gjyshërit tanë, që fëmijët e këtij vendi të mos ikin më.

Ky shesh këta qytetarë kanë arritur të bashkohemi përballë arrogancës duke ndalur rrijten e çmimit të naftës duke i detyruar ta ulin, duke i detyruar të kalojnë nga teoria ‘shteti nuk ka lidhje me teorinë ne po bëjmë sa mundemi ata munden më shumë se ato nuk janë lekët e tyre ato janë lekët tuaja. Ndaj kurajo duhet kurajo, secili nga ju duhet të ketë kurajo, ne duhet t’ia dalim, ne i detyruam të ndalen, të ulin çmimin, të ngrenë borde, e do t’i detyrojmë bashkë të na trajtojnë me dinjitet”.

Mes kërkesave për qeverinë janë “ulja e qëndrueshme e e çmimit të karburantit në nivelet e rajonit, përafrimi i çmimeve me vendet fqinje, masa për uljen e barrës fiskale, marrjen e masave si pezullim i taksës së qarkullimit dhe të karbonit përkohësisht, zerim i përkohshëm i TVSH për produktet e shportes e ulja në masën 10% në vijim. Mbikqyrje e tregut për çmimet”.

12:02/ Rama: Pas karburanteve dhe ushqimeve bazë, do kontrollojmë edhe çmimet e inputeve bujqësore

Ndërkohë që protestuesit vijojnë me protestën e tyre para Kryeministrisë, Edi Rama nga ana tjetër po zhvillon takimin me fermerët. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se pas karburanteve dhe ushqimeve bazë do të nisë kontrolli edhe për çmimet e inputeve bujqësore.

Rama deklaroi se rritjen e kostove nuk ka asnjë qeveri në botë që mund ta ndalojë.

“Filluam të dëgjuam shumë nga këta që përgjithësisht nuk e kanë idenë farëe se çfarë po ndodh se thonë ky është fundi i Bujqësisë. Sot janar shkurt i këtij viti me këtë efekt kemi 14% plus eksporte krahasur me një vit më parë. Jam i bindur që do të ecë më shumë. Ministrja do thotë edhe tjetrën që me ndërhyrjen që po bëjmë për të mbajtur nën kontroll disa çmime.

Jo për të vendosur çmime se nuk vendos çmime qeveria,. Nëse unë vendos çmime si do populli për një falimenton çdo gjë këtu. Nëse e bëjmë me urdhër nuk ka më naftë. Si do të ndodhte sikur të bëhet me urdhër që ju grurin që prodhoni këtu do e shisni kaq. Do falimentonin. Nuk do kishte furnizim. Qeveria në kushtet e krizës ka të drejtën të monitorojë çmimet e shumicës dhe pakicës për karburantit për karburantin, ushqimet bazë dhe inputet bujqësore.

Nëse rritja e çmimeve ndodh në të gjithë botën nuk ka qeveri që e ndalon. Shikoni karburantin sot se çfarë ndodh në shumë vende të Europës. Ka pasiguri të madhe që e ka çoroditur tregun. Njësoj si familja që nëse thonë shiko se javën tjetër mund të ketë përmbytje të madhe. do tërhiqet dhe do fillojë të marrë masa. Kështu është edhe tregu e ndjen menjëherë”, u shpreh Rama.

11:58/ “T’i lutemi Zeusit për shi”, protestuesit nuk i kursejnë ministret, ja ironia therëse (Foto)

Protestuesit e mbledhur në kryeqytet kundër rritjes së çmimeve nuk i kanë kursyer as ministret e kabinetit “Rama 3” për deklaratat e tyre për vetë kryeministrin apo dhe për standardin ekonomik të qytetarëve.

Ndërsa Rama ka deklaruar disa herë se është një vit i thatë pa reshje dhe ndaj janë të detyruar të blejnë energji me çmim të lartë, protestuesit risjellin shprehjen e ministres Edona Bilali për “Zeusin”.

11:50/ Protestuesit e mbledhur përpara Kryeministrisë vëzhgohen me dylbi nga tarraca e godinës së qeverisë

Protestuesit janë mbledhur përpara godinës së qeverisë për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Nga pamjet shihen momentet kur protestuesit vëzhgohen me dylbi nga tarraca e Kryeministrisë.

Ndërkohë pas godinës së qeverisë ndodhen disa makina shihedhëse dhe të blinduara, si masa paraprake nga qeveria.

11:40/Protesta kundër rritjes së çmimeve/ 700 punonjës policie të angazhuar, forca dhe nga rrethet, FNSH në gatishmëri, RENEA pranë Kryeministrisë

700 punonjës policie do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e protestës kundër rritjes së çmimeve në Tiranë. Policia e Tiranës me 6 komisariate është e angazhuar dhe po ashtu FNSH-të janë në gatishmëri si dhe forcat e Gardës së Republikës.
Në ndihmë kanë ardhur dhe punonjës policie nga qarqet e tjera. Vëmendje e shtuar për ruajtjen e institucioneve.

Sipas ligjit për tubimet, në gatishmëri do jenë dhe forcat zjarrfikëse dhe shërbimi shëndetësor. RENEA do të jetë e pozicionuar afër Kryeministrisë me dy autobotë për shpërndarjen e turmës.

11:37/ Qytetarët protestojnë poshtë zyrës së tij, Rama ikën nga Tirana, zbulon ‘sekretin’ e suksesit në Bujqësi

Në një kohë që poshtë zyrës së tij në Tiranë, qindra protestues po mbajnë protestën e tyre, kundër rritjes së çmimeve, kreu i qeverisë Edi Rama po mban një takim me fermerët në Katund të Ri të Durrësit.

Rama shprehet se qeveria ka dhënë 500 milionë lekë shtesë për naftën pa taksa, duke e çuar shifrën në total prej 1.45 miliardë lekësh.

Rama tha se Bujqësia nuk mund të funksionojë me fermerë që nuk koordinohen mes tyre.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Ju falënderoj që jeni këtu sot edhe pse është një ditë pushimi, ne jemi këtu me ministren e Bujqësisë, kryetaren e Bashkisë, për të folur pak për situatën, edhe në sektorin ku jeni kontributor të drejtpërdrejtë.

Ka shumë diskutime për bujqësinë, pasi një pjesë flasin për realitetin, dhe të tjerë për opinionet që i kanë krijuar nga mediat. Në njëfarë mënyrë kjo është puna e tyre. Bujqësia ka reflektuar problemet e veta, për fermerët nuk është e thjeshtë, dhe ne kemi një sfidë të hapur që ka të bëjë me mentalitetin, që në disa zona na pengojnë për të shkuar përpara.

Të mentalitetit për të qenë të ndarë, në Bujqësi është e pamundur që të shkosh larg nëse vepron i vetëm. Një bashkim me vullnet të lirë, ku secili ka ngastrën e vetë, por të gjithë koordinojnë atë se çfarë do të mbjellin, të ndarë në prodhim dhe të bashkuar në shitje.

Pas tërmetit dhe pandemisë, ne po ndjejmë pasojat e një lufte që ndodh gjetkë, edhe në Australi që nuk ka asnjë lidhje me shtetet e tjera janë rritur çimet, është e gjithë bota në këtë situatë, nuk kanë hyrë në lufte Sukthi me Manzën, kanë hyrë në luftë dy superfuqi tregtare, pasi zotërojnë një pjesë të konsiderueshme të naftës, gazit dhe lëndëve të para, që nga hekuri dhe deri te drithërat.

Ne po bëjmë kompesimin e plotë të faturës së energjisë, çfarë na ka dhënë zoti ne? Na ka dhënë lumenj, e gjithë energjia jonë krijohet nga reshjet, shihe është viti i tretë rresht që ne kemi reshje të pamjaftueshme, madje shumë të ulëta.

Tani duhet të stopojë prodhimi, pasi ka një nivel teknik, se ku stopohet prodhimi i energjisë, prandaj duhet të dalim jashtë që ta blejmë. Është me çmime që të ikën mendja e kokës.

11:28/ Mesazhet dhe ironia prekëse e qytetarëve në protestë: Të bëhemi 100 fermerë t’i blejmë këpucë të reja ministres

15:07/ Pankarta ironike, çifti i protestuesve i përgjigjet ministres së Financave: 140 euro bëjnë vetëm pampersat

Deklarata e ministres së Financave, Delida Ibrahimaj se qytetarët nuk konsiderohen të varfër nëse kanë 130-140 euro në muaj ka revoltuar jo pak qytetarët dhe protestuesit.

Një çift nga Tirana kanë zgjedhur ti përgjigjen ministres së Financave nga bulevardi para Kryeministrisë me një pankartë pikante.

Të rinjtë kanë dal në protestë bashkë më fëmijën e tyre në karrocë, ndërkohë që në pankartën që mbajnë në duar theksohet se “Teta 140, mua më bëjnë vetëm pampersat”.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj u pyet nga gazetari Blendi Fevziu se sa duhet të jenë të ardhurat mujore të një personi për të mos u konsideruar i varfër në situatën ku po jetojmë.

“Ne kemi një përllogaritje të familjes mestare. Nuk kemi një përllogaritje sa duhet të jenë të ardhurat e një personi. Patjetër kjo shumëzohet me familjen mestare që është 3.5 persona. Nëse pyetja referohet sa duhet të gjenerojë një individ për të mos u konsideruar i varfër, kjo shifër është diku tek 130-140 euro për person”, tha Ibrahimaj.

17:25/ Vijon qëndresa e qytetarëve përpara Kryeministrisë! Aktivisti Adriatik Lapaj mbulohet me batanije

Edhe pse kanë mbetur të paktë në numër, vijon qëndresa e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve në vend. Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, vijojnë të qëndrojnë përpara Kryeministrisë.

Disa prej tyre janë ulur këmbëkryq, ndërkohë nga fotot shihet se si avokati Adriatik Lapaj është mbështjellur me batanije për shkak të të ftohtit.

Protesta ka nisur që prej orës 11:00, kur fillimisht qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, e më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Pas më shumë se 3 orësh, një pjesë e qytetarëve u shpërndanë, ndërsa një pjesë tjetër vijon të qëndrojnë.

Ata janë shprehur se do të qëndrojnë aty 24 orë, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre për uljen e çmimeve të ushqimeve dhe karburantit.

18:40/ “Këta prisnin huliganë në protestë”/ Aktivisti Adriatik Lapaj: Nuk zgjidhet çështja me dhunë! Policia të mos bëhet palë me oligarkët, t’i thërrasin mendjes

Aktivisti Adriatik Lapaj ka kritikuar lëvizjen e Policisë së Shtetit për të shpërndarë protestuesit përpara Kryeministrisë.

Në një prononcim për mediat, Lapaj thotë se kjo nuk është zgjidhja e duhur për këtë situatë. Ai bën me dije se protestuesit kanë njoftuar policinë e shtetit për tubimin që do të zhvillohej sot.

Lapaj i bën thirrje efektivëve të policisë që të mos bëhen palë me oligarkët.

“Kjo protestë do vazhdojë, mënyra dhe modalitetet do i vendosin qytetarët. Kjo nuk zgjidhet me polici dhe procedurë. Kjo zgjidhet me masa konkrete që na bëjnë konkurrues me vendet e rajonit dhe na trajtojnë si qytetarë dinjitoz. Kush mendon se do na vendosë përpara me policinë e shtetit, e ka gabim. Nuk zgjidhet nga policia me dhunë poër qtyetaratë në pamundësi ekonomike. Këto zgjidhen me vendime dhe masa. Me një qasje ku policia shihet si aleat në kohë krize. Mijëra qytetarë kanë marshuar për 8 ditë me radhë. Sot kanë qenë mbi 20 mijë qytetarë që kanë marshuar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Tashmë, sjellja në këtë mënyrë është e padenjë. Drejtuesit e policisë së shtetit të mos bëhen nënpunës së oligarkëve. Ne nuk jemi duke penguar trafikun. Ky segment ka rrugë alternative. Nuk bëhet kjo punë kështu.

Me stilin të mirë në mëngjes, dhe ujqër në darkë, nuk funksionon. Ne jemi për të treguar simbolikën. Kjo është simbolikë. Ata që nuk e kuptojnë, ose janë të ligj, ose nuk e di. Vullneti qytetar është ai që del aty. T’i thërrasin mendjes. I kemi përshëndetur disa vendime të marra. Nuk zgjidhet me polici kjo. Policia është njoftuar pardje për ditën e sotme. Mendoj që mënyrën e të protestuarit nuk na vendos dot askush. Ky është standarti i këtyre. QË kur je pak na vendosin përpara. Këtu diskutojmë të drejtat apo për numrat” – tha Lapaj.

18:49/ Tensione përpara Kryeministrisë, policia tenton të largojë protestuesit! Qytetari: Turp t’ju vijë, jeni bërë një institucion kriminelash

Është tensionuar situata në protestën e qytetarëve kundër rritjes së çmimeve përpara Kryeministrisë. Policia ka tentuar të largojë protestuesit nga sheshi.

 

Sipas policisë, leja e protestuesve ka mbaruar. Ndërkohë që protestuesit pretendojnë se ata kanë bërë një njoftim tek policia për vijimin e protestës.

“Këta ordinerat, na thërritën në drejtori, urdhëruan që të përzenin njerëzit pavarësisht se ne kemi bërë kërkesë për protestë. Nuk ju vjen turp fare”- tha një qytetar.

“Ne kemi dalë për të protestuar. Ju për çfarë jeni këtu. Pse jeni këtu. Thoni pse keni ardhur. Nuk ktheni përgjigje. Jeni institucion kriminelash. Nuk ju vjen turp” u shpreh një banor tjetër.

“Shefi të tregojë se çfarë baze ligjore ka që të largojë qytetarët. Pse po bëhet kjo si lëvizje. Nuk ka bazë ligjore” – tha një qytetar.

18:56/ Tensionet përpara Kryeministrisë, protestuesi: Ndërhyrja e policisë me urdhër nga Rama! Edlira Çepani: Qeveria të ulet për zgjidhje, jo me paketa karamelesh

Një prej organizatorëve të protestës, ka treguar se si policia vendosi që të shpërndajë protestuesit nga rruga përpara Kryeministrisë. Në një prononcim për mediat, ai tha se sëbashku me organizatorët e tjerë, u thërritën në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të biseduar, ndërkohë që në atë moment është dhënë urdhri për të larguar qytetarët.

 

 

“Na kërkuam të shkonim në drejtori. Ne menduam se do shkonim për ngrohëse, pasi atë kërkuam. Kur shkuam në drejtori, ata liruan sheshin. Pra kur ikëm neve që kishim bërë njoftimin për protestë, ata liruan sheshin. Ishte e qëllimshme që na thërritën në drejtori. Kjo ishte me urdhër nga Edi Rama. Drejtorit të Policisë së Tiranës t’i vijë turp që na solli me të mirë në drejtori, dhe këtej dha urdhër për të liruar sheshin” – tha një prej organizatorëve.

Ndërkohë aktivistja Edlira Çepani, thotë se vendimarrësit në këtë vend e kanë humbur kontaktin me realitetin.

“Vendimarrësit e kanë humbur kontaktin me realitetin. Duhet t’i zgjidhim me paqe dhe me masa tamam, jo si ato paketat e karameleve që na kanë dhënë. Qeveritë ulen në tavolinë për të zgjidhur siytuatën, ndërsa ne na japin 4 ditë pushim. Tani është koha për të ngritur zërin” – tha Çepani.

19:14 “Jemi sjellë në mënyrë të kulturuar”/ Protestuesi thirrje drejtorit të policisë: Nuk duam dhunë, efektivët si garipa, keni gjetur pak njerëz tani

Konfrontimi mes protestuesve dhe policisë, duket se ka tensionuar situatën përpara Kryeministrisë. Një prej qytetarëve, i bën thirrje Drejtorit të Policisë së Shtetit që të ndalojë këtë presion nga ana e efektivëve.

Në një prononcim për mediat, protestuesi tha se policia sillet si garip vetëm se kanë mbetur pak qytetar në protestë.

“Drejtor, protestën e ka dhënë Kushtetuta që të bëhet në rrugë, dhe jo tek dhoma e gjumit që mund ta bësh ti. Tek dhoma e gjumit mund të ketë gjëra të tjera. Ne si protestues jemi sjellë në mënyrën më të kulturuar. Nëse ju vazhdoni me këtë reagim me policinë, do ketë vetëm dhunë. Deri tani jemi sjellë mirë, mos e provokoni turmën. Keni gjetur pak njerëz këtu. Pse ju garipa, drejtori pse nuk e bëri në mëngjes këtë punë, por e bën tani që janë pak. Nuk duam dhunë. Dhunën po e përdor Rama dhe drejtori i Policisë” – tha një prej protestuesve.

Ndërkohë një protestues tjetër u shpreh se qytetarët votojnë një qeveri për t’i kërkuar llogari, dhe jo që ata t’i ushtrojnë dhunë.

“Unë si qytetar, votoj për t’i kërkuar llogari për të më sigurojë jetën. Kur nuk bie dakord, dal në protestë. Nëse policia më quan mua të dhunshme, ndërsa veten qytetare, kjo nuk shkon. Ose do dënohet ai që thyen ligjin, ose do dënohet ai që shkel ligjin. Unë kam qenë gjithë ditën në protestë” – tha një protestues tjetër.

19:50/ “Oligarkia dhe monopoli po gllabërojnë gjithçka”, qytetari: Rama të mos merret me demagogji, por të hetojë tregun

Protestës kundër rritjes së çmimeve i janë bashkuar qindra qytetarë. Një nga protestuesit, përfaqësues i shoqatës së bizneseve, i ka bërë thirrje kryeministrit që të ndërhyjë dhe të ulë çmimet, dhe të mos merret me demagogji.

“I kemi bërë qeverisë 11 kërkesa, për ti plotësuar. Ne do të qëndrojmë në shesh ditë e natë. Oligarkia dhe monopoli në Shqipëri po gllabërojnë gjithçka, dhe ky mjerim sot ka ardhur si monopolizim , Sot 10 kompani komandojnë ekonominë shqiptare. I themi kryeministrit të mos merret me demagogji , por të hetojë tregun.”, tha ai.

Mësohet se protestuesit janë zhvendosur në trotuarin përballë Kryeministrisë nga policia. Ndërkohë sipas informacioneve, policia është njoftuar se protesta do të zhvillohet 24 orë, por Policia Shtetit ka deklaruar se policia do të vijojë në trotuar.

20:11/ Zv.drejtori i Policisë së Shtetit: Nuk kemi shpërndarë qytetarët, thjesht kemi liruar rrugën. U dërguam një letër

Zëvendës drejtori i Policisë së Shtetit, Luigj Vathi në një deklaratë për mediat ka mohuar akuzat se efektive të policisë kanë shpërndarë qytetarët që po protestonin në shesh.

Gjatë fjalës së tij, Vathi tha se qytetarët kanë marrë një njoftim me letër për lirimin e saj.

“Në bazë të njoftimit nga organizatorët policia ka marrë masat për mbarëvajtjen. Pas një kërkese të dytë ne u kemi kërkuar lirimin e rrugës. Policia e shtetit nuk i ka shpërndarë protestuesit.

Ne thjesht kemi liruar rrugën për mbarëvajtjen e automjeteve. Garantoj që çdo qytetar ka të drejtë të protestojë pa cënuar të drejtat e të tjerëve”, Vathi ndër të tjera. 

20:49/ “Kemi luftuar për interesin publik”/ Aktivisti Ervin Goci: Protestat do vazhdojnë, e keqja na ka prekur deri në “kockë”! Ja thirrja për policinë

Aktivisti Ervin Goci thotë se protestat kundër rritjes së çmimeve në vend nuk do të ndalen. Në një prononcim për mediat nga protesta e sotme, Goci tha se qytetarët nuk kanë frikë në presioni i policisë.

“Ne nuk pranojmë që të trajtohemi si hiç, sikur kemi kryer ndonjë turp. I kemi treguar me legjitimitetin, me numrat se ne jemi të gatshëm për të luftuar për të drejtat tona. Ju e shikoni që këtu ka thirrës, por organizatorët e kësaj proteste janë qytetarët. Për ne janë të gjithë bashkë, nuk ka dallime partiake. Ne kemi luftuar për interesin publik.

Kemi vënë fytyrën dhe do rrijmë deri në fund. Nuk na frikësojnë në asnjë moment. Unë nuk dola këtu të mbyll protestën. Herën tjetër që do vijnë të na pengojnë, do jemi më shumë. Protesta vazhdon, do vazhdojë ditët në vijim. Nuk ka më ndalim. Shqipëria ka hyrë në një periudhë, jo se populli u zgjua papritur, por e keqja ka prekur në kockë dhe nuk ka kthim pas. Po u them policave që nuk do ju lëmë të qetë” – tha Goci.

21:08/ “Protesta detyroi mazhorancën të…”/ Deputetja e PD-së nxjerr listën e taksave që merr qeveria: Rritja e naftës po varfëron shqiptarët dhe po falimenton bizneset

Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka deklaruar se protesta detyroi mazhorancën të fiksojë çmimin e naftës në 211 lekë për litër.

Sipas saj, kjo nuk është zgjidhja sepse 58 për qind e çmimit të naftës që shqiptarët paguajnë, janë taksa, të cilat po i varfërojnë ata dhe po  falimentojnë bizneset. Ajo shton se vetmja mënyrë për t’i dhënë frymëmarrje tregut është ulja e taksave.

“Protesta e qytetarëve detyruan  mazhorancën, të fiksojë çmimin e naftës në 211 lekë për litër. Mirëpo ndërhyrja arbitrare në treg nuk është zgjidhje. 58 për qind e çmimit të naftës që paguajmë janë taksa, të cilat varfërojnë shqiptarët dhe falimentojnë bizneset. Zgjidhja është e qartë: Ulni taksat dhe jepini frymëmarrje tregut”, shkruan Çupi.

Në protestën e dytë kombëtare kundër rritjes së çmimeve, të thirrur këtë të shtunë, qytetarët mbushë Sheshin Skënderbej dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku do të mbajnë fjalë një nga një. Ja disa nga pankartat më pikante që ata mbanin në duar:


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.