LAJMI I FUNDIT

“Tradhtia”, si himn për lirinë e Kosovës! Si u zbeh jehona e romanit pas arrestimit të Kapllan Resulit! Pas largimit nga Shqipëria për në Zvicër, u quajt…

14:24 - 11.05.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NDUE DEDAJ/ “Tradhtia” e Kapllan Resulit është një roman për Luftën e Dytë Botërore, që ne iu rikthyem pa ndonjë synim të caktuar, përpos rileximit, siç ndodh shpesh me letërsinë e traditës, por edhe për kumtin e tij të lirisë.




Tek e fundit çdo vepër letrare që mëton për liri e drejtësi shoqërore, pavarësisht subjektit që trajton, kohës kur është shkruar, natyrës së personazheve, apo dhe biografisë së autorit, është në njëfarë mënyre dhe bashkëkohore, aq më tepër që në Kosovën veriore ka ende konflikte ndëretnike e gjer vringëllimë armësh, shkaktuar nga të njëjtët protagonistë si ata të romanit. Thënë ndryshe, nëse do të ishte fituar Lufta e Dytë Botërore nga shqiptarët e Kosovës, jo vetëm ndaj nazifashistëve, por dhe ndaj personazheve shovinistë të romanit “Tradhtia” (Vuk Petroviç, Miodrag Pavlloviç, Bllazho Joviçi etj.) nuk do të kishte ndodhur Lufta e Kosovës kundër Millosheviçit më 1998- 1999-s. Tradhtia.

Nuk ka një fjalë që është përdorur më shumë në Kosovë e viset e tjera shqiptare në ish – Jugosllavi, në njëqind e më shumë vjet, në të njëjtin kontekst dhe me të njëjtët përballës etnikë. “Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të tradhtuar”, tha këto ditë kryekomunari i saposhkarkuar nga Beogradi. Dhe tradhtuesi i tyre dihet, janë bijtë e atyre ish-partizanëve sllavë të 44-it. Romani në këtë rast është jo vetëm letërsi, por dhe histori. Për pak romane të letërsisë shqiptare kishte pasur aq vlerësim sa për “Tradhtia” të Kapllan Resulit, edhe pse gjatë viteve ’50 -’60 të shekullit të kaluar kishin dalë veprat e para të shquara në prozë të gjatë të Mitrush Kutelit (“Vjeshta e Xheladin Beut”), Petro Markos (“Qyteti i fundit”), Jakov Xoxës (“Lumi i vdekur”), Ismail Kadaresë (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), Kasëm Trebeshinës (“Stina e stinëve”), Kin Dushit (“Udha e Velanit”), Dhimitër Xhuvanit (“Tuneli”) etj., çka sigurisht lidhej dhe me dashurinë për Kosovën dhe përgatitjen për një nivel tjetër marrëdhëniesh me të në rrafshin kulturor e universitar.

Por e gjithë jehona e romanit nisi të fashitej me hyrjen në burg politik të autorit Resuli, aty kah ’70- a, kurse me ndryshimet demokratike, tashmë i larguar nga Shqipëria për në Zvicër, ai do të përflitej si një renegat antishqiptar, që mohonte vlerat historike të këtij kombi etj.

NË PARANTEZË, FOKUSI YNË ËSHTË VEPRA LETRARE, JO DEBATI RRETH AUTORIT

Ajo çka përcakton letërsinë si e tillë është teksti i shkruar dhe jo detyrimisht ato çka mund të thuhen rreth tij apo autorit në rrafshin bio-bibliografik, që i përkasin historisë së letërsisë. Kështu dhe në rastin e romanit “Tradhtia”, që mban në kopertinë emrin e shkrimtarit ulqinak Kapllan Resuli. Romani qe botuar për herë të parë më 1965 duke marrë jehonë të papritur. Botimi i dytë i ripunuar, me parathënie të kritikut të njohur letrar Adriatik Kallulli, u bë dy vite më pas, më 1967, në një tirazh prej njëzet mijë kopjesh, që rrallë ndodhte. Romani gjendej në shumë shtëpi shqiptare, ndër të cilat dhe në bibliotekën e ungjit tim jurist në Rrëshen.

Ndërkohë gjimnazistët e qytetit e bënin analizë letrare në orët e letërsisë, duke dhënë e marrë me personazhet e tij, situatat, idetë etj. Apo nuk ishte asokohe mësues letërsie kosovari Ymer Llugaliu nga Kosova, që ashtu si autori i romanit, kishte kaluar kufirin e ardhë në Shqipëri për t’i ikur represionit shtetëror serb. Tre vite më vonë, romani ishte ndaluar dhe nuk do të rikthehej më siç duhej, për çudi, as pas 90- ës. Dimë që ka pasur një botim në Tiranë më 1992 e mundet që jo tjetër. Së voni “Tradhtija” është botuar dhe në Kosovë, nga “Dija – Librari & Shtëpi Botuese”.

Si duket, botuesit e kohës së tranzicionit, për të mos rrezikuar në treg, kishin zgjedhur t’i rrinin disi larg romanit të një autori aq të përfolur si Resuli. Në Kosovë është thënë në ndonjë rast se romani “Tradhtia” nuk ishte shkruar nga Kapllan Resuli, por nga një autor nga Presheva, që ishte aksidentuar në Prishtinë nga shërbimi sekret serb dhe se prej makinacioneve të këtij shërbimi (UDB) ishte “fabrikuar” si autor i tij Resuli. Edhe pse ne nuk mund të themi asgjë rreth kësaj sage konspirative, ashtu si as rreth personalitetit të diskutueshëm apo kontravers të Resulit, në Tiranë nuk e besojnë këtë gjë. Njohës të arkivave të persekutimit të “refugjatëve kosovarë” në atë periudhë, historianë, shkrimtarë, ekspertë të sigurisë kombëtare, e përjashtojnë tezën që Resuli ka hyrë në Shqipëri si agjent i shërbimit sekret serb, duke shtuar se me të në internim ka qenë sjellja tipike keqdashëse si ndaj kosovarëve të tjerë, pavarësisht rastit të veçantë që përfaqësonte ai si individ, kurse qëndrimi i regjimit ndaj tij në burg ka qenë një dramë më vete.

Por kjo do të ishte një tjetër temë, që mbase do ta ndriçojnë ata që kanë njohjen dhe dëshmitë e duhura arkivore. Profili i shkrimtarit i viteve ’60 – ’90 do të mund të dëshmohet saktë vetëm nëse bëhen kërkime në arkivat e Kosovës dhe ato të Shqipërisë. Për shkrimtarin Izet Duraku, autori i romanit Resuli “ka pasur një fat tragjik, vendi që ai donte më shumë dhe tek i cili shpresonte, e burgosi politikisht dhe e vrau shpirtërisht”. Avokat Alfred Duka shprehet se “diktuara shuajti me dhunë një prej shkrimtarëve shqiptarë më në zë, duke e njollosur me stigmën më të errët, siç është ajo e agjentit të Serbisë, ndërkohë që mediumet tona ka 30 vjet që merren me gjithëfarë marrëzish, por as në kushtet e hapjes së dosjeve, nuk kanë bërë qoftë dhe një emision rreth kësaj figure, që na ka dhuruar një vepër nga më interesantet e asaj periudhe, dhe pse asnjëherë nuk është vonë më shumë se kurrë”.

Ajo që na intereson në këtë shkrim është se Kapllan Resuli asnjëherë nuk e ka mohuar se romani është i tij, përkundrazi ka dëshmi të bashkëkohësve të publikuara në shtyp se romancieri, deri atëherë pak i panjohur, e shkroi veprën kur ishte i internuar mësues në Lushnjë dhe se botimi i romanit ka qenë një odise më vete, që ka zgjatur së paku tre vjet, nga viti 1962. Resuli ishte dëshmuar dhe më parë si shkrimtar, pasi më 1958 kishte botuar në Prishtinë romanin “Fanola” etj. Ai, me romanin e tij “Tradhtia”, nga më të rëndësishmit në letërsinë shqipe (vepra u fut ilegalisht në qindra kopje dhe në Kosovë), njohu shkëlqimin e menjëhershëm si prozator, ashtu si dhe rënien pingul, për shkak të qëndrimeve politike kundër regjimit të Tiranës; për më tepër dy herë i burgosur politikisht, edhe në Jugosllavinë titiste, edhe në Shqipërinë enveriste. As në burgun e Burrelit ai nuk pushoi së qeni shkrimtar. Për të mos hyrë në ndonjë debat jashtë-letrar, këto ishin vetëm pak rreshta me karakter njohës për lexuesin, pasi qëllimi i këtij shkrimi është romani dhe Kapllan Resuli si autor i tij, 30 e dy – trevjeçar, sa ç’ishte në kohën kur doli vepra. Se çfarë ka ndodhur me të më vonë, nuk është në fokusin e shqyrtimit tonë. Njerëzit, qofshin ata dhe shkrimtarë të suksesshëm për një kohë, në kushtet e një burgimi të gjatë e të rëndë politik, mund të lajthisin, të tjetërsojnë gjer emrin, bindjet, qëndrimet, fenë e kombësinë e tyre, sigurisht mëkate që s’mund të amnistohen.

“SHUMICA DËRMUESE (E PARTIZANËVE) LUFTOJNË PËR LIRI KOMBËTARE, QË NESËR TË JETOJNË SI SHQIPTARË, E JO SI ‘SHIFTARË’…”

Pavarësisht të gjitha këtyre, romani “Tradhtia” nuk e ka merituar të “tradhtohet”, duke u nxjerrë jashtë librarive, bibliotekave, auditorëve, historisë së letërsisë. Edhe sot e kësaj dite ai është një roman i lexueshëm, realist dhe për mendimin tonë jo tipikisht i “realizmit socialist”. Romani, nga këndvështrimi i sotëm, paraqet interes veçanërisht për studiuesit, po dhe për lexuesit:

E para, “Tradhtia” është një roman i lirisë nga pushtimi italo-gjerman i Luftës së Dytë Botërore, por që nuk mbetet vetëm në këtë rrafsh, pasi nga personazhet e tij i mëshohet po kaq e më shumë çlirimit kombëtar nga pushtimi serb, bullgar etj. duke qenë në këtë anë aktual dhe sot. Njëri nga personazhet, komisari Pjetër Munella thotë: “Si ju kam thanë dhe ma parë, as toka në vapën e gushtit s’asht ma e etëshme për ujë, ma e djegun për nji pikë shi, se sa asht i zhuritun kosovari për nji fije liri. Shqiptarët e Preshëvës sidomos. I njof këta njerëz sikur të kisha jetue njëqind vjet me ta. Askujt s’ia duen të keqen. Askujt s’i mendojnë zi. Janë të qetë e të përvujtun, paqedashës. Ama po bani e u randoi kush, ta dijë se ka prekë gjarpnin ku s’preket”. (Resuli, “Tradhtia”, 1967, 116).

E dyta, romanin e bën të veçantë teatri i luftës nacional – çlirimtare në Kosovën lindore, zonën e Karadakut 1943, një rajon ku nuk ndeshën dy palë kundërshtare si në Shqipëri, por disa palë në konflikt: shqiptarët me italianët / gjermanët, serbët dhe bullgarët. “Këtu s’bahet luftë vetëm kundër anmikut nazi-fashist. Këtu lufta bahet kudo e në çdo anë, në nji mijë fronte dhe me nji mijë lloj armësh. Ju kam tregue: shqiptari s’donte me komandue serbi e bullgari, e serbi e bullgari s’dojshin me i komandue shqipitari. Madje dhe në çetë s’dojshin me e pranue njëni-tjetrin…” (Po aty, f. 121.) Është ky konflikt njerëzisht etnikisht të ndryshëm (partizanët serbë kundër shqiptarëve) që çon dhe te tradhtia, që i ka dhënë titullin romanit. Edhe pse Lufta ka krijuar një konflikt të ri, në terren del në rend të parë ai konflikti i vjetër tradicional, historik i armiqësisë së sllavëve ndaj “shiftarëve”, që kishte shkaktuar aq shumë viktima në këta të fundit dhe kishte shkaktuar aq shumë murana gjaku në Ballkan. Partizanët e kombësive të ndryshme ballkanike duket sikur i ka bashkuar internacionalizmi proletar, fronti nacionalçlirimtar i Luftës së Dytë Botërore, por kjo është vetëm fasada, në të vërtetë sllavët janë në llogorën e vjetër, antishqiptare.

Arben Presheva, komandanti i batalionit partizan “Çlirimi” të Karadakut, i thotë serbit Bllazho Joviç, që është katapultuar nga qendra në shtabin partizan të këtij batalionit, për të zbatuar në fshehtësi planin e tradhtisë së luftës për interesat sllave: “Ky popull s’asht hera e parë që lufton. Por asnjiherë s’ia ka mbërritë qëllimit të luftës, qoftë nga tradhtia, qoftë nga ndërhymja e jashtme”. (f. 301.) “Ka ndëmjet tyne (luftëtarëve nacionalçlirimtarë) dhe komunistë, por të gjithë s’munden me qenë, as s’ka si të jetë. Shumica dërmuese e tyne luftojnë për liri kombëtare, qi nesër të jenë të lirë e të barabartë, të jetojnë si njerëz e si shqiptarë, e jo si shiftarë…” (f.302). Tradhëtia ndaj shqiptarëve dirigjohet nga lart, nga Shtabi Suprem që udhëhiqet nga Tito, saktësisht nga Vuk Petroviç. Se deri ku shkon krimi makbethian i “çlirimtarëve” serbë e tregon vrasja gjaftohtë e Bilanes, vajzës partizane bullgare, duke i futur duart në fyt Bllazho Joviçi, në prani të kriminelit tjetër Pavlloviç, vetëm se ajo nuk pranon të bëhet spiune e tyre kundra “shiftarëve”, siç i quanin ata shqiptarët.

Madje ajo vdes pa e kuptuar se deri ku shkonte mizoria e vëllezërve të saj të një gjaku. Skena është tejet rrëqethëse, sa do t’i shkonte përshtat çdo filmi horror apo romani të absurdit. “Procesi” i saj është po aq tronditës sa ai i Kafkës, që i merr jetën në gurore bankierit të pafajshëm Jozef K. Vajzën e vdekur e fusin poshtë krevatit, sipër të cilit fle Miodrag Pavlloviç që pret orën tre pas mesnate që të arratiset, për të mos iu nënshtruar gjyqit partizan. Është rasti kur një femër bëhet mish për “topin” shovinist serb, që dhe sot e kësaj dite nuk i është ftohur gryka në Ballkan.

Xhelatët një zakon kanë, atë të gjakut, pavarësisht se në cilën kohë jetojnë, çfarë kombësie kanë, frymëzohen apo jo nga ndonjë ideologji. Autorit ia ka lejuar këtë liri të shkruari botimi në Shqipëri i romanit, në kohën kur ishin prishur marrëdhëniet me Jugosllavinë, ndërkohë që të njëjtën gjë kishin bërë dhe partizanët shqiptarë me partizanen Ramize Gjebrea, pavarësisht motivit të sajuar, apo në Vishegrad duke pushkatuar pa gjyq oficerë partizanë që nuk kishin respektin e komandës së Brigadës. Edhe Arben Preshava pushkaton pa gjyq një partizan shqiptar, që kishte vrarë një serb. Për krimet e partizanëve është e vështirë dhe sot të flitet, pasi ata qenë vetë historishkruesit e Luftës së Dytë Botërore dhe krimet u mbuluan me namin dhe aureolën e çlirimtarëve. Meritat janë merita, padyshim, por dhe krimet janë krime e nuk mund të kenë një tjetër emër, pavarësisht se kush i kryen.

E treta, nga një lexim i sotëm i romanit, ashtu si dhe në romanet e tjera shqiptare të pas Luftës, kupton se figura e komisarit e komandantit të Luftës, e komunistit ishte e formuar njëherë e mirë, edhe pse ende pa pasur një parti legale, edhe pse me pak vite si i tillë, mjaftonte një tesër, një betim dhe ti ishte i kryer e i përkryer, i pagabueshëm, internacionalist, komunisti sikur nuk kishte më se ç’të mësonte nga jeta! Kjo ishte vetëdija ideologjike, politike, që çoi në krijimin e njeriut të ri. Megjithatë komandanti Arben Presheva nuk është skematik, parafabrikat i socrealizmit, në figurën e tij mishërohet udhëheqësi popullor me nje mveshje të re. Ndërkohë në roman vijnë aq natyrshëm figura tipike popullore shqiptarësh të përfshirë në luftë, si: hoxhë Mamer Kaleshi, Nuri Muçipapa, Lekë Bytyçi, Ymer Bunjaku, Demir Kaçaniku, Iljaz Bullaçani, Skënder Vitinja, Kamber Stublla, serbët Sreten Tucoviç e Stevan Olaça, bullgarët Orce Vapcarov e Gallab Çentov etj.

Kurse Hasan Remniku është tipi që haset kudo në luftërat për çlirim, si kryekaçak e cub që nuk dallohet për ndonjë ideal apo vizion kombëtar, por thjeshtë nuk duron që të jetë i pushtuar dhe nëpërkëmbur në lirinë e tij. Dëshmorët e luftës janë shqiptarë e të tjerë, ndar to dhe Shpresa e Hasija, e para motra e Arben Preshevës dhe tjera vajza që e donte atë në heshtjen e saj. E katërta, romani na sjell në skenë me mjeshtri figurën atdhetare e priftit dëshmor, padër Ndonit, në kohën kur po dilnin prej saj sivëllezërit e tij të shpallur “agjentë” të Vatikanit nga qeveria komuniste e Tiranës. Shpalimi i ideve jo të njëjta mes personazheve është një vlerë e romanit, jo se ka përplasje të tyre, pasi është luftë dhe jo arenë debati.

Autori shkruan se ata “e dojshin komisarin e tyne (të kompanisë) gadi njisoj si hoxhën”, por ja që ai kishte thënë një ditë se njeriu kishte ardhur nga majmuni dhe kjo i kishte trazuar njerëzit e luftës: “E ç’iu deshtën ata majmuna?! Ç’ju desht gjithë ajo lapërdhi për insanin, për krijesën ma të mrekullueshme në botë?! Atë e ka jeretisë perëndia. Kush dyshon – gabon!” Janë vetëm pak radhë, por të shkruara këndshëm e me humor. Duke folur për majmunat në atë kohë, dikush thotë me gjysmë zëri se disa prej tyre “Janë ba ministra lufte në Sofje, Berlin e Tokio!” Pyetjes se pse nuk vazhdon dhe sot “konvertimi” i majmunit në njeri, Ymer Bunjaku iu përgjigj: “Që kur kanë nisë njerëzit me u ba majmuna, majmunat nuk bahen ma njerëz”. (f. 219- 220). ”

“TRADHTIA”, SHKRUAR NË GEGNISHTEN LETRARE

Romani dallohet për strukturën e ngjeshur dhe kompozimin e tij klasik, intensitetin e ngjarjeve dhe shpalimin filmik të personazheve. Një galeri vërtetë e pazakontë njerëzish të përfshirë në luftë, nga disa kombësi, që nuk është lehtë të bëhen bashkë ne një vepër letrare: partizanë, nacionalistë, anarkistë, komandantë, hoxhallarë që drejtojnë kompani, infermiere që mjekojnë plagë, tradhtarë, kriminelë etj.. Mbizotërojnë skenat epike, por ka dhe ndonjë skenë dashurie, si ajo i shtyrjes drejt njëri – tjetrit të antifashistit italian Antonio Gargano dhe vajzës bullgare Bilana, që nuk e dinë gjuhën e njëri-tjetrit, por atë të tërheqjes mes tyre. Ai i thotë: “Si, bellezza?” Ajo përsërit “Si! Si” duke qeshë”, por pa ia ditur kuptimin fjalës. Kurse Antoni e merr këtë si “po, po” për ftesën që i kishte bërë asaj, teksa “pylli kishte hapë krahët e vet para tyne”… (f. 200).

E pesta, sidomos nga kundraja e sotme, romani meriton vëmendje të veçantë për gegnishtën letrare me të cilën është shkruar, që specifikisht është ajo kosovare, krahas autorëve të tjerë bashkëkohës, si Adem Demaçi, Anton Pashku, Nazmi Rahmani etj. Në këtë qasje kjo vepër do të kërkonte një analizë të plotë gjuhësore, sa i përket mbrujtjes gramatikore në tërësi, përdorimit të paskajores, muzikalitetit të fjalës dhe theksit ritmik, fjalëve të rralla dhe frazeologjisë popullore të trevës etj..

Resuli kishte studiuar të folmen e Ulqinit, numrin më të madh të veprave do ta shkruante në shqip, Robert Elsie do ta përfshinte në historinë e letërsisë shqiptare etj. Kryevepra e tij, “Tradhtia” është e mbrujtur fund e krye me idealin e lirisë dhe frymëzuese në këtë anë. Pasi ke kthyer fletën e fundit të romanit, me të drejtë shtron pyetjen: A mund ta shkruante atë një antishqiptar? Jo, bile as dhe një jo-shqiptar. Dhe vetiu mendon, që ajo ka ndodhur më pas me autorin ka qenë një shfryrje e pakontrolluar, konvulsive ndaj regjimit komunist shqiptar, që i mori lirinë dhe ëndrrat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.