Kryesore

“Kuvendi gjithëserb” e kritikat ndaj tij, Vuçiç u përgjigjet duke akuzuar Ambasadën amerikane: Kanë shkaktuar krizë

18:38 - 11.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka akuzuar të martën Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Sarajevë se ka “shkaktuar krizën” në Bosnje e Hercegovinë (BeH).




 

“Si, ku dhe prej kur shkruhet diku se prona është e autoriteteve qendrore dhe jo e entiteteve”, shkroi Vuçiç në llogarinë e vet në Instagram.

Me këtë, ai iu referua çështjes nga maji i vitit 2023, kur SHBA-ja deklaroi se prona e shtetit të Bosnje e Hercegovinës mund të zgjidhet me ligj shtetëror, e jo me ligj entiteti.

Ai kërkoi nga partnerët amerikanë, siç i quajti ai, t’i përgjigjen se si “kanë ardhur në përfundim dhe në bazë të cilit akt, se prona është e autoriteteve qendrore, dhe jo e entiteteve, siç është shkruar në Marrëveshjen e Dejtonit”.

Vuçiç shtoi se për këtë, ndër të tjera, ata “kanë marrë pjesë në shkaktimin e krizës në territorin e Bosnje e Hercegovinës”.

Entiteti i Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, është përpjekur vazhdimisht të zbatojë një ligj pronësie që synon transferimin e pronës shtetërore të Bosnjës te Republika Sërpska, pavarësisht se kjo është jokushtetuese.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese së Bosnje e Hercegovinës, prona shtetërore paraqet sende të luajtshme dhe të paluajtshme që shërbejnë për ushtrimin e pushtetit dhe mund të përfshijë edhe të mira publike (lumenj, male, pasuri natyrore, infrastrukturë komunikacioni etj.)

Pronat shtetërore në Bosnje e Hercegovinë nuk kanë qenë në dispozicion prej vitit 2005, kur përfaqësuesi i lartë i atëhershëm në Bosnje e Hercegovinë, Paddy Ashdown, vendosi Ligjin për mos lënien në dispozicion përkohësisht të pronës shtetërore. Ai është në fuqi derisa Asambleja Parlamentare e Bosnje e Hercegovinës të miratojë një vendim të ri për vënien në dispozicion të pronës në nivel shtetëror.

Në postimin e tij në Instagram, Vuçiç iu referua dispozitave të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila, tha ai, “parashikonte se të gjitha funksionet dhe kompetencat shtetërore që nuk u janë caktuar shprehimisht institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, do t’u takojnë entiteteve”.

Vuçiç paralajmëroi një ditë më parë se do t’i përgjigjet kritikave të Ambasadës Amerikane në Sarajevë në lidhje me të ashtuquajturin kuvendin gjithëserb, të mbajtur në Beograd më 8 qershor. Mirëpo, në njoftim ai nuk ka komentuar vlerësimin e Ambasadës Amerikane për konkluzionet e kuvendit.

“Kuvendi gjithëserb” u mbajt më 8 qershor në Beograd, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Qeverisë së Serbisë dhe të entitetit serb, Republika Sërpska.

Ai u organizua nën sloganin “Një popull, një kuvend – Serbia dhe Sërpska” dhe prodhoi të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb./REL


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.