LAJMI I FUNDIT

Inkurajim, shpresë, por edhe përkujdesje të vazhdueshme

09:37 - 15.06.24 EVA MËRTIRI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA EVA MËRTIRI 




Gjatë këtyre ditëve, në veçanti vazhdon të tërheqë vëmendjen bumi i shkrimeve dhe emisioneve për Shqipërinë i mediave të vendeve të ndryshme. Dhe nuk e fsheh, së bashku me disa nga shoqet dhe shokët e mi që kemi përfunduar Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, jemi ndierë mirë nga tabloja e mësipërme dhe në koshiencën tonë impakti i saj ka qenë i dukshëm. Kjo edhe për atë që këtë “bum” e shohim përditë në grupimet e shumta të turistëve. Mjafton të kalosh në bulevardin kryesor të Tiranës, teksa aparatet e këtyre turistëve fiksojnë pamje të bukura të kryeqytetit apo këta vizitorë, të ardhur nga katër anët e botës janë përqendruar në ekspozenë e ciceronëve pranë “Shtëpisë me gjethe”, te Muzeu “Bunk’Art”, pranë monumenteve të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, te Piramida…

Kemi të drejtë të entuziazmohemi. Sipas medias franceze, vendi ynë shihet si destinacioni më trend për të pushuar në Evropë gjatë verës, por edhe gjatë muajve të tjerë të vitit. Ajo u bën thirrje shtetasve të vet ta vizitojnë këtë vend, që “nuk është më shumë se dy orë e gjysmë larg Parisit dhe që ka mundësi të pafundme për t’u eksploruar”.

 Kam shfletuar këto ditë median britanike. Tërë shkrimet e saj i përshkon dëshira për të vizituar Shqipërinë, që turistët britanikë të mos lënë pa parë “atraksionet e shumta dhe tepër interesante të saj”, duke e cilësuar Shqipërinë, sipas prestigjiozes “The Telegraph” – një perlë e pakunduar e Ballkanit. Ose prestigjiozja tjetër britanike “The Guardian” e vlerëson vendin tonë si “një parajsë për pushuesit, me peizazhe të mahnitshme, bregdet dhe qytete historike. Natyrë në male, lumenj e det në pak kilometra, monumente të shumta historike…, me kuzhinë të pasur tradicionale dhe mesdhetare”.

Madje, po ndodh dhe kështu: Të rinj dhe çifte që nga Suedia, Gjermania, por edhe nga Kili, Argjentina e shijojnë Thethin, Dajtin, Gjirokastrën, Sarandën, destinacionet jo të pakta të dashuruar me to, duke ndihmuar vullnetarisht dhe familjarizuar, duke u bërë “të shtëpisë” me sipërmarrësit e bizneseve, me qytetarët e këtyre zonave. Duket paradoks, por gjithçka është e prekshme, frymëzuese. Sepse për ta dhe historia, kultura e vendit tonë, krahas, natyrës së mrekullueshme, monumenteve të saj janë një forcë magnetike e pavenitur që të mbajnë fort pas vetes.

Të gjitha këto nuk kanë si të mos të të entuziazmojnë për vendin tënd, por dhe të inkurajojnë shpresën, duke i vënë sadopak bërrylat pashpresës, që megjithatë ndihet jo pak dhe midis nesh. Prandaj, që kjo e fundit të mos gjejë strehë të mëtejshme kërkon përkushtim më të madh. Pa u shpërndarë më gjerë, po ndalem në një nga momentet e rëndësishëm: te kujdesi ndaj atyre që kanë përfunduar dhe përfundojnë arsimin e lartë apo ndryshe, me kualifikim universitar. Theksova këtë, meqë lidhet drejtpërdrejt me ne. Sipas një statistike, numri i tyre zinte rreth 40 për qind të të larguarve nga vendi.

E kuptoj shumë mirë, që kryet përsëri do të anojnë këtej, sepse lidhet me mundësi më të mira të punësimit, me arsimimin dhe specializimin e mëtejshëm në universitete perëndimore, por edhe për të ardhura më të larta. Të mos keqkuptohemi. Sot askush nuk të mbyll dyert për lëvizje të lirë, sepse dhe në shtetet evropiane, biles edhe më të zhvilluar, njerëzit emigrojnë nga një vend në tjetrin. Edhe nga kursi ynë për bioteknologji, megjithëse të rrallë, përsëri ka që kanë emigruar. Por ç’ndodh? Ka prej tyre që kanë qenë të detyruar t’u drejtohen punëve jashtë profilit për të cilin kanë mbaruar studimet, gjë që normalisht, nuk ka kaluar pa stres.

Por, siç thotë një shprehja jonë e urtë, guri rëndon në vendin e tij. Prandaj, sikurse është e njohur, mbetet përparësor krijimi dhe më tej i hapësirave të punës për të rinjtë.

Shqipëria është në progres, ndërsa i afrohet pranimit në Bashkimin Evropian. Këtë, sikurse sollëm në shkrim, e pohojnë hapur, pa ekuivokë, qëndrimet entuziaste të medias botërore dhe të turistëve të shumtë të këtyre ditëve. Prandaj dhe shpresat tona bëhen më të gjalla. Dhe dilema hamletiane “të iki apo të mos iki nga vendi”, do t’i ketë dhe më tej mundësitë për t’i qëndruar pjesës së dytë të saj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.