Kryesore

FOTO/ Ambasada britanike organizon festë për ditëlindjen e Mbretit Charles III, Alastair King-Smith: Potenciali juaj i plotë do përmbushet vetëm duke çrrënjosur korrupsionin

20:34 - 20.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith, gjatë fjalës së tij në eventin e mbajtur në kryeqytet me rastin e ditëlindjes së mbretit Charles III, është shprehur se Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë, vetëm duke u përpjekur të çrrënjos korrupsionin.




“Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nese ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelet para ligjit”, tha ambasadori.

King-Smith u shpreh se Shqipëria vazhdon të jetë një prej aleatëve më të fortë në NATO, në mbështetje të Ukrainës dhe në qëndrimin ndaj Rusisë në Kombet e Bashkuara.

Ndër të tjera ai theksoi se mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe ekziston tashmë një partneritet i gjerë që po lulëzon.

“Një partneritet për sigurinë. Një partneritet për mbrojtjen. Një partneritet të zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Një partneritet për drejtësinë”, u shpreh ai.

I ndalur tek të ftuarit e pranishëm, ku ndër ta ishin edhe gjyqtarë e prokurorë, Alastair King-Smith theksoi se “Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë gjithmonë krah jush që promovoni demokracinë, lirinë dhe zbatimin e ligjit”,

Fjala e plotë

E nderuar Zonja Kryetare e Kuvendit
E nderuar Zonja Zëvendës Kryeministre
E nderuar Zonja Kryetare e Gjykates Kushtetuese,
I nderuar Zoti Kryetar i Gjykates se Larte,
Të nderuar ministra, deputetë, zonja dhe zotërinj, miq.

Kënaqësi të jemi këtu së bashku për të festuar ditëlindjen e Madhërisë së tij, Mbretit Karl i tretë.

Mirë se erdhët të gjithë në festën për Madhërinë e tij, Mbretin Karl i Tretë.
U bënë tre vjet që ndodhem këtu në Shqipëri, kësisoj dua të ndaj me ju disa reflektime personale dhe disa mendime për të ardhmen. Ka qenë një privilegj të njihja secilin prej jush. Të gjithë ju po jepni një kontribut të rëndësishëm për Shqipërinë. Unë jam i qartë se ky vend ka një potencial të madh. Dhe pikërisht për këtë, jam i qartë se ky vend do të arrijë gjëra edhe më të mëdha në të ardhmen.

Si ambasador britanik, unë vendosa të farkëtoj marrëdhënien më të fortë të mundshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.

Ashtu siç edhe Sekretari i Jashtëm britanik, Lord Cameron tha kur ai vizitoi Shqipërinë muajin e kaluar, ne kemi tashmë një partneritet të gjerë që po lulëzon.
Një partneritet për sigurinë. Një partneritet për mbrojtjen. Një partneritet të zhvillimit ekonomik dhe tregtar. Një partneritet për drejtësinë.

Dhe kjo është bërë e mundur si rrjedhojë e miqësisë sonë dhe punës suaj të palodhur.
Tani, vende të tjera duan të mësojnë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar.
Mënyrën se si krijuam një partneritet dypalësh që po jep kaq shumë rezultate, kaq shpejt.
Vitin e kaluar ju bëra thirrje të bëjmë çfarë është e mundur për t’i bindur të rinjtë të mos shkatërrojnë jetët e tyre, duke udhëtuar në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Sot, dua t’ju falënderoj për çfarë kemi arritur së bashku për ta ndryshuar këtë, në mënyrë që këtë vit të festojmë lidhjet pozitive dhe në rritje mes popujve dhe vendeve tanë.
Turizmi nga Mbretëria e Bashkuar po dyfishohet – ne mund të arrijmë thuajse gjysmë milionë vizitorë britanikë deri në fund të këtij viti. Dhe nuk jam i habitur – ky vend ka peisazhe dhe natyrë kaq të veçantë dhe njerëz kaq të ngrohtë e mikpritës në të gjithë vendin.

Më ka pëlqyer më shumë se çdo gjë të udhëtoj dhe vizitoj çdo pjesë të Shqipërisë.
Padyshim këtë muaj, ne kemi shumë lidhje që kanë të bëjnë edhe me sportin. I uroj Shqipërisë sukseset më të mira në turneun e futbollit Evropian. Ju shënuat tashmë historinë e turneut me golin fantastik në 23 sekondat e para të ndeshjes kundër kampionit në fuqi, Italisë dhe një tjetër gol në pesë minutat e fundit në ndeshjen kundër Kroacisë.

Do të sygjeroja që të tregojmë vlerësimin tonë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe të dëshmojmë mbështetjen tonë për pjesën e mbetur të turneut!
Anglia po luan me Danimarkën pikërisht tani, ndaj ne – qofshim me fat – do të festojmë fitoren e tyre sonte! Mes katër shteteve tanë, Skocia është gjithashtu pjesëmarrëse. Siç mund ta dalloni nga kilti që mbaj veshur, unë jam gjysmë skocez, ndaj jam veçanërisht i kënaqur për të mirëpritur Gardën Skoceze, si bandën tonë ushtarake britanike, këtë mbrëmje.

Të premten, isha në Kukës dhe javën e ardhshme do të jem në Shkodër, për të parë se si investimet tona në veri kanë krijuar vende pune dhe aftësimin e të rinjve. Duke u dhënë atyre një shans për të jetuar, studiuar, punuar dhe për të krijuar familjet e tyre këtu.

Është vërtetë frymëzuese të dëgjosh ëndrrat e tyre për të ardhmen, nëse vetëm ndihmon për t’i bërë ato realitet. Ju lutem vazhdoni të bashkoni forcat me ne për t’i bërë këto iniciativa të suksesshme.

Mbretëria e Bashkuar është një partner i angazhuar për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Në arenën ndërkombëtare ne përshendesim si Shqipëria vazhdon të jetë një prej aleatëve tanë më të fortë në NATO, në mbështetje të Ukrainës dhe në qëndrimin ndaj Rusisë në Kombet e Bashkuara.

Ky guxim vlerësohet shumë. Ne do të vazhdojmë mbështetjen për ju, si në aspektin e sigurisë ashtu dhe atë ekonomik. Ne do t’ju ndihmojmë të nxisni lidhjet rajonale dhe të investoni në hekurudha dhe infrastrukturë, në mënyrë që ju dhe gjithëkush, në të gjithë Ballkanin Perëndimor, të mund të udhëtoni lehtësisht, të bëni tregti dhe biznes me njëri-tjetrin.

Ne do të mbështesim bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për sigurinë kufitare, do të forcojmë mbrojtjen tuaj kibernetike dhe do të kryejmë më shumë operacione të përbashkëta mes forcave tona policore, prokurorëve dhe agjencive të inteligjencës për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Por ndërsa gjithashtu ekzistojnë shumë kërcënime të jashtme, sfida më e madhe e Shqipërisë, ndërsa vazhdon në rrugën e saj euro-atlantike, me shumë gjasa vjen së brendshmi.

Në vitet e ardhshëm, Shqipëria do ta përmbushë potencialin e saj të plotë vetëm nese ju merrni pjesë në një përpjekje të përbashkët për të çrrënjosur korrupsionin, për të forcuar institucionet tuaja demokratike dhe për t’i nxjerrë kriminelet para ligjit.

Të gjithë parlamentarëve, zyrtarëve, politikanëve dhe partnerëve të tjerë, jam i kënaqur këtë mbrëmje që shoh kaq shumë përfaqësues të gjyqësorit, institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile të mbledhur së bashku. Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë gjithmonë krah jush që promovoni demokracinë, lirinë dhe zbatimin e ligjit.

Një prej arritjeve të mia më krenare ishte të shihnim se sa shpejt Dhoma jonë Britanike e Tregtisë është shndërruar në një kontributore dinamike për të ardhmen e Shqipërisë.
Jo vetëm duke na ndihmuar të vazhdojmë rritjen e ndjeshme të tregtisë dhe investimeve dypalëshe cdo vit. Por duke garantuar bursa studimi për të rinjtë në veri për të studiuar në universitetet shqiptare dhe ato britanike, duke lidhur partneritet me ne për të garantuar mundësi punësimi dhe duke ndihmuar vendosjen e standardeve të integritetit në biznes.

Dhe fjala ime e fundit falënderuese i shkon të gjithë ekipit tim në ambasadën britanike; pa dedikimin tuaj të pakursyer, asnjë prej këtyre arritjeve nuk do të ishte e mundur.
Ka qënë një privilegj t’i kaloja këto tre vitet e fundit këtu, duke punuar me ju dhe duke e parë Shqipërinë të lulëzojë për t’u bërë një prej partnerëve më të mirë të Mbretërisë së Bashkuar në rang ndërkombëtar dhe operacional. Uroj që kjo të vazhdojë sa më gjatë!
Do të dëshiroja të përfundoja duke ngritur një dolli për Madhërinë e tij, Mbretin. Ditëlindja e tij zyrtare është frymëzimi i kësaj feste dhe të gjitha atyre festave të ngjashme që po zhvillohen në mbarë botën.

Javën e kaluar, Madhëria e tij ishte sërish në Paradën e Rojeve Kalorsiake në Londër, së bashku me Familjen Mbretërore, duke u përshëndetur nga ushtria britanike në paradën ushtarake, që njihet si ‘Trooping of the Colour’, ashtu si monarkët britanik kanë bërë çdo vit prej vitit 1748. Ndërsa do të festojmë nën tingujt e bandës së ushtrisë britanike dhe gajdexhiut të mrekullueshëm skocez.  Siç do të kërcejmë nën tingujt frymëzues të Juliana Pashës, e cila do të këndojë për ne sot ashtu si në Eurovizion, në vitin 2010.

Ndërsa ne kremtojnë lidhjet e mrekullueshme mes dy vendeve. Ju uroj një mbrëmje të paharrueshme. Faleminderit që jeni me ne! Faleminderit të gjithëve për miqësine tuaj të ngrohtë, gjatë gjithë mandatit tim në Shqipëri! Dhe ju ftoj të ngrini një dolli për Madhërinë e tij, Mbretin Karl i III-të. Për Madhërinë e tij, MBRETIN!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.