AKTUALITET

Ballkani Perendimor në “Black out”, përse u shkëput energjia elektrike për 2 orë në rajon? Komisioni Evropian nis hetimet për zbardhjen e ngjarjes

11:38 - 22.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërprerja e energjisë elektrike për rreth dy orë në Ballkanin Perendimor ka sjellë vëmendjen e Komisionit Evropian, i cili do hetojë rastin në mënyrë të detajuar dhe urgjente.




Përmes një njoftimi zyrtar në faqen e saj, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Energji (ENTSO), lajmëron se në javët në vijim do kryhen hetime për “black out” që ndodhi në rajon, i cili përfshiu në ndërprerje rë rrymës elektrike Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinë dhe një pjesë të Kroacisë.

“Më 21 qershor,rreth orës 12:20, një incident i madh në rrjet ka ndodhur në pjesën juglindore të sistemit energjetik të Evropës Kontinentale. Incidenti rezultoi në ndërprerje të rrjeteve elektrike të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe në një ndërprerje të pjesshme në Kroaci. OST-të e prekura, me mbështetjen e OST-ve fqinje, rikthyen energjinë në rrjetet e tyre brenda rreth 2 orësh, duke synuar minimizimin e ndikimit të ndërprerjes te konsumatorët. Në përputhje me metodologjinë e shkallës së klasifikimit të incidenteve, Komiteti i Operacioneve të Sistemeve i ENTSO do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh”, thuhet në njoftimin e ENTSO.

Për rastin ka shkruar dhe BBC, duke sjellë njoftimin zyrtar të Ministrit të Energjisë së Mait të Zi, Sasha Mujoviç, i cili u shpreh se problemi ka lindur për shkak të mbingarkesës ditore nga temperaturat e larta.

Media malazeze “Vijesti” përsa i përket njoftimit të ENTSO për hetimet ndërkombëtare mbi rastin, shprehet se do vijojnë për rreth 6 muaj.

Po kjo media shkruan se Mali i Zi u akuzua fillimisht si shkaku i prishjes së transmetimit të energjisë elektrike në rajon, por sjell një deklaratë të ministrit të energjisë malazeze se ky është një version i gabuar.

“Ne jemi dëshmitarë të një prishjeje rajonale të sistemit elektroenergjetik dhe të fajësosh Malin e Zi për këtë do të ishte jashtëzakonisht e gabuar. Problemi u ngrit si rezultat i një ngarkese shumë të madhe, rritjes së ngarkesës ditore dhe temperaturave shumë të larta. E gjithë kjo çon në faktin që rryma nuk mund të transmetohet siç duhet dhe po vijmë tek ajo që ndodhi sot”, tha ministri i Energjisë dhe Minierave Sasha Mujoviq në një fjalim zyrtar për mediat malazeze, shkruar nga media Vijesti.

Ndërkohë dhe në vendin tonë kanë ardhur reagime nga zyrtarë politikë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku shpreh versionin se problemi ka nisur nga linja e interkonjeksionit midis kufirit shqiptar e grek, duke rrëzuar poshtë pretendimet se hallku i problemit të ketë nisur nga Mali i Zi.

“Duke nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë.

Nga analiza e parë, por sigurisht duhet të marrim kohën tonë për të bërë një analizë të thelluar teknike, rezulton se volumet e mëdha në sistemet e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike.

Vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim. Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe sigurisht do të vazhdojmë që të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurt” tha ministrja Balluku.

Edhe pse u sigurua fillimisht se arsyeja për këtë ndërprerje të transmetimit të energjisë ishte për faktin e mbipërdorimit për shkak të temperaturave të larta (ndezja e kondicionerëve), duket se Komisioni Evropian nuk është plotësisht e bindur për këtë narrativë, duke shtruar kështu hetimet e thelluara të saj me ekspertë të fushës.

Kujtojmë se dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi mbi këtë “black out”, i cili akuzoi Ballukun për vjedhje fondesh të energjisë elektrike.

“Blackout i plotë!

Kolaps i plotë i sistemit energjitik të vendit!

Të dashur miq, sot sistemi energjitik pësoi rënie të plotë si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Rama-Balluku rrihnin gjoksin për 1,3 miliard euro investime në këtë sistem, por ky kolaps dëshmon se më së paku 90% e tyre janë vjedhur ndaj dhe kjo renie totale.

Dënoj me forcën më të madhe vjedhjen e fondeve të investuara në sistemin energjetik i cili falimentoi me vapën e parë. #sb”, ka shkruar Berisha në faqen e tij në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.