AKTUALITET

“Black out” total në vend, si e raporton ngjarjen BBC? -Ballkani Perëndimor i goditur nga ndërprerjet e energjisë elektrike, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon

09:34 - 22.06.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditën e djeshme vendi ynë kaloi në një “black out” total në qytetet kryesore, duke bërë që të vështirësoheshin përballimi i temperaturave të larta në vend për shkak të mungesës së energjisë elektrike.




Por përveçse Shqipërisë, shkëputje totale të energjisë elektrike patën dhe vendet e rajonit, përfshirë: Malin e zi, Bosnje Hercegovinë dhe zona të mëdha të bregdetit kroat.

Këtë ngjarje e raporton dhe BBC, e cila shkruan se në Bosnje dhe Kroaci u shkaktua një kaos në qarkullimin rrugor për shkak të rrëzimit të semaforëve.

Sipas BBC rënia energjetike shënon fillimisht në orën 13:00 me orë lokale, por OSHEE njoftoi se mbetja pa energji ka nisur në orën 12:20.

Njoftim i OSHEE
Per shkak te renies se sistemit 400kV te OST, ora 12:20, kanë mbetur pa energji elektrike nënstacionet në rang vendi.

Aktualisht po manovrohet për rikthimin e energjisë ne nënstacionet 110kV te OST, dhe me radhe radhë te nënstacionet 35kV të OSSH.
Aktualisht kanë marë energji elektrike nënstacionet Selitë, Traktora, Qendër.

Po punohet me ritme të larta për stabilizimin e situatës.

Një nga shkaqet që BBC raporton të jetë faktor për këtë rënie të sistemit të transmetimit mbetet ngritja e temperaturave në rajon, pasi u rrit nevoja që familjarët të përdorin kondicionerët për të luftuar vapën e “pushtuar” në vend ditën e djeshme.

“Humbja e energjisë i dha gjithashtu një goditje sezonit turistik në vendpushimet kroate, me pushuesit në Dubrovnik të mbetur në rrëmujë pasi restorantet, baret dhe supermarketet mbyllën dyert e tyre.”, shkruan BBC.

Po kështu dhe Ministri i Energjisë së Malit të Zi, Sasha Mujoviç u shpreh në një televizon kombëtar se fajtor për këtë rënie mbetet rritja e papritur e konsumit të energjisë për shkak të temperaturave të larta.

“Vijesti TV” i Malit të Zi raportoi për zjarr pranë një linjë transmetimi të energjisë në një zonë të thyer pranë kufirit me Bosnjen, por kanali televiziv nuk sqaroi në asnjë moment nëse këto flakë kishin lidhje me rënien e sistemit të transmetimit të energjisë.

“Vijesti TV i Malit të Zi transmetoi raporte për një zjarr në një linjë të transmetimit të energjisë në një zonë të thyer pranë kufirit me Bosnjën, megjithëse stacioni nuk e bëri të qartë se si mund të lidhej kjo me ndërprerjet e energjisë elektrike.”, shkruan media ndërkombëtare.

Përsa i përket Shqipërisë, BBC raporton deklaratat e zyrtarëve tanë se “energjia u rivendos brenda gjysmë ore, por se ekzistonte një rrëzik i lartë për ndërprerje të mëtejshme, pasi përdorimi i energjisë ishte ende i lartë”.

 

Ka qenë ministre Balluku një prej zyrtarëve që reagoi mbi ngjarjen duke u shprehur se duhet bërë një analizë teknike e thelluar për këtë rënie.

“Duke nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë.

Nga analiza e parë, por sigurisht duhet të marrim kohën tonë për të bërë një analizë të thelluar teknike, rezulton se volumet e mëdha në sistemet e transmetimit në këto momente, por gjithashtu edhe temperaturat shumë të larta në nivele rekord, kanë krijuar këtë lloj problematike teknike.

Vazhdojmë të jemi në një zonë rrezikshmërie të lartë, pasi volumet e transmetimit në linjat e interkonjeksionit janë shumë të mëdha në këto momente dhe nga ana tjetër temperaturat do të jenë të tilla, në nivele rekord edhe në ditët në vazhdim. Duhet thënë se jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët e tjerë të transmetimit në rajon për të bashkërenduar punën me ta dhe sigurisht do të vazhdojmë që të bëjmë analizën e duhur teknike për të gjetur problematikën dhe për ta mbajtur rrjetin të sigurt” tha ministrja Balluku.


Reagime të ashpra pati e nga opozita, përkatësisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili akuzoi qeverinë për vjedhje të fondeve që i përkasin sistemit energjitik.

“Blackout i plotë!

Kolaps i plotë i sistemit energjitik të vendit!

Të dashur miq, sot sistemi energjitik pësoi rënie të plotë si kurrë ndonjëherë në historinë e vendit. Rama-Balluku rrihnin gjoksin për 1,3 miliard euro investime në këtë sistem, por ky kolaps dëshmon se më së paku 90% e tyre janë vjedhur ndaj dhe kjo renie totale.

Dënoj me forcën më të madhe vjedhjen e fondeve të investuara në sistemin energjetik i cili falimentoi me vapën e parë. #sb”, ka shkruar Berisha në faqen e tij në Facebook.

BBC e mbyll artikullin e saj me faktin se “prodhimi i energjisë në Ballkanin Perëndimor po largohet nga përdorimi i qymyrit, i cili përbën pjesën më të madhe të emetimeve të gazeve serrë në rajon.”

“Por, pavarësisht nga një përpjekje e madhe për të investuar në energjinë diellore, infrastruktura e energjisë rrënqethëse nuk është ende plotësisht e përgatitur për ndryshimin, thonë zyrtarët e industrisë.”, e përmbyll BBC.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.