LAJMI I FUNDIT

Në vendin e të varurit nuk përmendet litari!

08:24 - 25.06.24 DR. JORGJI KOTE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA DR. JORGJI KOTE




Kjo thënie popullore e njohur në botë të rivjen në kujtesë këto ditë, plot 8 vite nga referendumi i 23 qershorit 2016, kur Mbretëria e Bashkuar i tha ‘Po’ daljes nga BE-ja, ndonëse me një diferencë shumë të ngushtë votash prej vetëm 51,9 për qind. Dhe në kulmin e fushatës së zgjedhjeve të atjeshme të parakohshme parlamentare më 4 korrik. Ajo çka bie shumë në sy gjatë kësaj fushate është se po flitet dhe debatohet për një mori sfidash, tematikash dhe me parashikime të shumta; veçse asnjë fjalë, nga askush dhe askund për BREXIT! A thua se ai nuk ka ekzistuar në historinë e këtij vendi të madh, edhe pse as 5 vjet nuk kanë kaluar nga 31 janari 2020, kur Londra bëri përfundimisht “divorcin” zyrtar me Brukselin. Ndonëse dihet se pas vitit 2013, kur ish-Kryeministri Cameron bëri gabimin fatal politik, duke vendosur zhvillimin e referendumit përkatës, Brexit u bë kryefjala dhe kryengjarja politike, që “pushtoi” kancelaritë perëndimore, faqet dhe kronikat e para të shtypit dhe medias në Europë, SHBA dhe më gjerë. Nën kumbimin e kërkesës së njohur të ishKryeministres Thatcher “na ktheni paratë mbrapsht”! Megjithë lutjet dhe thirrjet e aleatëve europianë për ta riparë atë vendim, Londra konservatore u përgjigj sërish me “NO”-në e trefishtë të Thatcherit. Me premtime të bujshme populiste për begati ekonomike, siguri, liri dhe dinjitet britanik. Edhe pse ishte vetë Londra zyrtare, e cila “nuk la gur pa lëvizur” derisa iu bashkua BE-së më 1973!

Rezultati pro-Brexit u konsiderua fitore e madhe e arkitektit të tij, ish-Kryeministrit Boris Johnson dhe ultra populistëve të Nigel Farage; jehona e saj u përhap dhe pasua me triumf 6 muaj më vonë nga ardhja e homologut të tyre Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Brexit u festua nga forcat populiste dhe ekstremiste, me pompë, bujë dhe shampanjë, jo vetëm në Londër, por dhe në Europë, sidomos në Paris, por jo vetëm. Ato ditë, Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë “Tubimi Kombëtar” i përgëzoi me të madhe britanikët, të cilët sipas saj, “u çliruan nga skllavëria europiane”! Më tej, ajo e konsideroi fitoren e Brexit si ngjarjen më të rëndësishme qysh nga rënia e Murit të Berlinit”.

Shumë shpejt, Brexit hyri në modën politike, si pikë referuese dhe model joshës për “ exit-e” dmth., ndarje edhe të vendeve të tjera me Brukselin. Kudo flitej dhe parashikohej për “frexit, italexit, grexit, bexit” dhe ‘exit’-e të tjera. Madje, pati profetë të së keqes që nxituan dhe paralajmëruan dhe vetë fundin e BE-së.

Mirëpo koha si gjykatësi më i mirë vërtetoi se brexitasit kishin gabuar rëndë duke vepruar e fituar pa analiza serioze, pa përgjegjësi, me premtime të parealizueshme, duke pohuar mrekullinë e brendshme britanike dhe duke denoncuar të keqen e cila, sipas tyre, ishte vetëm jashtë ishullit, duke shfaqur veset më tipike populiste!

E pra, krejt e kundërta po ndodh tani, asnjë fjalë “për be” për Brexit! As nga “brexitasit” dhe pasuesit e tyre në majat e politikës britanike! Por këtu nuk ka asgjë për t’u habitur.

Pa hyrë në ligjërime filozofike dhe debate shterpë, kjo “heshtje varri” shpjegohet me historikun dhe rrugën e stërmundimshme të Brexit, duke filluar nga referendumi, te ndarja përfundimtare me Brukselin dhe mbi të gjitha me bilancin mjeran të këtyre 4 viteve e ca për Mbretërinë e Bashkuar; në të gjitha aspektet, politike, ekonomike, sociale, institucionale.

Kështu, në pikëpamje politike dhe institucionale, asnjëherë më parë në Britani nuk ka ndodhur si gjatë 5 viteve të fundit kur janë ndryshuar 4 kryeministra – Theresa May, Boris Johnson, Liz Truss dhe Rishi Sunak, dhe i pesti mbas 4 korrikut, laburist sipas të gjitha gjasave, mbas 14 viteve në opozitë. Nuk po hyjmë te ministrat dhe zyrtarë të tjerë të lartë mbështetës dhe adhurues të flaktë të Brexit, që kanë dhënë dorëheqjen, janë hequr mbas skandaleve të shumta, deri te truproja i Sunakut tani së fundi, i cili vinte baste për datën e zgjedhjeve të parakohshme!

Më tej, në fushën ekonomike dhe sociale britanikëve iu “premtuan qiejt” nga populistët e Brexit-it. Por, rritja ekonomike jo vetëm nuk ka shënuar asnjë rritje sado të lehtë, por ajo ka rënë mbi 4 për qind. Plus shumat marramendëse të tatimeve doganore për mallrat që blejnë nga BE-ja etj.. Po ashtu, premtimi për nënshkrimin e marrëveshjeve tregtare me vende të tjera të botës, për të kompensuar demek humbjet e daljes nga BE-ja ka mbetur në vendnumëro. Premtim tjetër i bujshëm dhe i pambajtur është realizimi i përfitimeve javore neto prej 445 milionë euro për sistemin shëndetësor që nuk duket në horizont. Dhe më keq e ka pësuar imigracioni i paligjshëm, i cili po vazhdon “të bëjë kërdinë”!

Të pallogaritshme janë humbjet në sistemin e arsimit, te programet e shumta rinore, arsimore, kulturore dhe shkencore; në fakt, pasoja e Brexit në këto fusha jetike ishin bërë të njohura me kohë dhe në Letrën publike të 4000 rektorëve të universiteteve britanike. Ndërkohë, britanikët tani duhet të zënë radhën për të marrë vizë për të shkuar me pushime në Spanjë, Portugali, Greqi dhe gjetkë.

Këtë realitet të zymtë e pranojnë edhe shumë ekspertë, kundërshtarë dhe mbështetës të Brexit. Kështu, Alastair Campbell, këshilltari i ish-Kryeministrit britanik Tony Blair pohon se “Brexit ishte katastrofë”! Po sipas tij, veç rënies së madhe ekonomike, “tani jemi më të dobët në botë, sepse kemi humbur një pjesë të respektit dhe ndikimit që buronte nga anëtarësia jonë në BE”.

Brexit krijoi probleme dhe të çara më të mëdha dhe në aspektin gjeopolitik. Lidhur me këtë, eksperti i Brexit, Anand Menon nga Kolegji Mbretëror i Londrës shtron pyetjen se “me kë duhet të bisedojnë tani më parë SHBA-të në Europë, me Brukselin, Parisin, Berlinin, Romën apo me Londrën”?

Siç u përmend qysh në fillim të këtij shkrimi, edhe publikut i ka ardhur në majë të hundës nga Brexit, ndaj dhe nuk duan t’ia dëgjojnë më emrin. Ja pse dhe tani në zgjedhjet e reja parlamentare, Brexit nuk po luan asnjë rol, as për mirë dhe as për keq. Konservatorët e Sunak natyrisht nuk guxojnë ta përmendin, sepse ai ishte dështimi i tyre i madh. Madje as Nigel Farage, propagandisti më i flaktë i Brexit; menjëherë mbas “divorcit” me BE-në, në vend të tregonte në praktikë dobinë e Brexitit, ai nxitoi të jepte me ngut dorëheqjen, duke ia lënë “dopio gjashtën në dorë” të tjerëve. Kohët e fundit ai ka dalë me partinë e tij të re “Reform UK” si një parti proteste, me shpresë se mund të zgjidhet deputet mbas 7 tentativave të dështuara të mëparshme në Parlamentin britanik. Ama dhe ai pa belbëzuar asnjë fjalë për Brexitin e tij famëkeq. Edhe laburistët, të sigurt në fitore më 4 korrik, nuk besojnë më se mund të ngrohin apo ca më pak të shtojnë radhët e tyre me Brexit-in. Ndërkaq, shumë pak njerëz ushqejnë mendimin për një rikthim britanik në Bruksel.

Ca më tepër kur dhe vendet e BE-së tani nuk është se kanë ndonjë qejf apo merak për ta ripranuar Britaninë në BE. Kështu, në shtetin e saj më të madh, në Gjermani, sipas një sondazhi të javëve të fundit të Institutit të mirënjohur INSA, vetëm 37 për qind e të anketuarve e duan sërish Londrën në BE, 19 për qind janë kundër, ndërsa 38 për qind janë indiferentë.

Në këto kushte, kuptohet lehtë pse dhe jehona politike dhe publike e Brexit në Britani është shuar plotësisht; ai nuk figuron më si alternativë, nuk josh më, nuk jep më vota dhe për pasojë nuk është më perspektivë dhe shans për fitore në zgjedhje dhe ardhje në pushtet. Kjo dhe për shkak të kostos së tij të papërballueshme, të peripecive të pafund të procedurave dhe formaliteteve, të cilat e detyruan qeverinë britanike të shtynte disa herë daljen nga BE-ja. Puna arriti deri aty sa të bëheshin shumë protesta masive dhe peticione që kërkonin jo më daljen nga BE-ja, por daljen nga Brexit.

Shumë shpejt, forcat e tjera ekstremiste dhe populiste në Europë e kuptuan se të dilje nga BE-ja ishte mision i pamundur, humbje kohe, ndikimi dhe pa përfitime të vërteta. Ndodhi pikërisht si te thënia jonë e njohur “hidh një lek të futesh në valle, fut 100 dhe s’del dot fare”! Ndaj Brexit u hoq shpejt nga fjalori dhe aksioni politik i forcave të ekstremit të djathtë dhe atyre populiste.

Të kuptohemi drejt, jo se këto të fundit e duan BE-në, ca më pak vlerat dhe parimet e saj themelore, shtetin e të drejtës, median e lirë, drejtësinë e pavarur, kurrsesi. Ndoshta as se kanë hequr dorë përfundimisht nga “Exit”. Ndaj, ditët e fundit, mbas shpalljes se zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Francë, ish-kryenegociatori i mirënjohur i BE-së, europianisti i shquar, Michel Barnier paralajmëronte se “me një fitore të mundshme të Lë Penit ekziston rreziku i rikthimit të ‘Frexit’, pra daljes së Francës nga BE-ja, me pasoja tejet të rënda dhe efekte zinxhir. Barnier e argumenton këtë rrezik dhe me faktin se deri më sot, Le Pen nuk i ka mohuar apo përgënjeshtruar deklaratat e saj të lartpërmendura të tetë viteve më parë për Brexit.

. Gjithsesi, të paktën tani për tani, populistët dhe ekstremistet e dinë se të kërkosh “exit” është si t’i “ biesh murit me kokë”. Ndaj në vend të “leave” dmth., largimit nga BE-ja, ato kanë zgjedhur të paktën, hë për hë “stay” dmth., “qëndrim” aty, por me alternativën e tyre të re “për ta marrë kalanë nga brenda” ose thënë me gojën e protagonistëve të tyre “ta ribëjmë BE-në” me demokraci joliberale (remake Europe). Apo dhe më konkretisht “ta bëjmë Brukselin si Romën”, siç ka premtuar Meloni, kryeministrja italiane dhe liderja e “Vëllezërve të Italisë”. Tanimë me gjuhë të butë, të kultivuar, duke e mbajtur mirë më të “mëdhenjtë” në Bruksel dhe në Uashington, por duke vazhduar të sulmojnë burokracinë dhe diktatin e Brukselit, aspektin supranacional në favor të atij ndërqeveritar dmth., forcimit të rolit të vendeve anëtare; veçse këtë po mundohen ta bëjnë “me diplomaci të butë dhe sharmi”, në mënyrë ligjore dhe institucionale, me zgjedhje të lira dhe duke u distancuar të paktën në deklarime nga e kaluara e errët e paraardhësve të tyre me emra të frikshëm. Kësisoj, “Vëllezërit e Italisë”, “Tubimi Kombëtar” i Lë Pen, etj., e kanë kuruar ndjeshëm imazhin e tyre politik, forcën tërheqëse, sidomos te rinia dhe për rrjedhojë, besueshmërinë e nevojshme politike për të shkuar më tej dhe kur ta sjellë momenti, nëse jo më prapë me “exit” praktikisht duke e zhbërë dhe çmontuar BE-në.

Natyrisht, këtu ka ndikuar për keq dhe vetë BE-ja e cila, e “dehur” nga suksesi i saj si pasojë e dështimit britanik me Brexit dhe tërheqja e vendeve të tjera nga çdo exit i mundshëm nuk mori masat e duhura reaguese për më tej me reformat e radhës, përfshirë dhe zgjerimin europian. Natyrisht këtu ndikoi kriza COVID–19 me sfidat e saj të pashembullta, për të ardhur tek agresioni rus ndaj Ukrainës, ku BE-ka ka përgjegjësitë e saj të mëdha, kryesisht për politikat e gabuara paqtuese, me besimin naiv se Rusia do të bëhej luajale falë forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me Europën. Dividentin e paqes të trumbetuar me bujë, tanimë është pak të thuhet se BE-ja po e paguan si “frëngu pulën”.

Derisa erdhëm te zgjedhjet e 6–9 qershorit për Parlamentin Europian, të cilat dëshmuan forcimin dhe zgjerimin e ndjeshëm të ekstremit të djathtë; partitë e tij tani nuk synojnë thjesht të zënë më shumë vende në parlamentet kombëtare apo dhe në ato europiane dhe më gjerë, as më shumë dhe as më pak ato duan pushtetin qendror dhe atë lokal. Të nxitura nga homologët e tyre që qeverisin vende me tradita të zhvilluara demokratike dhe bashkëthemeluese të BE-së – Italia, Belgjika, Suedia, Finlanda etj., janë shumë pranë portave të pushtetit “Tubimi Kombëtar” në Francë; pranë këtij objektivi edhe pse në një masë më të vogël janë FPO në Austri, AfD-ja në Gjermani, VOX në Spanjë dhe gjetkë. Dhe kjo jo si qëllim në vetvete dhe për raporte numrash, kurrsesi! Porse duke shtuar vendet ku ato do të qeverisin, krahas mundësisë së fitores së Trumpit në nëntor, ata shpresojnë të jenë në gjendje të përthyejnë raportet e tanishme të brishta dhe të ndikojnë shumë më tepër në vendimmarrjet e BE-së, për aspekte themelore sidomos lufta në Ukrainë, kriza në Lindjen e Mesme, gjendja në Ballkan, shteti i së drejtës dhe demokracia liberale etj.. Dhe kjo veç të tjerash, duke u shkelur njërin sy liderëve europianë, sipas parimit “urtë e butë dhe plot tiganin”, siç bën Meloni me Von der Leyen derisa peshorja gjeopolitike të shkojë përfundimisht në favor të tyre.

Ndaj, në këto kushte, Brexit nuk ka më vlerë dhe pothuajse të gjithë dhe kudo i tremben atij si “djalli nga temjani”. Ja pse, siç e përmendëm qysh në titull, situata e tanishme në Britani na rikujton aforizmën e njohur “në vendin e të varurit mos e përmend litarin”!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.