LAJMI I FUNDIT

Shoqëria shqiptare dhe sëmundja e indiferencës

07:59 - 02.07.24 HYQMET ZANE
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

NGA HYQMET ZANE




Ka një këshillë të lashtë – “Kush nuk e ha presionin, bën përpara”

PROLOG

Dikur në diktaturë babai më thoshte “ha dhe hesht dhe shiko punën tënde” nga meraku se realiteti i mbushur me shumë spiunë të krijonte probleme. Ajo që ishte e para gjë që u fitua nga ndryshimi i sistemit ishte liria e fjalës dhe të mos qëndroje indiferent për pakënaqësitë që krijohen nga realiteti. Edhe unë e ndjeva veten të privilegjuar nga ky realitet i ri. Por sot, pas 33 vjetësh shoqërinë shqiptare e ka shoqëruar një “sëmundje” – indiferenca qytetare për padrejtësitë që i bëhen nga qeverisja. Në jetën tonë të përditshme takohemi me shumë njerëz, pimë kafe dhe bëjmë llafe. Por jo shpesh mund të takojmë njerëz si rastësisht që për një moment të thonë fjalë që të lenë pa fjalë dhe të mbeten në mendje. Ata që janë më të vjetër në moshë, duket se në rrugëtimin e tyre të jetës i kanë të koncentruara mendimet dhe perceptimet e tyre i shprehin shkurt dhe me shumë mesazhe, që duhet thënë se janë me të vërtetë mençuri popullore shumë e nevojshme për çdo komb. Kështu një ditë u takova me një mik elbasanas si Frederik Dodbiba, (ndërroi jetë në fillim vitin 2024) një nga pinjollët e familjes së nderuar dhe të mirënjohurit Lef Nosit, që, në një moshë rreth të ’90-tave, në bashkëbisedimin me te si një mik, mund të mësoje shumë për të shkuarën dhe të sotmen dhe mendje për të ardhmen. E pyeta se si është me shëndet dhe mu përgjigj :

Jetojmë në një shoqëri të sëmurë rëndë.

– Po, – i thashë unë, – pandemia bëri të vetën, – por ai ma ktheu

– Jetojmë në një shoqëri të sëmurë nga mendja.

E kuptova menjëherë se çfarë donte të thoshte. Vërtet që jemi një shoqëri civile e sëmurur nga mend e kokës?! Vërtet që jetojmë në një vend të mrekullueshëm dhe të pasur, por për fatin e keq jemi një popull që vuan nga mendja e kokës.

REFLEKSIONE TË KOHËS.

Pasi u ndava nga Frederiku, menjëherë më erdhi në mendje momente historike se si është e mundur që këta njerëz me një pasuri të madhe trashëgimore, vazhdojnë të vuajnë pasojat e një kohe që i ka zhgënjyer dhe ia transformuar sa të cilësohen “të sëmurë nga mendja”? Për Frederik Dodbibën, e sotmja është si një vazhdim i së shkuarës që në mbarim të Luftës II Botërore. Dhe gjithçka buron nga lart, sepse kemi pushtetarë që gënjejnë ditën për diell e gjithë natën bëjnë pushtllëqe, populli i dëgjon dhe kënaqet. Nëse dikush u thotë të vërtetën, nuk e ka me qejf dhe nuk e do ta dëgjojë. Dikur një njeri i urtë, më thoshte “lërë mos e pyet se ai njeri është fukara nga mendja”. Por të jetë e gjithë shoqëria jonë shqiptare e tillë, kjo është për të ardhur keq!

Shumë vite të shkuara kam pasur një komshi më i madh se unë që ishte besnik i partisë së Enverit, por dhe me shumë humor. Pas shkollës së mesme, vazhdoi shkollën e partisë dhe në vitet ’70, për çudinë e të gjithëve, u bë drejtori i parë i furrënaltës së parë shqiptare në metalurgjinë e zezë në Elbasan. Por nuk kaloi shumë kohë dhe e zëvendësuan se nuk kishte se çfarë të jepte, edhe pse me humorin e tij jepte shumë optimizëm. E caktuan kryetarin e kooperativës së madhe në Bradashesh dhe gjithnjë me marifete dhe humor bënte punën dhe në një analizë punë në kooperativë, asiston sekretari i partisë i Elbasanit që merrej me bujqësinë. Kryekooperativisti që më ngjason sot me kryepatronazhistin, rrëfeu për çka kishin realizuar duke i shoqëruar me batuta dhe shaka me humor që e bënin për të qeshur popullin. U kuptua se kuintalët për hektarë të realizuara kishin një marifet me tokat e reja të padeklaruara dhe të mbjella që prodhimi i kalonte tokave që ishin të deklaruara. U kuptua që gënjente, por si njeri i partisë sekretari i deleguar e tërhoqi nga xhaketa dhe duke i parë dhe dëgjuar të gjitha, i tha në vesh “që po na gënjen po e marrim vesh, por meqë populli është i kënaqur, vazhdo”. Domethënë të vazhdohej me gënjeshtra si në çdo kooperativë tjetër.

Për paralelizëm me sentencën e thënë nga zoti Dodbiba, edhe sot jemi në kohën e vazhdimësisë të një shoqërie të sëmurë që qeshet nga gënjeshtrat e rrëfyera bukur shoqëruar me dajre e tepsi, me timon në dorë, me tallava dhe valle dhe ka frikë nga e vërteta. Kjo është një sëmundje e rrezikshme për një popull që e di që ha prodhime jo bio dhe jo të vendit të vet, por nga Serbia e vende të tjera që janë të “mira” për Shqipëri, ai rri indiferent a thua se nuk ka asnjë problem, edhe pse në Europë kërcasin protestat e mëdha të fermerëve që duan prodhimet e tyre dhe nuk lejojnë prodhime nga Amerika Latine me çmime të lira, por jo bio. Ata, europianët nuk duan të gënjejnë veten, nuk i besojnë gënjeshtrave, protestojnë për mashtrimet se europianët e BE janë popull jo indiferent që nuk e duan mashtrimin se ata nuk e hanë presionin, ndaj dhe bëjnë përpara në qytetërimin e tyre. Europianët nuk janë një popull i sëmurë nga mendja dhe e vlerësojnë shëndetin e kombeve të tyre.

PËRTEJ FAKTEVE

Unë e kuptoj se burra si Frederik Dodbiba që mban mbi supe mbi 90 vitet e jetës së tij, e kanë njeriun e tyre Lef Nosin, atë intelektualin dhe atdhetarin, atë burrë shtetasin dhe mendje hapurin, atë dinjitozin dhe njeriun e vlerave, kanë mendje të shëndoshë edhe pse njeriun e Pavarësisë, mikun e Ismail Qemalit dhe të Aqif pashë Biçakçiut e hëngri plumbi i pabesisë komuniste. Lef Nosi nuk mund të mashtrohej siç kërkonte të bënte dhe bëri PKSh e Enver Hoxhës që u tha se do luftojmë gjatë luftës për të bërë Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe që në fakt bënë Shqipërinë e izoluar dhe diktatoriale. Edhe Frederiku nuk e pranonte se qeverisjen e sotme do bënim “rilindje”, sepse e dinte që bijtë e atyre që mashtruan një herë, do vazhdonin rrugën e mashtrimeve edhe sot dhe në çdo kohë. Nuk di se kush mund ta ketë thënë, por një gjë është e vërtetë se “Është një tragjedi e jetës moderne që drita e së vërtetës trembi shoqërinë shumë më tepër sesa errësira e injorancës”.

EPILOG

Unë e di që koha ka bërë të vetën dhe janë vërejtur shumë simptoma të sëmundjeve të shoqërive të ndryshme në shtete të ndryshme, por nuk ka se si të pranoj që në këtë shoqërinë tonë që prosperon për demokraci, përqafon diktaturën. Këto janë marrëzira nga mendje të sëmura.

Duket se këtë ka pasur parasysh edhe Lord Bajroni i madh kur e pyetën bashkëlordët e tij anglezë për përshtypjet e tij, pasi u kthye nga udhëtimi i njohur që ai bëri në trevën e Shqipërisë dhe ai iu përgjigj: “Një vend i mrekullueshëm, që të ka qejfi të jetosh me burrat trima e gra të dëlira, racë e bukur, por pak të paarrirë (nga mendja)”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.