Kronikë

VIDEO/ Ekstradimi i autorit të masakrës së Lushnjës, publikohen pamje nga momenti kur Laert Haxhia i dorëzohet RENEA-s nga blutë helene

15:44 - 03.07.24 P. Gj.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditën e sotme u bë ekstradimi i Laert Haxhia, autorit të masakrës së Lushnjës, nga autoritetet helene tek ato shqiptare. Esktradimi u bë në pikën kufitare të Kakavijës.




Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga momenti kur blutë helene, dorëzojnë personin e shumë kërkuar tek RENEA.


Laert Haxhia është i dënuar me burgim të përjetshëm për veprën e tij në qytetin e Lushnjës më 2017.

Gjykata e shtetit fqinje lejoi ekstradimin e tij pavarësisht pretendimeve e të dënuarit se në Shqipëri i rrezikohet jeta.

I riu, nga Lushnja, u kap në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar. Në dokumentat e falsifikura, ai prezantohej me emrin Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Laert Haxhiu u dënua nga Gjykata e Apelit më 24 prill 2024, si autor i masakrës së Lushnjës ku humbën jetën dy të rinjtë Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi, si edhe u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Shënjestra e atentatit ishte Xhulio Shkurti, nipi i ish-kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare.

SI NDODHI MASAKRA E LUSHNJES

Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha mbetën të vrarë në 11 tetor të vitit 2017, ndërsa dy persona të tjerë, Marjus Xhepexhiu, pronari i lokalit ku ndodheshin atë çast dy viktimat, si dhe një kalimtar i rastit, 66-vjeçari Bujar Turku, që po kalonte në atë moment me biçikletë, kanë mbetur të plagosur lehtë. Dy të rinjtë u ekzekutuan me breshëri automatiku në hyrje të lokalit.

Autori zbriti nga një automjet dhe në duar mbante një armë automatike, ndërsa në kokë kishte një maskë të zezë. Ai eci gati 20 metra, duke iu afruar dy të rinjve që qëndronin në kafene dhe menjëherë ka hapur zjarr me automatik. Ai ka lëshuar dy breshëri kallashnikovi, ndërkohë që ka lënë të vdekur në vend Jurgen Hoxhën dhe shokun e tij, Zamir Latifi. Më pas, ai është larguar shumë shpejt në drejtim të daljes së Lushnjës, drejt zonës së ish-Fabrikës së Plastmasit. Zamir Latifit i ishte bërë atentat edhe një herë tjetër, një vit para ekzekutimit.

Ai ishte shok me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares, ndërkohë që Xhulio Shkurti mori një plumb në këmbë, ndërsa u plagos edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Dy vjet pas ngjarjes së rëndë, që u quajt edhe si “masakra e Lushnjës”, ndodhën edhe dy ekzekutime të tjera. Enver Boriçi ishte viktima e radhës e atentateve mafioze, i cili u vra në dhjetor të 2019, ndërkohë që vetëm pak muaj më parë u ekzekutua edhe Besnik Hida, ky i fundit daja i 23-vjeçarit Zamir Latifi. Nga Policia u dyshua se vrasja e tij mund të kishte lidhje me vrasjen e Latifit, për të cilin daja i tij kërkonte të bënte drejtësi dhe të zbardhej ngjarja.

Si i shpëtoi atentatit nipi i Aldo Bares

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se masakra e datës 11 tetor 2017 ka pasur si objektiv Xhulio Shkurtin, nipi i Aldo Bares. Vrasja e mbetur në tentativë disa vite më parë ndaj Xhulio Shkurtit, konkludohet se është kryer për hakmarrje, referuar këtu dhe historikut të konflikteve midis familjeve të Xhulio Shkurtit dhe Laert Haxhiut. Kjo hakmarrje e ka zanafillën herët, pasi banda e Aldo Bares alias Alfred Shkurti i ka djegur shtëpinë xhaxhait të Laert Haxhiut, Shkëlqim Haxhiu.

Më pas në janar të vitit 2005, është vrarë djali i xhaxhait të Laertit, Klodian Haxhiu. Në vitin 2016, Laert Haxhiu tentoi të vriste Xhulio Shkurtin, vrasje të cilën nuk arriti ta finalizojë dhe tentoi përsëri në mënyrë të organizuar të finalizojë në vitin 2017, por përsëri pa sukses. Pikërisht, mosfinalizimi i vrasjes së Xhulio Shkurtit, ishte shtysa që Laert Haxhiu të tentonte përsëri për të eliminuar Shkurtin, por këtë radhë në mënyrë më të organizuar. Për të realizuar këtë qëllim, Haxhiu pas shtatorit të vitit 2016 në një kohë të papërcaktuar saktë, ka krijuar një grup kriminal në përbërjen e të cilit ka future lidhjet e tij të ngushta shoqërore, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, për të cilët po vazhdon hetimi nga Prokuroria e Posaçme.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.